Nga Dhimitër Shtëmbari
Le ta themi që në fillim: vet autori i librit “Vllehët e Shqipërisë”, Jovan Bizhyti, është anëtar i etnisë vllehe. Është fakt, se për origjinën dhe përkatësinë e etnisë vllehe janë shprehur, madje vazhdojnë të shprehen mendime të ndryshe, deri edhe të kundërta! Ka syresh që pohojnë, se vllehët kanë origjinë e përkatësi greke apo rumune! “Në këto kushte, shkruan autori në librin e tij, ndjeva nevojën t’i përkushtohesha sqarimit historik të kësaj çështjeje nëpërmjet disa të dhënave të nxjerra prej arkivave dhe prej disa historianëve vendas e të huaj, duke e trajtuar këtë histori më gjerë e më thellë, duke u futur deri në labirinthet e errëta të shekujve të antikitetit romak, bizantin, paraosman e më pas”. Në librin e tij “Vllehët e Shqipërisë”, hedhur në qarkullim kohët e fundit, Jovan Bizhyti shkruan, se është e vërtetuar katërcipërisht, që origjina e vllehëve në Ballkan dhe në Shqipëri e ka zanafillën e saj që nga pushtimet e hershme romake. Që në shekujt e periudhës së para Krishtit është folur për historinë e vllehëve, histori që të çon te fiset Trake me banim në Danubin e Poshtëm të Ballkanit Lindor. Shpërbërja e tyre gjatë Perandorisë romake e shtriu këtë popullsi thuajse në tërë Ballkanin, kryesisht në Iliri, Bullgari, Epir, sigurisht duke përfshirë edhe Greqinë e sotme dhe Shqipërinë. Kuptohet, shekujt bën punën e tyre. Asimilimi i vllehëve me kombësitë vendase të romanizuara nën sundimin shekullor të Perandorisë Romake, shkruhet në libër, i ktheu këta në romano – vlleh. Duke qënë të shpërndarë në të gjithë Ballkanin, ata nuk arritën të krijonin atdhe, por mbetën pjesë e pandarë e bashkëjetesës me kombësitë e vendeve përkatëse. Kështu, edhe vllehët e Shqipërisë u bën pjesë e trevave brenda shtetit Ilir e, më vonë, të atij shqiptar. Të tillë mbetën edhe vllehët grekë, ata maqedonas, bullgarë, rumunë… Edhe pse ndodhi kështu, asnjëherë nuk mund të themi, pohon autori, se origjina e tyre më e hershme i përket njërit apo tjetrit shtet. Mbështetur edhe në shkrimet e disa prej studiuesve të huaj dilet në përfundimin logjik e historik, se vllehët i përkasin fisit të Trakëve. Gjuha e tyre ka lidhje me latinishten e vjetër ballkanike. Pas luftërave të pandërprera për mbijetesë, vllehët u vendosën në zona e treva të ndryshme, sigurisht edhe brenda territorit shqiptar, ku, më të shumtët, gjetën vendbanim në juglindje të Shqipërisë, kryesisht në rrethinat e Voskopojës. Dihet tashmë, pohon autori i këtij libri, se erdhi një kohë aty nga shekulli XVIII dhe Voskopoja u bë qendër e rëndësishme ekonomike, por edhe kulturore. Ajo thuajse u bë qytet.Banorët e këtij qyteti, vllehët, krijuan një farë qytetrimi, i cili u rrezatua edhe shumë më gjerë, deri në trevën e Gorë – Moravës e, në vazhdim, në Grabovë, Llëngë, Nicë, Shipckë, Belicë etj. Përqendrimi më i shumtë i vllehëve në këto treva u shoqërua natyrshëm me një zhvillim që i shkonte përshtat karakterit dhe punës së banorëve të këtij komuniteti. Autori i këtij libri ka bërë kujdes, që t’i tregojë lexuesit edhe çështje që lidhen me gjuhën e vllehëve, me besimin e tyre fetar, me bashkëpunimin e tyre me banorët e komuniteteve të tjera dhe, sidomos, me veprimtarinë e tyre mbas katastrofës së fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX. Pikërisht këtu është ndalur edhe më gjatë autori, duke shpalosur pasazhe historie e duke treguar fragmente kujtimesh që lidhen me jetën aktive të vllehëve blegtorë, ngulur në trevat e Korçës, Ersekës, Pogradecit, etj. Gjithashtu, autori është ndalur edhe te disa fise vllehe që gjetën strehë në Myzeqe, kryesisht në trevat e Lushnjes e të Fierit. Përmes edhe disa rrëfimeve interesante nga të moshuar, autori ka qartësuar edhe disa çështje që kishin të bënin me lëvizjen demografike të popullsisë, lëvizje që çuan të krijoheshin ngulime të shumta fshatrave të Myzeqesë, si në Kosovë të Madhe, Ngurrëz, Divjakë, sidomos në Kolonjë, (vendlindja e autorit të këtij libri) ku u vendosën mjaft familje vllehësh. Të dhënë kryesisht mbas blegtorisë, mjaft banorë të këtyre fshatrave i lëviznin delet e tyre për kullotje deri matanë kufijve shtetërorë, në Maqedoni a në Greqi. Sigurisht, autori i librit “Vëllehët e Shqipërisë” është ndalur jo vetëm në ngulimet më të njohura të Myzeqesë, të cilat i ka pas njohur nga afër, por vështrimin e ka hedhur edhe shumë më gjerë, duke u ndalur edhe për vllehët që u vendosën me banim të përhershëm në Shqipërinë e Mesme; konkretisht në Tiranë, Durrës, Kavajë dhe Elbasan. Ekziston një e vërtetë e pamohueshme, të cilën e ve shumë mirë në dukje autori, se vllehët e vendosur në këtë segment trevash i kontribuon zhvillimit ekonomik të këtyre qyteteve. Këta sollën një farë zhvillimi, por edhe qytetrim në këto vende. Infrastruktura, tregtia, deri edhe institucionet shkollore qenë objekte ku kishin vënë dorë pikërisht njerëz të kësaj etnie. Veçanërisht në Durrës e në Tiranë kanë lënë emër mjaft vllehë, që luftuan t’u jepnin fytyrë qyteteve ku banonin. Në mënyrë të veçantë autori i këtij libri është ndalur te periudha e Rilindjes Kombëtare, duke cekur këtu disa çështje thelbësore të lidhura me gjuhën, traditat, shkollën, emancipimin e shoqëror e politik të njerëzve, si dhe me kontributin në histori, filluar që nga lufta për Pavarësinë e Atdheut. Rol të rëndësishëm dhe kontribut të veçantë kanë dhënë vllehët sidomos gjatë Luftës Antifashiste Nacionlçlirimtare. Këta qenë ndër të parët që iu rreshtuan lëvizjes antifashiste dhe formacioneve të ndryshme partizane. Mjaft syresh kanë qenë kuadro drejtues në këtë kohë e më pas. Ka fare pak, për të mos thënë se s’ka fare pjesëmarrës në radhët e bashkëpunëtorëve të fashistëve italianë apo të nazistëve gjermanë. Edhe mbas çlirimit të atdheut mjaft nga njerëzit e komunitetit vlleh u bën kuadro të shquar dhe specialistë të zotë, duke i kontribuar zhvillimit ekonomik të vendit dhe emancipimit të gjërë shoqëror. Bazuar në të dhëna dokumentare, autori i këtij libri shënon, se mjaft vllehë kanë shkuar dhe kanë gjetur mbështetje deri edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, kryesisht në shtete të Europës, por deri edhe në Amerikën e largët. Kështu, familje voskopojare gjen deri në Austri, ku njerëz të shquar nga ky komunitet merren deri edhe me veprimtari bankare. Libri “Vllehët e Shqipërisë” i shtohet librave dokumentarë e deri atyre studimorë, që do të mund të shërbejë për hapa të rinj drejt njohjes më të plotë, pse jo – edhe përfundimtare, të vllehëve të Shqipërisë. Sikundër e shpreh autori, vllehët në Shqipëri s’mund të kosiderohen pakicë kombëtare apo minoritet, sepse ata përbëjnë një komunitet të gjerë e shumë kompaktë, me gjuhën e tyre, si dhe me tërë ata elementë demografikë, çka e përbën dhe e dallon një etni të plotë.