Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste në Qarkun e Fierit, Eglantina Gjermeni, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Sot”, ka komentuar situatën parazgjedhore dhe problematikat që karakterizojnë Qarkun e Fierit. Zonja Gjermani tha se problemi më akut i Qarkut të Fierit është papunësia, e cila sjell varfërinë, dhunën dhe shumë probleme të tjera. Kur na ndajnë vetëm 4 ditë nga beteja zgjedhore, Gjermeni ka deklaruar se fitorja e PS do të jetë plebishitare dhe se Qarku i Fierit synon të marrë mbi 10 mandate, ndryshe nga ajo çfarë pasqyrojnë sondazhet. Ajo i bën thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votime, pasi vota e tyre është shumë e rëndësishme kundër regjimit të kryeministrit Sali Berisha. Kandidatja Gjermeni beson në një fitore të madhe të koalicionit të majtë dhe i bën thirrje humbësit që të pranojë rezultatin.
-Znj. Gjermeni, ju jeni kandidate për deputete në Qarkun e Fierit dhe sigurisht keni prekur nga afër problemet kryesore që kanë qytetarët. Nga konstatimet tuaja, cilat janë problematikat e Qarkut të Fierit dhe në veçanti të qytetit të Lushnjes ku ju jeni e fokusuar?
Problemet që ka qyteti i Lushnjes janë sigurisht probleme që i ka gjithë shoqëria shqiptare. E para, është papunësia e cila ka prekur të rinjtë dhe gratë. Kam takuar shumë të rinj të diplomuar, me shkollë të mesme, qoftë edhe me master, të cilët nuk kanë punuar as edhe një ditë. Gratë janë në ditët e tyre më të këqija për të gjetur një punë. Problematikë tjetër është strehimi, i cili është një problem shumë i prekshëm në Bashkinë Lushnje. Problematikë tjetër është bujqësia. Unë vërtetw jam e fokusuar në Lushnje, por janë disa lagje të tjera që merren me bujqësi si 18 Tetori, Karbunar, ku banorët sigurojnë jetën e tyre me anë të bujqësisë. Këto janë nga lagjet më të varfra, dhe tregon sa vëmendje i ka kushtuar qeveria bujqësisë, por gjendja e këtyre zonave është bërë akoma më e vështirë në këto 8 vite. Një problem tjetër që unë e kam prekur në qytetin e Lushnjes dhe në çdo qytet tjetër të Shqipërisë, është që bashkitë që drejtohen nga Partia Socialiste kanë vështirësi sa i përket qoftë investimeve, shërbimeve që i ofrojnë komunitetit. Qeveria ka bërë luftë politike dhe ka diskriminuar këto bashki. I ka prerë gjithmonë fondet dhe nuk u ka dhënë mundësi krerëve të bashkive të majta, që të realizojnë mandatin për të cilin qytetarët e kanë votuar.
-Çfarë do t’u garantojë PS qytetarëve të Lushnjes?
PS do t’u kthejë shërbimet jetike qytetarëve. Do të investojmë në infrastrukturë, duke hequr izolimin e rrugëve me Tiranën dhe Beratin. Do t’i kthehet dinjiteti i munguar Kongresit të Lushnjes, duke rindërtuar shtëpinë muze dhe monumentin e lënë përgjysmë. Do të ndërtohet një qendër funksionale për të rinjtë, një qendër ditore për personat me aftësi të kufizuar. PS do të mbështesë financiarisht fermat, bizneset bujqësore dhe ato agropërpunuese. Gjithashtu do të përmirësohet menaxhimi, ujitja dhe kullimi i tokës bujqësore. Do të ulet çmimi i naftës, i inputeve bujqësore dhe do të përmirësohet marketingu, grumbullimi dhe agropërpunimi i produkteve bujqësore.
-Si në çdo proces zgjedhor, një nga problematikat që hasen është edhe administrimi i zgjedhjeve. Cilat janë problematikat që ju mund të keni hasur në Bashkinë Lushnje ku ju jeni fokusuar, sa i takon listave të zgjedhësve, qendrat e votimit etj.?
Ne kemi punuar shumë me listat. Bashkia e ka në mandatin e saj që të shpërndajë numrin e qendrës së votimit në çdo familje. Ne si struktura të Partisë Socialiste dhe si ekip që po punojmë, po mundohemi të takojmë njerëzit derë më derë, të verifikojmë listat, edhe të shpërndajmë fletët për çdo familje, për qendrën e votimit ku ata votojnë. Puna e deritanishme organizative nuk ka pasur probleme. Mendoj se një nga vështirësitë që e shoh si problem në Lushnje, është mospjesëmarrja në votime. Një pjesë e qytetarëve sigurisht janë emigrantë, një pjesë tjetër ndoshta për shkak të mosbesimit në politikë, ndoshta për shkak të zhgënjimit se vota nuk shkon atje ku ata duan, janë të tërhequr dhe nuk e mendojnë se vota e tyre është kaq e rëndësishme. Në çdo takim që kam bërë në lagje, u kam thënë se vota është e shenjtë. Është një kontribut në qoftë se duam një shoqëri më demokratike. Mesazhi për të marrë pjesë në votime është një mesazh demokracie, qytetarie dhe për t’u afruar më afër Europës.
-Sipas sondazheve, e majta në Qarkun e Fierit merr 10 mandate. Cili është objektivi si koalicion?
Objektivi ynë si koalicion është mbi 10 mandate në Fier. Dhe për këtë po punojmë fort. Unë jam e kënaqur që jam pjesë e ekipit të Qarkut të Fierit. Është një ekip shumë simpatik. Kemi përvoja të ndryshme me Qarkun e Fierit. Puna këtu është fokusuar për të arritur fitoren dhe për të marrë mbi 10 deputetë.
–Shumë pak ditë na ndajnë nga beteja zgjedhore. Cila është taktika e Partisë Socialiste që do të ndjekë për të mbrojtur votën?
Mua më vjen keq që ende flasim për mbrojtjen e votës. Jemi në 2013 dhe akoma flasim për mbrojtjen e votës së lirë. Ne mendojmë skenarët që mund të përdorë PD dhe Berisha për të manipuluar votën, ndërkohë që energjitë mund t’i përdorim për të bërë gjëra shumë më të mira. Megjithatë, Partia Socialiste ka marrë disa masa. E para, kemi dhënë mesazhin për pjesëmarrje sa më shumë në votime. Po punojmë derë më derë që të gjithë qytetarët të vijnë e të votojnë. Sa më shumë të jetë e lartë pjesëmarrja, rreziku i manipulimit ulet. Hapi dytë është përzgjedhja e komisionerëve, trajnimi i tyre, si ata që janë në qendrat e votimit dhe ata që janë në qendrat e numërimit. E treta, edhe ne kemi grupin tonë të mbrojtjes së votës që kutitë e votimit të shkojnë në destinacionin e tyre për t’u numëruar. Unë mendoj se përvoja e 2009 dhe ajo e 2011 ku ka fituar me një rezultat shumë të lartë kreu aktual i Bashkisë së Lushnjes, besoj se është një përvojë shumë e mirë për të arritur një rezultat akoma edhe më të mirë. Në Lushnje jam ndjerë kaq e mbështetur dhe optimiste. Mendoj se rezultati më i mirë do fillojë këtu në Lushnje.
–Këto zgjedhje janë një test për Shqipërinë në Europë. Si e parashikoni situatën postzgjedhore? Mund të ketë konflikte politike sa i përket pranimit të rezultatit zgjedhor?
Në të gjitha mesazhet e vëzhguesve ndërkombëtarë, mesazhet që kanë ardhur nga ambasada e SHBA dhe BE, thuhet se zgjedhjet do të jenë një test për Shqipërinë, për integrimin evropian. Është momenti që ne të tregojmë se dimë t’i kalojmë testet. Uroj dhe shpresoj që të ndodhë kështu. Ndoshta jam më idealiste seç duhet, sepse me këtë qeveri është e vështirë të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këtë radhë fitorja e Partisë Socialiste do të jetë plebishitare. Mjaft më me mitingje ku njerëzit dalin me presion, mjaft më me problemet e njerëzve ku kanë arritur deri aty ku nuk mban më. Fitorja nuk do të ketë asnjë lloj dyshimi që mos të pranohet rezultati. Shpresoj që situata postzgjedhore të jetë e qetë dhe pa tensione politike.
-Kur na ndajnë edhe pak ditë nga procesi zgjedhor, tre vendet në KQZ vijojnë të mbeten bosh. A ka një marrëveshje PD-PS për të rikthyer anëtarët, apo për t’i zëvendësuar me emra të rinj?
Nuk kam asnjë shpresë për kompromisin në KQZ. Edhe mesazhet e ndërkombëtarëve kanë qenë që KQZ të funksionojë e plotë, që zgjedhjet të jenë demokratike. Unë këmbëngul te pjesa e pjesëmarrjes në votime, mbështetjes të jashtëzakonshme që vjen nga të gjitha qytetet e Shqipërisë. Mendoj që vota e lirë demokratike do të jetë treguesi më i mirë për fitoren.
-Cili është programi i PS për të drejtat e grave?
Kemi një program specifik për rininë dhe për gruan. Të rinjtë dhe gratë kanë një problematikë më specifike për hir të vështirësive. Për gratë kemi marrë disa angazhime konkrete. Së pari, fuqizimi ekonomik i gruas, hapja e vendeve të reja të punës, përmes kredive dhe nxitjes së sipërmarrjeve për gratë, përmes formimit profesional dhe punësimit të tyre. Kemi marrë angazhime konkrete sa i përket fushës së shëndetësisë. Kontrolli një herë në vit sa i përket parandalimit të kancerit të gjirit dhe të mitrës te gruaja. Një grua që pret një fëmijë qoftë e siguruar apo jo, leja e shtatzënisë do t’i garantohet nga shteti. Një problem tjetër specifik është edhe ai i dhunës në familje. Vitin e kaluar humbën jetën 27 gra. Do të ofrojmë shërbim te viktimat e dhunës, duke i rehabilituar ato. Do të ngremë dy qendra rehabilitimi një në veri dhe një në jug. Qoftë për programin e gruas dhe qoftë për programin në tërësi, do të theksoja se përqasja jonë është parandaluese dhe e dyta, në bashkëpunim me të gjithë aktorët në shoqërinë shqiptare, pushtetin qendror, vendor, median, shoqërinë civile, institucionet fetare. Që të gjithë bashkë të bëjmë maksimumin, pasi të gjitha problemet që na shqetësojnë nuk mund të zgjidhen vetëm nga një faktor. Intervistoi: Eneida Jaçaj