Këto ditë qarkullon nja material i shpërndarë nga kreu i PD për një grup të caktuar meidatik, i cili po bën propagandë kundër demokratëve në shërbim të Edi Ramës.
Në listën e shpërndarë nga Lulzim Basha ndodheshin emra të njohur gazetarësh, apo dhe faqe interneti, opinioni i të cilëve dihet botërisht që janë pjesë e eskortës personale të Edi Ramës në rafshin mediatik. Një pjesë e këtyre emrave reaguan të skandalizuar kundër kreut të PD, a thua se kishte ndodhur kataklizmoja, ndërkohë që janë vetë ata që e kanë shprehur pozicionimin e tyre politik.
Asgjë te keqe nuk ka nëse dikush beson në pozitivitetin e Edi Ramës dhe i shikon me superlativa aksionet e tij politike gjatë qeverisjes. Ashtu si e kundërta, kontestatorët e tij të mendojnë të kundërtën. Nuk ka ndonjë tragjedi të madhe në qarkoren e Lulzim Bashës, nëse deklaron se ky grupim gazetarësh janë kundër PD dhe strategjisë së saj politike.
Lulzim Basha ka të drejtën e tij të ndërtojë strategjinë e tij politike duke evidentuar se kush janë mediat “armike” antiPD dhe ato anasjelltas. Të këshillosh formacionin politik se kush bën lojën e Edi Ramës dhe kush nuk është me të është një sjellje më shumë se normale.
Nuk ka ndodhur gjëma dhe as nuk bie reputacioni i emrave të gazetarëve apo mediave para dishepujve të tyre. Çdokush prej tyre e ka krijuar rezonancën e ndjekësve dhe nuk prish dhe as shton vlera qarkorja e Bashës. Alarmimi i mediaxhinjve të gjendur përballë këtij realiteti, nuk është as më shumë dhe as më pak një alarm fals në kampin e tyre.
Padyshim që, veprimi i Lulzim Bashës nuk është as më shumë dhe as më pak shumëherë më i kulturuar nga ai i rivalit të tij në politikë, i cili në çdo moment mundohet të zhvlerësojë rëndësinë mediatike nëpermjet etiketimit kazan. Asnjë nga këta shpirtra të shqetësuar nuk lëvizi buzët të kontestojë këtë fyerje të bëra nga idhulli i tyre, por pranuan në heshtje etiketimet si “kazanë lëveresh” të bëra pa dogane nga kryetari i mazhorancës.
Edi Rama nuk ka lënë gazetarë pa etiketuar kazane, duke filluar nga Muç Nano, Henri Çili, A Shkullaku, Ilir Babaramo, Ylli Rakipi e shumë e shumë emra të tjerë. Padyshim që puna e medias është e pavarur dhe nëse sot i mbyllet goja një, dy a më shumë, diversifikimi i portofolit mediatik është aq plural, sa nuk mundet as Lul Basha dhe as dora vetë naltgjatësia Edi Rama të bëjnë censurim apo dhe frenim të evidentimit të fakteve politike, ekonomike apo për më shumë atyre korruptive.
Pra, agresivitetiti i personave të cilët janë etiketuar nga Edi Rama si kazanë, por që në të njëjtën kohë edhe kreu i PD i etiketon si kazanë të Edi Ramës, nuk është aspak legjitim. Detyra e secilit është të bëjë punën e mediaxhiut pavarësisht nëse kreut të një partie i pëlqen apo nuk i pëlqen.
Portofoli mediatik është aq shumë i diversifikuar, sa as goja Edi Ramës dhe as memorandumi i Lulzim Bashës nuk është në gjendje të censurojë në absolut mendimin e lirë. Zërat e lirë duhet të qetësojnë shpirtin dhe ta lënë politikën të bëjë punën e vet, ndërkohë që këta të bëjnë të tyren. Nuk ka rëndësi nëse janë legenat e Bashës apo kazanët e Ramës. Rëndësi ka të qëndrojnë me vetëmohim në krye të detyrës.