Lëvizja e ditëve të fundit e kryeministrit Edi Rama duket se ka ngjallur jo pak reagime në rajonin shqipfolës, specifikisht në Kosovë dhe Tiranë. Zëra të revoltuar politikanësh, opinionistësh dhe aktivistësh politikë akuzojnë për tradhti kombëtare kryeministrin shqiptar për minishëngenin ballkanik.
Kreu i opozitës Basha, Ramushi, LSI, Berati, Skrapari dhe gjithë grupi i folkloristëve nxituan të bëjnë nacionalistin, dikush për formalitet, dikush për pak lexues e dikush për popullaritet, duke lëshuar lumë akuzash ndaj Ramës për tradhëti kombëtare. Që gjithë kjo zhurmë i volit kryeministrit shqiptar nuk diskutohet.
Vendi në këto momente po përballet me probleme të rënda si pasojat e tërmetit, krizën ekonomike, krizën institucionale dhe shumë fenomene të tjera të cilat anashkalohen nga mjeshtëria e Edi Ramës për të larguar vëmendjen. Dikur nxorri ligjin për KÇK si shpëtim ndaj korrupsionit, ligj që ishte një paçavure antikushtetuese dhe i punuar nga duar amatorësh dhe i ideuar nga ëndërimtarë diktatorësh.
Pa u shuar jehona e tij shpiku ligjin antishpifje, nëpërmjet të cilit tërhoqi vëmendje të jashtëzakonshme mediatike dhe njerëzit harruan tërmetin dhe u morën me “inkuizitorin” e fjalës së lirë. Pa mbaruar jehona e tij Edi Rama zhvillon samitin me Vuçiç dhe Zaev.
Përqëndrim vëmendje e jashtëzakonshme mbi kryeministrin shqiptar. Tërmeti u harrua, problemet që përballet vendi kanë kaluar në periferi mediatike dhe superstari mediatik i momentit është ai Mesia kryeministër, mjeshtër i insinuatave. Edi Rama ka aftësinë të qëndrojë pafundësisht në syrin e ciklonit duke u kënaqur me budallëkun që ka mbërthyer opinionin kosovar dhe shqiptar.
Samiti mbaroi. Vuçiç e Zaev kaluan ditë argëtuese nën shoqërinë e Edi Ramës, samiti nga një takim mediokër pa asnjë benefit real dhe vendim të rëndësishëm hyri në vorbullën e opinionit politik dhe mediatik, duke i shërbyer P.R. të KM Rama për ditët që vijnë.
Kështu do të vijojnë rrugët vajtje ardhje të një ideje sa të vjetër dhe të marrë, pa produktivitet, thjesht si një imazh virtual për të eklipsuar problemin real që kemi me bashkimin europian. Minishengeni është ide e lodhur e pazbatueshme dhe joproduktive përsa kohë që të gjitha këto shtete kanë një qëllim të përbashkët integrimin në Unionin Europian.
Ideja e Jugosllavisë së re aspak e re
Ideja e një Jugosllavie të re ka nisur që në 1 qershor 2013 në Ohër, ku është hedhur ideja e një Unioni Ballkanikoperëndimor nga ministri i Jashtëm malazez, Igor Lukshiç e cila u përkrah edhe nga Sali Berisha, ku qeveria shqiptare ishte presente ne kohën që udhëhiqej nga demokratët.
Sipas ministrit malazes pjesë e Federatës do të ishin Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kosova dhe Serbia. Kjo e fundit, pritej të ishte koka e federatës së re.
Projekti parashikonte edhe ngritjen e një parlamenti të përbashkët, ku çdo vend do të përfaqësohet me nga 10 deputetë. Ky parlament do të merrte vendime, të cilat prekin të gjitha vendet e federatës së re.
Diskutimi i parë për idenë e ministrit të Jashtëm malazez, Igor Lukshiç, i cili ka propozuar formimin dhe ngritjen e një "Unioni Ballkanikoperëndimor", është bërë në samitin e SEECP në Ohër, në 1 qershor 2013. Ndërkaq, një mbledhje e posaçme për këtë nismë është organizuar nga Ministria e Jashtme e Malit të Zi në 16 korrik në Përzhno, ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Ministrive të Jashtme të Serbisë, të Malit të Zi, të Maqedonisë, të Bosnjë-Hercegovinës, të Shqipërisë dhe të Kosovës, në nivel drejtorësh politikë. Sipas komunikatës zyrtare, të botuar për këtë takim nga MPJ e Malit të Zi në faqen e saj zyrtare, përfaqësuesit e gjashtë shteteve pjesëmarrëse kanë shprehur pëlqimin e shteteve përkatëse për krijimin e këtij "Unioni Ballkanikoperëndimor".
20 pikat e marrëveshjes të 2013
1. Parlament i përbashkët me qendër në Serbi
2. Çdo vend anëtar përfaqësohet me nga 10 deputetë
3. Polici të përbashkët ballanike
4. Politika të përbashkëta ekonomike
5. Koordinim në sistemet arsimore të edukimit
6. Luftë e përbashkët ndaj korrupsionit
7. Luftë e përbashkët ndaj krimit të organizuar
8. Qendër rajonale të luftës kundër korrupsionit
9. Unioni u projektua si vazhdim i arsyeshëm i Forumit Parlamentar të Cetinës.
10. Konsolidim të Iniciativës Rajonale për Migracionin
11. Zbutje e efekteve negative të krizës ekonomike
12. Plan për ruajtjen e tregut rajonal
13. Financim i projekteve me interes rajonal
14. Bashkëpunim për rrugët energjetike
15. Zonë unike për shkëmbimin e njerëzve dhe kapitalit,
16. Thjeshtësim i procedurave për kalimin e kufijve
17. Leje të pasaportave
18. Mbrojtje të të drejtave të njeriut
19. Mbrojtje e pakicave
20. Nxitja e nismave rajonale ekzistuese.