Fillimi i sezonit të ri parlamentar do të pasohet me zhvillime shumë të vrullshme në politikën shqiptare dhe ridimensionimin e opozitës shqiptare në raport me strategjinë e sezonit të kaluar. Lulzim Basha ka dhënë sinjale të qarta se ka ardhur koha për të menduar për një platformë politike serioze, të larguar nga dhuna e muajve të kaluar.
I sigurt në rrugën e tij, pasi largoi nga parlamenti të gjithë kundërshtarët e tij brenda partisë, duke filluar nga ish lideri Sali Berisha dhe shumë eksponentë demokratë, ai ndihet i qetë edhe pa partitë e vogla bishta që kanë qenë ngjitur si kërpusha pas PD. Fitorja kryesore e Lulzim Bashës është largimi i Monika Kryemadhit dhe ndikimi që Ilir Meta kërkoi të fuste në partinë që drejton ai.
Tashmë që fati i Ilir Metës dihet, pasi është vendosur se një nga peshqit e parë që do bjerë në rrjetën e SPAK, Lulzim Basha e ka të qartë se ylli i Edi Ramës pasi kapi zenithin ka filluar një dishezë të rrezikshme e cila i hap rrugën e ardhjes në pushtet, si e vetmja alternativë opozitare.
Pasi i respektoi urdhrat e qarta të ndërkombëtarëve për përzënien nga skakiera politike të Saliut, Monikës dhe Ilir Metës, tashmë para Lulzim Bashës është hapur rruga për të ardhur në pushtet. Ai vazhdon i qetë lojën e tij të njeriut që nuk i intereson se çfarë bën KM Rama me bashkitë që ka marrë në dorëzim, pasi kjo situatë është provizore dhe së shpejti pasi të përmbyllet reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore, zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme dhe ato lokale do të bëhen në të njëjtën ditë dhe do të bëhen shumë para afatit të tyre ligjor.
Edi Rama e ka të qartë këtë fakt dhe është i ndërgjegjshëm për haraçin që do paguajë pasi zhvilloi zgjedhjet anormale të 30 qershorit. Nëse reforma zgjedhore, e cila është e hartuar dhe pret miratimin e saj muajt e ardhshëm do të zhdukë nga skena politike disa parti familjare dhe klanore-mafioze, reforma në drejtësi është katastrofike për mazhorancën dhe zullumqarët e politikës shqiptare.
Përmbyllja e reformës në drejtësi konsiston në mbylljen në burgun e Reçit të shumë pushtetarëve që e kanë të regjistruar emrin në listat e FBI amerikane dhe FBI vendase që është duke shtuar qelizat e saj në trupin e drejtësisë së re shqiptare. Fati i Lulzim Bashës ka të bëjë dhe amortizimin e pushtetit të Edi Ramës, i cili ka ngritur një strukturë agresive me elementë kriminalë, por kërkon të imponojë pushtetin nëpërmjet një rrjeti kapilar ushtarësh që propagandojnë “sukseset e qeverisë në rrjetet sociale.
De facto qeverisja e Edi Ramës është shndërruar në një qeverisje virtuale, ku suksesi më i madh i administratës së tij merr vlerësim mbi numrin e likeve sesa në produktin administrativ apo rendimentin aktiv të investimeve, mbledhjes së të ardhurave apo dhe shërbimin ndaj qytetarëve.
Duke pasur përballë këtë mazhorancë që noton në një realitet virtual, Lulzim Basha po mundohet të fitojë kredibilitet në sytë e faktorëve që do të vendosin se kush do të qeverisë në të ardhmen.
Një fakt është i qartë:
Pas “inkuizicionit” të SPAK, shanset më të mëdha janë për Lulzim Bashën për të qenë kreu i mazhorancës së ardhshme tetorin e vitit 2020. Konturet e së ardhmes së qeverisjes së re do të varen nga fati i të rënëve apo të korrurve nga “inkuizicioni” SPAK. Heretikët e korruptuar që do bien në rrjetë brenda marsit të 2020 do të tregojnë se nga do të anojë peshorja e pushtetit në zgjedhjet e parakohshme në tetor të vitit 2020.