Më 16 mars do të mblidhet sërish Asambleja e Partisë Socialiste. Takimi do të zhvillohet në Durrës. Burime bëjnë me dije se në PS priten ndryshime radikale, pasi kjo Asamble, do të përqendrohet pikërisht në riorganizimin për zgjedhjet e vitit 2025. Tani pritet të fillojë faza e dytë dhe “kokat” e para që do të priten janë emrat në listën që Rama mori gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste që u mbajt më 11 shkurt me drejtues qarqesh dhe anëtarë që nuk kanë pasur rezultate në terren. Vetë kryesocialisti Rama, ka theksuar se do të ketë një riorganizimin dhe një hapje të madhe të Partisë Socialiste, të cilën ai e drejton, me qëllim një fitore të radhës në zgjedhjet e përgjithshme 2025. Madje ai tha se ndryshimet janë pjesë e jetës së Partisë Socialiste, gjë që sipas tij e bënë këtë forcë politike fituese. “Besoj shumë më mirë se çfarë disa nga kolegët mendonin dhe shpreheshin. Tani jemi në fazën e dytë, siç e vendosëm në Asamble, që është faza a angazhimit për anëtarësimet e reja dhe balancimin e barazisë gjinore në çdo qark. Ka pika të caktuara në zona rurale ku duhet bërë më shumë punë për të garantuar pjesëmarrje më të balancuar mes gjinive”, tha Rama.
Goditjet nga SPAK
Nuk përjashtohen që ndryshime të tjera më 16 mars në nivele ministrash në qeveri të lidhen me faktorë jashtë PS, pasi gjithçka varet se çfarë zhvillimesh do të prodhojë SPAK dhe sa do të faktohet, nëse do të ketë zhvillime nga Prokuroria e Posaçme, ndryshimet qeverisëse bëhen të pashmangshme për kryeministrin Rama. Situata po tensionohet edhe më shumë pasi vetëm pak ditë më parë u thirr brenda ambienteve të SPAK për herë të parë Ogerta Manastirliu. Nëse hetimet mund të rrezikojnë pozitat e Manastirliut, Rama mund të reflektojë para kohe, ose do t’i lërë kartat e hapura më 16 mars. Kryeministri e ka bërë të qartë se do t’i lëshojë bashkëpunëtorët, nëse këta kanë probleme me drejtësinë, duke i shkarkuar paraprakisht nga detyra, njësoj siç ndodhi me Arben Ahmetajn, apo Frida Krifcën. Pikërisht nga SPAK, Edi Rama në shtatorin e vitit të kaluar u detyrua të bënte 7 lëvizje, në ministri të ndryshme, ku pati hyrje të reja, por edhe “shkëmbime” postesh. Dy ndër lëvizjet më thelbësore ishin ato që përfshinë Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, si dhe Ministrinë e Financave. Nga ana tjetër që me rastin e katapultimit të Blendi Gonxhes në qeveri nga Edi Rama në janar, brenda selisë rozë janë ndezur “gjakrat”. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Invoacionit, që drejton ai e meriton me plot gojë të cilësohet një superministri. Rama futi Blendi Gonxhen në qeveri dhe vendosi të bëjë një eksperiment, duke bashkuar 3 dikastere të ndryshme. Sot qeveria ka caktuar fushën e veprimtarisë së kësaj ministrie dhe Blendi Gonxhe do të ketë akses thuajse kudo, nga arsimi, punësimi e tregtia, te AKSHI, teknologjia dhe PPP-të. Kjo lëvizje tregon rëndësinë që Edi Rama i ka dhënë Gonxhes dhe sponsorizimin që kryeministri pritet të bëjë në vijim. Kjo lëvizje e tij nuk do të mbyllet pa pasoja tek kabineti i tij. Rama mund t’i japë postin e zv-kryeministrit dhe mund të nxjerrë jashtë loje Belinda Ballukun që i ka llogaritë e hapura me SPAK. Deri më tani, lirinë për të vepruar lirshëm e ka Blendi Gonxhja pasi Kryeministri e ka të njohur të vjetër dhe besnik. Nese kjo lëvizje është sipari i një sërë largimesh të tjera në qeveri kjo duhet parë nga SPAK. Vetëm dosjet e SPAK mund ta ndryshojnë prapë qeverinë pas Blendi Gonxhes. Me hetimet që ka në duar Prokuroria e Posaçme dhe arrestimet që mund të ndodhin brenda mazhorancës, ndryshimet nuk do të mungojnë, kjo është e sigurt.