Ish kryeministri Sali Berisha në 3 vjetorin e 21 Janarit si dhe vetëm pak orë pas homazheve ka reaguar në rrjetin e tij social Facebook duke akuzuar Ramën si organizatorin e sulmit për të marrë pushtetin me dhunë. Berisha ka theksuar se më 21 janar te vitit 2011 banditë të paguar sulmuan për 5 orë me bomba molotov, gur, hunj, eksplozive, selinë e Këshillit të Ministrave.
"Të dashur miq, tre vjet më parë Edvin Kristaq Rama ndërmori sulmin e organizuar dhe të koordinuar kundër selisë së Këshillit të Ministrave për marrjen e pushtetit me dhunë. Ngjarja pati, sipas Edi Ramës, si shkak "bllokun e Ilir Metës", por shkaku i vërtetë i saj ishte etja e pashuar e Edvinit për të marrë pushtetin me dhunë. Më 21 janar të vitit 2011 banditë të paguar sulmuan për 5 orë me bomba molotov, gur, hunj, eksplozivë, selinë e Këshillit të Ministrave. Edi Rama komandonte sulmin nga kullat binjake duke pritur me një megafon se do mund tu fliste shqiptarëve nga ballkoni i zyrës së kryeministrit.
Forcat e Rendit dhe ato të Gardës së Republikës mbrojtën me vetëmohim dhe heroizëm institucionet dhe rendin kushtetues. Në përleshjet që u zhvilluan atë ditë pati katër viktima dhe dhjetëra e dhjetëra policë, gardistë e qytetarë të plagosur. Duke shprehur edhe një herë ngushëllimet e sinqerta për viktimat, denoncoj 21 janarin si ngjarjen më të rëndë në historinë e shtetit shqiptar në 80 vitet e fundit", shkruan Berisha në Facebook.