Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka paralajmëruar bashkitë që të shlyejnë borxhet e prapambetura ndaj bizneseve, pasi në të kundërt qeveria do u presë fondet. Duke e konsideruar si gangrenë, Ahmetaj bëri me dije se detyrimet e prapambetura të bashkive ndaj palëve të treta janë rritur dhe u bëri apel kryebashkiakëve që të respektojnë afatet kohore për shlyerjen e tyre. “Të merret seriozisht skeduli i shlyerjes në mënyrë që Ministria e Financave, në emër të qytetarëve, të mos detyrohet të prekë transfertat”, tha ministri Ahmetaj. Sipas Ministrisë së Financave, aktualisht njësitë vendore kanë mbi 70 milionë euro borxhe të prapambetura ndaj biznesit. Ndërkohë, Ahmetaj tha se bashkitë duhet t’i gjejnë vetë paratë për të shlyer këto detyrime. “Nuk do të ketë asnjëherë një fond që ju të paguani detyrimet tuaja të prapambetura, do t’i paguani nga të ardhurat tuaja”, tha ministri. Një vit pas zbatimit të ligjit për financat e vetëqeverisjes vendore, temë e te cilës ishte edhe konferenca kombëtare që mblodhi bashkë përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror, ministri Ahmetaj përllogariti se vetëm nga burimet e tyre, bashkitë kanë rritur të ardhurat me 87 milionë dollarë krahasuar me katër vite më parë ndërkohë që granti qeveritar u legjitimua në 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithëkëtë, Ministria e Financave vëren rritje të detyrimeve ndaj të tretëve, gjë që sipas ministrit Ahmetaj, reflektohet në borxhin publik.
Qeveria ul taksat, bashkitë i rrisin
Qeveria qendrore ia faturon pushtetit vendor “fajin” për ngarkesën e lartë fiskale kundrejt sipërmarrjes. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj në një takim me drejtues të pushtetit vendor, theksoi se ky i fundit ka pasur tendencë rritëse të tarifave vendore ndaj bizneseve, ndërsa qeveria është orientuar drejt uljes së taksave. Kjo sipas tij, ka sjellë faktin që sipërmarrjet nuk ndjejnë uljen e taksave dhe tarifave që ndërmerr qeveria. “Shpesh vihet re që qeveria ul ngarkesën fiskale, tarifa, taksa sidomos tek biznesi i vogël, ndërsa qeveritë vendore e ngarkojnë sipërmarrjen me tarifa dhe taksa vendore. Shpesh ndodh të kompensojnë atë ulje që ndërmerr qeveria vendore”. Në këtë frymë kreu i financave tha se duke nisur që tani e në vijim politikat e taksave do të bëhen të balancuara me qeverinë qendrore, por pa dhënë detaje nëse do të rishihen nivele të taksimit aktual që bëjnë vendorët. Ministri i Financave u kërkoi gjithashtu bashkive që të bashkëpunojnë me autoritetet tatimore për të informuar sipërmarrësit e vegjël që kanë hyrë për herë të parë në skemën e TVSH-së, ndërsa kërkoi një menaxhim të mirë nga ana e tyre edhe e mbledhjes së të ardhurave nga taksimi i pronës. Kreu i Financave informoi krerët e bashkive se nga 1 prilli duhet ta llogarisin dhe mbledhin taksën e pronës sipas metodës së re që bazohet mbi vlerën e tregut. Ndërkohë qeveria i ka lënë hapësirë bashkive që ta ulin ose rrisin këtë taksë deri në 30 për qind nga vlera bazë. “Kemi dhënë nëpërmjet ligjit një mundësi shumë të mirë njësive vendore që të mendojnë aty ku ata duhet të lëvizin një 30 përqindësh balancë ulje apo rritje, pa cenuar unitetin ekonomik të vendit”, tha Ahmetaj. Taksa e banesave do të jetë 0.05 për qind e vlerës së pronës dhe do të mblidhet përmes faturës së dritave.