Partia në pushtet shndërron përfundimisht administratën publike në shtet të madh elektoral. Piramida e administratës shtetërore, duke filluar që nga Kryeministria, Forcat e Armatosura, ministritë, drejtoritë, Bashkia e Tiranës dhe çdo organ në varësi të pushtetit, janë përfshirë si asnjëherë më parë në fushatën elektorale, me shpresë për të shpëtuar Sali Berishën dhe veten para disfatës së pashmangshme në zgjedhjet e 23 Qershorit. Edhe në këtë fushatë elektorale, Sali Berisha ka konfirmuar njësimin e partisë në pushtet me administratën publike. Shtabet elektorale të pushtetit janë administrata dhe administrata është një shtab elektoral. Selia blu ka mbetur një godinë e boshatisur. Mjafton një fakt i thjeshtë, lehtësisht i verifikueshëm dhe i konstatueshëm, për të dëshmuar se si Sali Berisha e përdor mizorisht administratën shtetërore në funksion të riciklimit në pushtet. Aktivitetet elektorale të ministrave të Berishës, pasqyrohen nga zyrat e shtypit të ministrive përkatëse dhe nga zëdhënëset e ministrave. Si mos të mjaftonte përdorimi i Ushtrisë dhe i aseteve të Forcave të Armatosura, përdorimi i mësuesve dhe nxënësve, i Policisë së Shtetit, i makinave zyrtare, i mjeteve të shtetit, i pasurive dhe i aseteve publike, Sali Berisha shndërron ministritë dhe Kryeministrinë në shtabe elektorale. Më konkretisht, të gjitha aktivitetet elektorale të Ministrit të Drejtësisë, pasqyrohen çdo ditë nga zyra për marrëdhëniet me publikun në Ministrinë e Drejtësisë. Më konkretisht, zëdhënësja e Halimit, Migena Demirxhi, kryen rolin e shtabit elektoral të Halimit. “Durrës- 04.06.2013. Halimi: Berisha do ulë taksat për makineritë bujqësore. Problemi i pronës do të zgjidhet në vitin e parë të mandatit të tretë të Partisë Demokratike me dhënien e tapive të pakontestueshme në regjistrin elektronik të pronës. Ministri i drejtësisë dhe kandidati i Partisë Demokratike për deputet Eduard Halimi ka qenë në fshatrat Qerekë e Bubq, respektivisht në Komunën e Niklës dhe Komunën e Bubqit. Para banorëve të këtyre zonave ai prezantoi edhe kandidatin demokrat të zonës së Fushë-Krujës, Vullnet Topalli, duke e cilësuar atë një zgjedhje të shkëlqyer të Partisë Demokratike për të përfaqësuar denjësisht banorët e zonës”, thuhet në njoftimin e fundit të dërguar nga Migena Demirxhi.
Imami, Pollo dhe Basha
Ministrat e Berishës, bashkë me stafet e tyre, kanë braktisur prej muajsh detyrën dhe janë angazhuar në fushatë. Ministria e Inovacionit dhe Ministria e Mbrojtjes, bashkë me drejtoritë dhe zyrat e shtypit, janë shndërruar në degë të Partisë Demokratike. Të gjitha aktivitetet elektorale të ministrave Pollo dhe Imami përgatiten dhe pasqyrohen nga zyrat e shtypit të ministrive. Ndërkaq, Bashkia e Tiranës është shndërruar në një shtab i madh elektoral në funksion të Lulzim Bashës. Po ashtu, zyra e Kuvendit, është vënë në shërbim të fushatës së Jozefina Topallit.
Mashtrimi i Berishës
Në prag të nisjes zyrtarisht të fushatës elektorale, kryeministri Berisha urdhëroi ndalimin e përdorimit të automjeteve publike, duke nisur nga vetë ai e deri te punonjësi më i thjeshtë i administratës. “Ora e fushatës zyrtare elektorale po afron. Unë e kuptoj se ai prapë do të deklarojë se po udhëton me helikopter, por unë prapë do të marr vendimin e prerë se kryeministri dhe asnjë ministër, por edhe asnjë qeveritar vendor apo zyrtar i administratës nuk do të
përdorë dot mjetet publike për fushatë elektorale”, ka deklaruar Berisha.
Masakrimi i administratës
Nepotizmi, shkarkimet politike dhe mungesa e profesionalizimit në administratë mbetet kryefjala e çdo raporti ndërkombëtar për Shqipërinë. Spastrimet politike të programuara nga partia në pushtet, përveçse dhunimit të ligjit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut, i kanë shkaktuar një kosto rrënuese buxhetit të shtetit. Po ashtu, pjesa më e madhe e punonjësve të larguar për arsye politike, e kanë paditur administratën në gjykatë, ku 83 për qind e tyre e kanë fituar gjyqin. Gjykatat e vendit kanë rrëzuar qeverinë dhe institucionet në varësi të saj në 80 për qind të rasteve të largimeve arbitrare nga puna. Zbatimi i vendimit të gjykatës sjell një kosto tjetër të madhe financiare, pasi shteti duhet të paguajë dy individë për një vend pune. Institucioni duhet të paguajnë për të njëjtën punë edhe militantin edhe të larguarin nga puna për arsye politike. Kështu sipas vendimeve të gjykatave, janë rreth 25 mijë të larguar nga puna që kanë fituar gjyqin dhe që janë paguar nga buxheti i shtetit. Sipas një përllogaritje të thjeshtë, kostoja është rreth 125 milionë dollar.
Spastrimet, kryefjala e raporteve të BE
Spastrimet politike në administratë kanë qenë kryefjala e çdo raporti ndërkombëtar për Shqipërinë. Reformimi i administratës publike është gjithashtu edhe një ndër 12 kushtet për integrimin në Bashkimin Evropian. Po ashtu, Transparency International ka publikuar një studim të fundit në lidhje me korrupsionin në Shqipëri. Sipas raportit, rekrutimi i punonjësve civilë nuk bëhet në bazë të meritave. Ajo çka është më e rëndë në raport është se sipas të dhënave, shqiptarët nuk aplikojnë më për vende pune në administratë, duke e ditur se kush i fiton. “Ka pasur një rënie të atyre që aplikojnë për vende punë në administratë,” thuhet në raport. Një problem tjetër që nxit korrupsionin, sipas raportit janë edhe pagat e ulëta në administratë. “Punonjësit e administratës publike paguhen më pak se pagat e tregut”, thekson raporti. Që në fillim në raport thuhet se zyrtarët e lartë deklarojnë pasurinë, por trupi përgjegjës për verifikimin e hetimin e tyre nuk ka kapacitetet e duhura për ta bërë këtë gjë. Adriatik Doçi