PDIU është ndalur sot në Lezhë, ku kryetari Shpëtim Idrizi, ka prezantuar kandidaten për deputete në këtë qark, gazetaren Aida Shtino. Në fjalën e tij, Idrizi vlerësoi kontributin që ka dhënë Shtino si gazetare dhe garantoi përpara mbështetësve të qarkut të Lezhës, se angazhimi i saj do të vijoje të jetë maksimal edhe në Parlamentin e Shqipërisë.
“Ajo është gazetarja që kultivon shpresën. Shikojeni me vëmendje, dëgjojeni në emisionet e saj. Dëgjojeni në fushatën e saj. Ajo jep shpresë. Aida bën e vetme me një grup gazetarësh të rinj një mision, një vepër që mund dhe duhet ta bënte shteti, ose shteti së bashku me organizata joqeveritare, apo me komunitetet fetare. E vetme bën diçka që duhet ta bënte shteti. Aida e zëvendëson shtetin në misionin e saj dhe punon si gazetare. Aida me zgjedhjen e saj është konfirmimi më i mirë se PDIU në skenën kombëtare është pranuar gjerësisht nga qytetarët e thjeshtë, nga intelektualët, si një parti dinjitoze, kombëtariste, liberale, ku nuk bëhesh pis, ku nuk njollosesh dhe ku vijnë me dëshirë për të kontribuar njerëz si Aida. Kështu ka ndodhur me ne në Tiranë, në Korçë, në Devoll, në Pogradec, në Korçë e gjetkë”, deklaroi Idrizi.
“Ne do ta bëjmë Lezhën etapë të detyrueshme të udhëtimeve të rinisë sonë të të gjitha viseve kombëtare. Për varrin e Skënderbeut, për kështjellën, për shumë bukuri të tjera. Ne do mbështesim idenë për një port të Shëngjinit, të projektuar për Kosovën dhe për gjithë rajonin. Jo për këtë port ekzistues, por për një port të ri. Ka studime në këtë drejtim dhe ne do të shtyjmë përpara së bashku me Aidën dhe miq të tjerë në këtë drejtim. Ne, siç e dini, jemi një parti që kemi në programin tonë komunuelthin kombëtar, njëlloj bashkimi ekonomik të gjithë viseve shqiptare. Sipas vizionit tonë, çdo pjesë e territorit ku jetojnë shqiptarët duhet të jetë në funksion të këtij zhvillimi. Shëngjini është porti më interesant për gjithë rajonin dhe sigurisht dhe më së pari për Kosovën. Ne duhet të ndihmojmë që Kosova të jetë e vetëmjaftueshme ekonomikisht. Kosova duhet të hapet. Kosova duhet të ketë dalje në det, që qarku i Lezhës të ketë një port të vetin si pikë dalëse për gjithë rajonin dhe në veçanti për Kosovën, do të thotë që gjithë qarku të ketë një rëndësi që kapërcen Lezhën. Që këtu të ketë turizëm të lidhur me jahtet, të ketë industri peshkimi, të ketë më shumë punësim”, tha Idrizi.
Kandidatja për deputete e PDIU në Qarkun e Lezhës, e cilësoi një prej sfidave më të vështira përfshirjen e saj në politikë. “A e dini sa e vështirë është për mua t’i futem politikës, sepse unë nuk jam politikane, por jam gazetare dhe për mua një gazetar është misionar. Pra dua t’ju them se për mua kjo është një nga sfidat më të veshtira të jetës time, por jo çdo gjë e vështirë është e pamundur për t’u realizuar. Prandaj më duhet ndihma e juaj, që këtë sfidë ta kalojmë bashkë, ashtu siç kemi kaluar sfidat për gjetjen e qindra e qindra personave të humbur. Ju ftoj që më 23 Qershor të votoni Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të votoni numrin 50, pasi PDIU është e vetmja forcë politike patriotike dhe ku në themel të saj janë problemet e shqiptarëve, kudo ku Zoti i ka vënë".