Ndërkombëtarët duket se janë bërë të gjithë bashkë kundër Presidentit të Republikës Ilir Meta. Ky i fundit ka nisur një luftë të paprecedentë ndaj ambasadorëve duke i cilësuar si palaço e hipokritë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian ditën e premte reaguan shumë ashpër ndaj presidentit Meta, ndërsa dje ka ardhur edhe një reagim nga ambasada franceze. Në një intervistë televizive, ambasadorja e Francës në Shqipëri, Kristina Vazak, reagoi ashër ndaj presidentit Meta. Me një elokuencë të lartë, ajo ja përplasi në sy kreut të shtetit deklaratat, duke kërkuar që të jetë serioz, ndërsa i cilësoi të trishta deklaratat për rrëmbime armësh. Po ashtu goditje të fortë i dha dhe për Kushtetuesen. Ashtu si SHBA-BE, edhe Vazak kërkoi që të dëgjohet Venecia. “Komisioni i Venecias ka ardhur disa herë në Shqipëri. Pra nuk do të kishte asgjë të jashtëzakonshme që të vijë edhe njëherë tjetër. Por, është organ konsultues. Dhe një organ konsultues punon me etapa. Është ai që përcakton mënyrën si do të punojë, që vlerëson situatën, që shkokoleps çështjen. Ka pasur rrjedhje të organizuara, nuk e di prej kujt, nuk di pse dhe si dhe preferoj të mos e di, por nuk ka asgjë të jashtëzakonshme që t’i kërkohet mendim Komisionit të Venecias”, tha Vazak. Por, nuk mungoi komenti i saj ndaj “luftës” mes Metës dhe ndërkombëtarëve. Ajo ja bëri të qartë Metës se asnjë nga ata ambasadorë për të cilët ai pretendon nuk janë mes vendeve të atashuar te ne. Po ashtu sa i takon akuzave për lidhje të diplomatëve me krimin, u shpreh se duhet më shumë seriozitet. “Ka një ngarkesë kundër diplomatëve. Por diplomatët kanë një rol që nuk mund të neglizhohet. Nuk jam as unë as ndonjë tjetër që mund të thotë të kundërtën. Por ama ky rol as nuk duhet ekzagjeruar. Diplomatët nuk janë këtu për të zëvendësuar autoritetet kompetente. Unë mendoj që ka pasur një ngutje kur janë përdorur ato fjalë. Nuk e dija kuptimin në shqip të fjalës vagabond, në kuptimin e gangsterit, por unë nuk njoh personalisht në komunitetin diplomatik këtu në Tiranë asnjë grua apo burrë diplomat sadopak vagabond. Sinqerisht. Sa i takon krahasimit me banda apo grupe kriminale, çfarë është kjo? Të jemi seriozë! Unë kam tendencë t’i marr gjërat më ironi ndonjëherë, por këtu le të bëhemi seriozë”, tha ambasadorja Vazak.
Reagon Meta dhe sulmon ambasadorët
Deklarata e ambasadores franceze duket se i ka rënë si bombë Ilir Metës, pasi ka reaguar menjëherë. Presidenti po e kupton se po izolohet nga dita në ditë, pasi rrethi armiqve po shtohet. Fillimisht ishte Palmer, më pas ambasada e SHBA, po ashtu reagoi ambasada e BE, zëdhënësja e KE dhe dje ambasadorja franceze. Të gjitha shtetet partnere i janë kundërvënë presidentit dhe për këtë arsye ai ka nxjerrë dje sërish zëdhënësin Tedi Blushi për të sulmuar ambasadorët, duke ju kundërpërgjigjur ambasadores Vazak. “Presidenti Meta nuk ndalon asnjë ambasador të bëhet qesharak dhe karagjoz duke hyrë në debate juridike që nuk ekzistojnë, pasi Kushtetuta dhe ligji për Gjykatën Kushtetuese e kanë të shkruar qartë dhe prerë se Presidenti s’mund të bëjë dy emërime të menjëhershme në Gjykatën Kushtetuese. Por Presidenti nuk i ndalon ata t’i drejtohen vetë Komisionit të Venecias e ta pyesin: Kush është me e rëndësishme, Kushtetuta e Shqipërisë apo Dvorani i Partisë? Ndërsa Presidenti ka një pyetje për këta dhunues të çdo norme diplomatike dhe Konvente: A i keni marrë leje kryetarit të shtetit tuaj kur hyni në lojërat e grupit të strukturuar diplomatik për të diskutuar dekretet e kryetarit të një shteti që e ka shpallur Pavarësinë që në vitin 1912”, ka deklaruar Blushi, duke treguar dhe një herë situatën e vështirë ku ndodhet presidenti.
Ornela Çelpica