Është rrëzuar në Gjykatën e Apelit kërkesa e të pandehurit Jetmir Olldashi për përjashtimin e gjyqtares Iliba Bezati. Mësohet se trupa gjykyese që do të shqyrtojë kërkesën e Olldashit dhe deputetit Ervin Salianji të dënuar për çështjen “Babale” do të përbëhet përfundimisht nga Iliba Bezati, Elona Toro, dhe Genti Shala, Sipas Gjykatës së Tiranës, Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi kanë inskenuar një audio-përgjim dhe akuza të rreme ndaj vëllait të Fatmir Xhafës, ish-ministër I brendshëm.
Njoftimi:
Në vijim të informacioneve, mbi çështjen penale me të pandehur Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Kallëzim i rremë“ kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 305 dhe 25 të Kodit Penal, me viktimë/kallëzues të veprës penale, shtetasin Geron (Agron) Xhafaj, ju informojmë si më poshtë:
Në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, sot më datë 13.04.2023, ora 13:05, u shqyrtua në Dhomë Këshillimi, kërkesa me objekt: “Përjashtimin e anëtares së trupit gjykues, gjyqtare Iliba Bezati”, bërë nga mbrojtësi i të pandehurit Jetmir Olldashi, av. Indrit Sefa.
Në përfundim të shqyrtimit, në Dhomë Këshillimi, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Brikena Ukperaj, vendosi:
-Rrëzimin e kërkesës së të pandehurit Jetmir Olldashi për përjashtimin e gjyqtares Iliba Bezati.
-Një kopje e këtij vendimi t’i njoftohet gjyqtares Iliba Bezati, trupit gjykues që po shqyrton çështjen, si dhe palëve ndërgjyqëse.