Arbër Paplekaj dënohet me 7 vite për vrasjen Pjerin Xhuvani, a do ta hetojë Prokuroria Gazment Bardhin si drejtues i strukturës për Mbrojtjen e Votës nga PD, ja roli i “ushtarit” të Berishës në ekzekutimin që tronditi Elbasanin
Gjykata e Apelit te Juridiksionit të Përgjithshëm dënoi dje me 7 vite burg Arbër Paplekaj, ish-efektivi i RENEA-s i arrestuar për vrasjen e biznesmenit Pjerin Xhuvani, 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 në qytetin e Elbasanit. Me vendimin e djeshëm trupa e gjykuese e përbërë nga Fadri Islamaj, Enida Petri dhe Marsela Pepi ndryshoi vendimin e Gjykatës së Elbasanit, e cila më 22 korrik 2023, e dënoi me 22 vite burg, duke u ulur 15 vite nga dënimi. Gjykata e Apelit ndryshoi akuzën nga ‘vrasje në rrethana cilësuese’ në ‘vrasje në kushtet e tronditjes psikike”. Po kështu Apeli ka dhënë pafajësi për 6 efektivët e Shqiponjave Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu. Për ta gjykata e Elbasanit kishte dhënë dënimin me 16 muaj shërbim prove. Të pafajshëm janë shpallur edhe dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla për të cilët Gjykata e Elbasanit kishte dhënë nga 1 vit shërbim prove për secilin. Por ky vendim është një kambanë alarmi për deputetin Gazment Bardhi. Ky i fundit në vitin 2021 ishte drejtues i Strukturës së Mbrojtjes së Votës së ngritur nga PD. Ndërkohë Arbër Paplekaj përveçse ishte pjesë e saj, ishte dhe shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi. Kështu që nëse Prokuroria heton si duhet këtë ngjarje, “ushtari” i Sali Berishës, Gazment Bardhi rrezikon të merret në hetim, pasi ishte drejtues i strukturës që shkaktoi edhe vrasjen në Elbasan në vitin 2021.
Vendimi
“Në përfundim të gjykimit, sot më datë 01.07.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Marsela Pepi dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe z. Fatri Islamaj, vendosi:
- Ndryshimin e vendimit nr. 347, datë 12.07.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Arbër Paplekaj për veprën penale “Vrasje e kryer ne kushtet e tronditjes se forte psikike”, të parashikuar nga neni 82 i Kodit Penal, në dëm të viktimës nga vepra penale P. Xh dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.
- Deklarimin e pafajshëm të të pandehurve, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Deklarata e rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 248 dhe 305/b të Kodit Penal.
- Prishjen e vendimit nr. 347, datë 12.07.2023 të Gjykatës së Shkalles së Pare të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe pushimin e çështjes vetem për të pandehurin Erion Balla, për shkak përjashtimi nga ndjekja penale në zbatim të ligjit nr. 33/2024 “Për dhënie amnistie”‘ thuhet në vendimin e gjykatës.
Si ndodhi vrasja e Pjerin Xhuvanit?
Kujtojmë se ngjarja e bujshme në Elbasan ndodhi 4 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021, ku u vra Pjerin Xhuvani, një eksponent i fuqishëm lokal i lidhur me Partinë Socialiste, i cili ishte i përfshirë direkt në fushatën e PS në këtë qytet. Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan, pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota (punonjëse e policisë). Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota. Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një grupi të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend. Përplasja me armë ndodhi për shkak të zgjedhjeve. Struktura e Mbrojtjes së votës e ngritur nga PD pretendonte se makina e shtabit të PS-së është kapur duke shpërndarë para në këmbim të votës. Pas konstatimit të makinës, është thirrur edhe policia. Në vendin e ngjarjes mbërriti më pas nëndrejtori i Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe disa efektivë të Shqiponjave. Pas mbërritjes së policisë, në vendngjarje erdhi edhe një automjet me simpatizantë të PS-së. Në këtë moment ka nisur edhe shkëmbimi i zjarrit mes palëve. Pak minuta pas ngjarjes u vetëdorëzua në polici ish-efektivi i RENEA-s Arbër Paplekaj, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj Xhuvanit gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ky i fundit ka thënë vazhdimisht se ka qëlluar për vetëmbrojtje.