Avokati Besart Logo ishte i ftuar në një emision televiziv ku foli në lidhje me kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për arrestimin e ish-zv. kryeministrit Arben Ahmetaj.
Logu tha se largimi i Arben Ahmetaj rëndon pozitën e tij penale përballë ligjit. Ai shtoi se refuzimi i përballjes me drejtësinë do të të reflektojë në dënimin përfundimtar, i cili do të jetë më i lartë.
“Largimi i zotit Ahmetaj përkon me të njëjtën datë dhe ditë, 7 korrik, kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e tij.
Po t’i referohemi regullores së Kuvendit, në momentin që dorëzohet kërkesa në Kryesinë e Kuvendit që sjell dhe mbledhje e Këshillit të Mandateve, një kopje e kërkesës dhe provave i çohet deputetit në fjalë, që t’i jepet mundësia e mbrojtjes. Ta largojmë dhe këtë pjesën e dekonspirimit që doli nga SPAk, mos ta bëjmë pis SPAK-un dhe të jemi sa më objektivë.
Zgjedhja për të ikur mund të jetë bërë duke u konsultuar dhe me avokatët. Largimi nuk i shërben pozitave të tij penale. Nëse Ahmetaj do të vijojë të qëndrojë jashtë Republikës së Shqipërisë, në dhënien e vendimit përfundimtar është një masë rënduese që do të reflektojë në dënimin përfundimtar që do t’i jepet”, tha Logu.