Arrestimi i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe lidhjet e kryeministrit Edi Rama me ish-spiunin rumun, Florian Coldea kanë ndezur dje debate të forta në Kuvendin e Shqipërisë, teksa deputetë të opozitës janë përplasur me ata të mazhorancës socialiste dhe ndërkohë kanë hedhur akuza të forta ndaj njëri-tjetrit. Konkretisht Kuvendi rrëzoi me votë kërkesën për interpelancë të kërkuar nga kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi lidhur me emërimin e këshilltarit të jashtëm Florian Coldea, i cili sipas medias rumune, akuzohet se është ish-agjent sekret rumun dhe i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla në kthim përgjigjen e Bardhit shkruante se kërkesa për interpelancë ishte bërë për provokim, nuk ishte në përputhje me rregulloren dhe se nuk do të pranohej. Në fjalën e tij 10 minuta në foltore Bardhi tha se Rama ka frikë të japë llogari.
Debatet
Lindita Nikolla: Ju njoftoj se në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar kërkesa me nr.2535 protokolluar datë 27.6.2024 e kryetarit të grupit parlamentar të PD për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama. Kërkesa për interpelancë lidhet me dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve për marrëdhënien e kryeministrit dhe këshilltarin e tij të jashtëm Florian Coldea si dhe veprimtarinë këshillimore që ai ka kryer për kryeministrin e Shqipërisë. Në shkresën nr protokoll 2535 fraksion 1 datë 3.7. 2024 drejtuar zotit Bardhi kam argumentuar mospranimin e kërkesës për interpelancë pasi kjo nuk është përputhje me parashikimet e rregullores së Kuvendit. Theksoj se bazuar në paragrafin e parë në rregulloren e kuvendit përmes kërkesës për interpelancë me kryeministrin kërkohet të merren shpjegime për motive, synime, qëndrime të këshillave të ministrave ose lidhur me aspekte të rëndësishme të veprimtarisë së tyre. Si rrjedhojë e këtij parashikimi nëse kërkesa për interpelancë nuk kërkohen të merren shpjegime për motive, synime, qëndrime të këshillave të ministrave ose lidhur me aspekte të rëndësishme të veprimtarisë së tyre kërkesa për interpelancë nuk pranohet. Ky nen jo pa qëllim ka kufizuar realizimin e interpelancës, pasi synimi i saj është realizimi është një debati politik i cili është brenda rolit kushtetues, monitorius të Kuvendit.
Gazment Bardhi: Kryeministri është i detyruar ti përgjigjet kërkesave për interpelancë. Rama ka frikë të japë llogari për lidhjet e tij me krimin e organizuar e aferat ku vetë përfshihet nga dita e parë që është emëruar kryeministër i Shqipërisë. Kërkuam interpelancë se ka prova se kryeministri ka emëruar si këshilltar të jashtëm një ish-agjent sekret rumun, Florian Coldea. Më ka shkruar se është për veprimtari private. Duam të dimë çfarë e ka këshilluar përse I ka marrë lekët, apo si McGonigal për të sulmuar opozitën. Ju lutem na e thuaj përse e ka këshilluar Coldea Ramën? Ka marrë 7 mijë euro çdo muaj nga taksat e qytetarëve shqiptarë e ti thua është çështje private. Na thuaj pse i ka marrë lekët që përveç ish agjent i shërbimeve sekrete dyshohet të jetë përfshirë në një linjë të trafikut ndërkombëtar droge Meksikë- Shqipëri-Rumani.
Bledi Çuçi:
Nga ana e tij kreu i grupit Partisë Socialiste, Bledi Çuçi në përgjigje të akuzave të Partisë Demorkatike theksoi se Coldea nuk ishte më këshilltar i Ramës, ndërkohë deputetët e PD-së thonë se Rama po injoron kërkesat e opozitës. “Personi për të cilin kryetari i grupit kërkoi interpelancë është një ish-zyrtar i lartë i shërbimeve inteligjente, me gradën gjeneral që ka udhëhequr procese që lidhen me luftën kundër korrupsionit. Kryeministri shqiptar e ka marrë në këtë pozicion kur nuk ishte më në atë detyrë. Në momentin që kryeministri e ka marrë vesh këtë gjë, e ka larguar. Nëse akuzohet në vendin e tij, kjo është çështje e tij”, deklaroi Çuçi. Ndërkohë në një moment pati debat mes Bardhit në foltore dhe Braçes në karrigen e tij që kaloi dhe në përdorimin e një gjuhe ofenduese ndaj njëri tjetrit. Deputetët e PD-së dolën në foltore për të kundërshtuar vendimin për të rrëzuar kërkesën e Bardhit. Kjo detyroi Nikollën të ndërpresë për 5 minuta seancën.
Abuzimi me fondet e BE përplas deputetët
Më tej seanca e Kuvendit vijoi me debate, ku deputetët janë përplasur lidhur me abuzimet e fondeve të BE, ku për këtë dje u arrestua edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Jorida Tabaku: Jeni bërë mbrojtës ekzemplarë të korrupsionit. Nuk është rasti i parë i abuzimit me fondet e BE-së (referuar Rastit Beqaj).
Elisa Spiropali: Trupi në ballkon, shpirti në Kuvend. Të njëjtat pretendime të tij edhe nga zonja parafolese (Tabaku). Cilin turp po na tregoni? Dilni në mbrojtje të tij, në sfidë të hapur ndaj prokurorive dhe gjykata. Na flasin për shëndetësinë këta që shëndetësinë e kishin tortë për ta ndarë.
Asllan Dogjani: Mos krahaso shëndetësinë, keni 12 vite në pushtet.
Ermonela Felaj: Do ju tërheq të drejtën e fjalës.
Dogjani-Felajt: Mos më çaj kokën, s’më heq dot ti mua të drejtën e fjalës, (i afrohet tek foltorja).
Spiropali- Tabakut: Komisioni antikorrupsion është një instrument që parlamenti ka të drejtë ta përdorë. Ju kemi bërë thirrje të vazhdueshme të jeni aty. Sa i takon raportit tonë me BE mos kini asnjë merak. Shqipëria është aleati më i besueshëm në rajon. Abuzimi me fondet nuk zgjidhet nga foltorja e kuvendit e zgjidh drejtësia. Ne drejtësinë ia kemi kthyer publikut, ju e kishit pronë tuajën, të atij që është mbyllur në shtëpi sot.