Gjatë një takimi me përfaquësues në degën 6 në kryeqytet, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ndal dhe te arrestimi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Basha në fjalën e tij theksoi se prezenca e ish-ministrit në qeli është vërtetësi e betejës së Partisë Demokratike kundër kanabizimit me urdhër politik të vendit.
Sipas kryedemokratit nuk ka qytetar shqiptar që mund ta besojë se Saimir Tahiri do të mund ta kanabizonte vendin pa bekimin dhe dijeninë e kryeministrit Rama.
“Ne këtu jemi një grupim vlerash, ne jemi këtu një grupim besimesh, ne jemi këtu një grupim idealesh, ne jemi këtu një grupim parimesh që quhet Partia Demokratike e Shqipërisë. Nuk ka dy, ka vetëm një Parti Demokratike të Shqipërisë. Është ajo Parti Demokratike që nuk reshti së denoncuari prej ditës së parë aferat e Saimir Tahirit si ministër i Brendshëm. Njeriut që nga njëra anë shtypte dhe përdhoste kundër ligjit të drejtat e të gjithë shqiptarëve, e në veçanti të demokratëve në Kombinat, në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë dhe nga ana tjetër ishte në krye të operacionit të kanabizimit të vendit, një proces që ne e kemi denoncuar prej ditës së parë dhe që i ka sjell të zeza dhe vetëm fatkeqësi vendit dhe familjeve shqiptare dhe prindërve shqiptarë të qindra mijëra bijve të tyre këtu dhe jashtë vendit. E pra, sot jemi bashkë këtu, ndërkohë që Sajmir Tahiri është dënuar dhe ndodhet në qeli. Që vërteton drejtësinë e betejës tonë, drejtësinë e kauzave tona.
Të njëjtën gjë kemi bërë me inceneratorët, djegësit , që ta përkthejmë shqip, djegësit. Dy ekzistues, Elbasani dhe Fieri, ekzistues në kuptimin që kanë karabinanë, dhe një që as nuk duket fare këtu në Tiranë, që në fakt çfarë djegin? Djegin paratë e shqiptarëve! 430 milionë euro aferë, kemi 5 vite e kusur që e denoncojmë, ditë për ditë, nganjëherë javë me rresht, në konferenca live për shtyp, sepse e dinim që kur vinte ora e lajmeve, do i fusnin gërshërët dhe do ta censuronin.
Kush prej jush këtu beson se Saimir Tahiri mund ta kanabizonte Shqipërinë, pa bekimin, pa dijeninë, pa ndihmën dhe pa përfitimin e Edi Ramës? A ka shqiptar që e beson?”, tha Basha.