Avokati i njohur, Arben Llagnozi ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe goditjet e Prokurorisë së Posaçme ndaj të korruptuarve. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Z.Llagnozi ka nxjerrë disa detaje të bujshme nga dy dosjet që po heton SPAK. Sipas tij, në aferën “McGonigal”, Rama ka vepruar në shkelje të ligjit për arsye se ka favorizuar ish-agjentin e FBI duke i dhënë një pronë të shtetit shqiptar në Patos. Llagnozi thotë se Rama i ka dhënë një koncesion McGonigal në këmbim të goditjeve në SPAK. Nga ana tjetër ai zbulon se kryeministri ka kryer një aferë korruptive duke i kaluar një koncesion prej 20 milion euro McGonigal-it. Po ashtu Llangozi ka bërë dhe një deklaratë “bombë” për përgjimet e “SKY”. Sipas informacioneve që ai disponon, në përgjimet me kriminelë ka dalë dhe Edi Rama.
-Zoti Llangozi, duhet të mbajë përgjegjësi vetë kryeministri Edi Rama pasi shumë bashkëpunëtorë të tij, janë arrestuar apo janë nën hetim për korrupsion? A duhet të dorëhiqet?
Patjetër që kryeministri Rama, e kam thënë dhe e them që është po aq fajtor sa zoti Berisha. Nëse z. Berisha e ka vepruar vazhdimisht në shkelje të ligjit përballë firmave private, zoti Rama ka nxjerrë 16 VKM brenda një dite duke favorizuar aferën e inceneratorëve. Kemi çdo ditë vjedhje nga institucionet shtetërore, kemi 100 raste të cilat janë të provuara tashmë që SPAK i ka çuar para drejtësisë. Padyshim që çfarëdo lloj proteste i cënon në detyrë. Këtë është e tmerrshme që në këtë vend vjedh dhe kryeministri.
-Sa të rëndësishëm e shikoni betejën kundër korrupsionit? A besoni ju te SPAK?
Unë padyshim që vesoj te SPAK-u dhe mendoj që zoti Rama së shpejti do të jetë para përgjegjësisë penale për të gjitha ato veprime që ai ka kryer. Zoti Rama nuk mund të pretendojë se ka firmosur VKM-të, ai ka pa pasur për detyrë të kontrollojë të gjitha VKM-të dhe të dalë në konkluzion. Sepse në fund fare zoti Rama ka firmosur për çdo qindarkë që i është vjedhur shtetit dhe ai është përgjegjës për këtë.
-Sa shqetësues është fakti që mund të ketë një pazar mes Edi Ramës dhe grupit të Sali Berishës për rishikimin e ligjit të dekriminalizimit dhe ngushtimin e zonave dhe kompetencave të strukturave të SPAK?
Ato mund të bëjnë çfarë të duan por korrupsioni është një vepër që është në çdo vend të botës dhe nuk mund të falet lehtë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për dikriminalizimin por këtu kemi korrupsion dhe është vepër e rëndë që nuk mund të falet lehtë sepse shkeljen e ka deri në 12 vjet burg. Aktualisht duhet ndëshkuar korrupsioni, padyshim që nuk mund ta shmangim përgjegjësinë penale kryeministri në bashkëpunim me këto. Si Rama, Meta dhe Berisha janë kundër punës së SPAK-ut, të tre janë në bashkëpunim dhe duhet të përballen me drejtësinë.
-A besoni se drejtësia e re mund të arrij t’ju sekuestrojë pasuritë e tyre të vëna ndër vite në kurriz të shqiptarëve?
Nëse i referohemi faktit të zotit Berisha, ato janë të sekuestruara tashmë. Kemi të sekuestruar të gjithë pasuritë për të cilat janë konstatuar pabarazi në tendera, kemi të sekuestruar në bazën ushtarake të Limionit në Sarandë të marra nga Olta Xhaçka në mënyrë të paligjshme. Kemi një sërë pronash të cilat sekuestruar dhe hetimet do të vijojnë që t’ju kthejnë pasurinë qytetarëve të vjedhur nga politikanët. Si mundet zonja Xhaçka të vër një pasuri në zonën më të mirë në Shqipëri dhe nga ana tjetër të jetë në kushtet e një ministre. Unë dyshoj që pasuria e investuar nga Xhaçka në Dhërmi është si pasojë e korrupsionit të bërë nga ana e saj në Limion. Duhet të hetohet edhe kjo fushë sepse SPAK-u këtu ka gabuar pasi ka sekuestruar vetëm pasurinë që është vetëm toka. Unë i shoh në rrugën e duhur veprimet hetimore të SPAK-ut. Në dijeninë time në SPAK në proces janë dy hetime penale në ngarkim të kryeministrit Rama, një për dosjen McGonigal dhe tjetra për aferën e inceneratorëve.
-Për përfshirjet e zotit Rama me McGonigal, mendoni se Rama do të shohim shumë shpejtë prapa hekurave?
Kryeministri ka vepruar në shkelje të ligjit për arsye se McGonigal e ka favorizuar duke i dhënë një pronë të shtetit shqiptar dhe dihet tashmë se në Patos, kryeminstri i ka dhënë një koncesion McGonigal në këmbim të goditjeve në SPAK. Kryeministri ka kryer një aferë korruptive duke i kaluar një koncesion prej 20 milion euro McGonigal-it. Kjo aferë e bërë nga kryeministri është e dukshme dhe e faktuar e cila është duke u hetuar.
-Duke parë dhe punët e policisë sa i përket aplikacionit ‘SKY’ dhe a priten së shpejti arrestime në zyrtarëve të lartë të inkriminuar dhe në kupolën e lartë të Policisë së Shtetit?
Aplikacioni ‘SKY’ është “Kutia e Pandorës” ku janë të implikuar politikanë, zyrtar të lartë policie. Padyshim që ditët në vijim do të shikohen surpriza. Një ndër informacionet që unë kam marrë kohët e fundit është se në komunikimet e Ervis Martinajt, bashkë me grupin kriminal të ‘Bajrajve’, rezulton se diskutohej gjerë e gjatë për lidhje të kryeministrit të Shqipërisë me këto grupe kriminale. Këto janë në dosje dhe aktualisht kanë shkuar për gjykim. Prandaj ka shumë politikanë dhe policia e shtetit të implikuar në lidhje me grupet kriminale.
Intervistoi: Xhoi Vraniçi