Ekspert i së drejtës, Eduard Halimi ka shpjeguar me detaje vendimin e fundit të Gjykatës Evropiane për bisedat e “Sky/EncroChat”. Në analizën që i bën ligjit, Z. Halimi del në përfundimin se këto përgjime mund të përdoren në proceset penale. “Ka një ngazëllim të pajustifikuar në Shqipëri lidhur me hipotezën e shpërndarë në mediat vendëse se “përgjimet e EncroChat” nuk do të përdoren si prova në proceset penale në Shqipëri pas daljes së vendimit të ECJ, Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, në 30 prill 2024. Po e them që në fillim se Gjykata Evropiane e Drejtësisë, e cila ka juridiksion vetëm në vendet anëtare të BE, në asnjë rresht të vendimit te saj nuk ka thëne se bisedat e ‘Sky Encro Chat’ nuk mund të përdoren në proceset penale në vendet anëtare (aq me pak në Shqipëri që nuk jemi vend anëtar i BE). Nëpërmjet një vendimi paraprak ajo (ECJ), në Interpretim të Direktivës 2014/41 të BE ka qartësuar kushtet e përdorimit të këtyre provave siç do shpjegoj më gjatë në analizën ligjore. Ndaj gjykoj se ky ngazëllim është i pajustifikuar. Ky ngazëllim ndjehet normalisht tek ata që kanë përdorur ketë komunikim, që janë pjesë e hetimeve të SPAK apo dhe tek zyrtarët e lartë shqiptarë, të cilat siç raportojnë mediat janë të shumtë në numër. I ngazëllyer mund të jetë ndier edhe zyrtari shqiptar që ka përfituar orën 400 mijë euroshe sipas mediave belge në megaprocesin “Black Eagle”.
Pyetje dhe përgjigje lidhur me procesin
GJED ka juridiksion vetëm për vendet anëtare te BE dhe ne ende nuk jemi, por meqenëse u hap ky diskutim dhe me gjasa vendimet e saj mund te shfrytëzohen nga te akuzuarit këtu për të shkuar ne GJEDNJ (Strasburg) le të shohim me radhë nëse janë ose jo relevante për Shqipërinë. Për pyetjet e ngritura, GJED arsyetoi dhe u përgjigj si më poshtë: Për pyetjen nr. 1 “A është e nevojshme përfshirja e një gjyqtari për lëshimin e një EIO kur provat janë tashmë në shtetin ekzekutues, veçanërisht nëse ligji vendas në shtetin lëshues kërkon autorizim gjyqësor për mbledhjen e provave të ngjashme?” . Gjykata u shpreh se ndërsa lëshimi i EIO-së zakonisht përfshin autoritet gjyqësor, nëse ligji i brendshëm i shtetit lëshues lejon transmetimin e provave nga një prokuror pa miratim gjyqësor, një EIO e tillë nuk nevojitet të lëshohet nga një gjykatës. Ky konkluzion nuk implikon aspak hetimet në Shqipëri dhe nuk është relevant, ndaj nuk ka vend për ndonjë ngazëllim të sforcuar.
Detajet
Për pyetjen nr. 2 – “Mundet të lëshohet një EIO për transmetimin e të dhënave të marra përmes masave të përgjimit, pa prova konkrete të veprimeve serioze kriminale, dhe ku padhunueshmëria e të dhënave nuk mund të verifikohet, përputhet me Nenin 6(1)(a) të Direktivës 2014/41?” Gjykata konfirmoi se lëshimi i EIO-së për transmetimin e të dhënave të përgjuara nuk është i ndaluar sipas Nenit 6(1)(a) të Direktivës 2014/41, edhe në mungesë të provave për veprime të rëndë kriminale për sa kohë do të garantohet e drejta për një gjykim të drejtë në procedurat e mëtejshme. Edhe kjo përgjigje sërish nuk krijon probleme për hetimet në Shqipëri, megjithatë ajo që duhet thënë është se nuk mund të akuzohet dhe dënohet një person vetëm se ka përdorur një pajisje të tillë dhe as nëse verifikohet se ai ka shkruar ose jo mesazhe me një tekst të caktuar. Është e domosdoshme që për provueshmërinë e akuzës duhet të ekzistojnë provat që lidhin përmbajtjen me realitetin.
Për pyetjen nr. 3 – “A është një EIO në përputhje me Nenin 6(1)(b) të Direktivës 2014/ 41, kur për transmetimin e të dhënave të telekomunikacioneve, janë marrë përmes masave të përgjimit të ndaluara nën ligjin e shtetit lëshues? Konkluzion: Ligjshmëria e EIO, për transmetimin e provave, duhet të përputhet me të njëjtat kushte që aplikohen në rastet e ngjashme kombëtare. Për Shqipërinë duke qenë se nuk jemi pjesë e BE dhe nuk aplikojmë Direktivën më sipër, komunikimi bazohet në Marrëveshjet për bashkëpunimin gjyqësor mes vendeve respektive, gjë e cila është relevante për Francën, Belgjikën apo Gjermaninë.
Mbledhja e të dhënave
Për pyetjet nr. 4(a) dhe nr. 4(b) – “A paraqet një masë që përfshin infiltrimin e pajisjeve terminale për qëllim të mbledhjes së të dhënave të trafikut, vendndodhjes dhe komunikimit të një shërbimi të komunikimit në internet në kuptimin e Nenit 31 të Direktivës 2014/41? Cili është autoriteti kompetent që duhet të adresohet njoftimi nën Nenin 31(1) i Direktivës 2014/41?”. Gjykata konkludoi se infiltrimi i pajisjeve terminale për të mbledhur të dhëna të komunikimit të internetit përfshihet si “përgjim (interceptim) i telekomunikacionit” parashikuar në Nenin 31 të Direktivës 2014/41. Nëse Shteti Anëtar përgjues është i pasigurt për autoritetin kompetent të Shtetit Anëtar të njoftuar, ai mund të dorëzojë njoftimin çdo autoriteti që e konsideron të përshtatshëm. Kjo siguron përputhjen me direktivën dhe lehtëson komunikimin efektiv mes Shteteve Anëtare në çështjet e përgjimit.
Mbrojtja
Për pyetjen nr. 4(c) – “A shtrihet mbrojtja e ofruar nga Neni 31 i Direktivës 2014/41 për përdoruesit individualë të telekomunikacionit deri te përdorimi i të dhënave për ndjekjen penale në Shtetin e njoftuar, dhe në qoftë se po, a është kjo mbrojtje e vlerësuar në mënyrë të barabartë si mbrojtja e sovranitetit të Shtetit të njoftuar? Pyetja 4(c) kërkon të sqarojë nëse Neni 31 i Direktivës 2014/41 synon të mbrojë të drejtat e individëve të prekur nga masat e përgjimit të telekomunikacionit dhe nëse kjo mbrojtje shtrihet në përdorimin e të dhënave të mbledhura në ndjekje penale të nisura në Shtetin Anëtar të njoftuar. Gjykata shpjegon se Neni 31, i cili parashikon përgjimet që nuk kërkojnë ndihmë teknike nga Shteti Anëtar ku ndodh përgjimi, nuk bie nën rrezen e urdhrave evropianë të hetimit. Në vend të kësaj, ai fuqizon autoritetin kompetent të Shtetit Anëtar të njoftuar për të ndërhyrë nëse përgjimi nuk do të autorizohej brenda vendit. Gjithashtu, Neni 31 synon të garantojë sovranitetin e Shtetit Anëtar të njoftuar dhe të sigurojë një nivel të garantimit të mbrojtjes së të drejtave të individëve, duke përfshirë të drejtën për privatësi dhe komunikim. Prandaj, është vendosur se Neni 31 i Direktivës 2014/41 në të vërtetë synon të mbrojë të drejtat e individëve të prekur nga masat e përgjimit të telekomunikacionit, duke përfshirë përdorimin e të dhënave të mbledhura në procedurat penale brenda Shtetit Anëtar të njoftuar. Konkluzion: Gjykata konfirmon se Neni 31 i Direktivës 2014/41 synon të mbrojë të drejtat e individëve në masat e përgjimit të telekomunikacionit, duke përfshirë përdorimin e të dhënave për ndjekje penale në Shtetin Anëtar të njoftuar. Në rastin e Shqipërisë përgjimi ka ndodhur pas një vendimi të gjyqtarit të Gjykatës së Lile (France) ndaj e vështire të kontestohet niveli i garantimit të të drejtave të njeriut tek ky vendim nga një gjykatë shqiptare.
Pasojat ligjore
Për pyetjen nr. 5- “Cilat janë pasojat ligjore të marrjes së provave kundër ligjit të BE-së përmes një EIO, veçanërisht në lidhje me ndalimin e përdorimit të këtyre provave dhe ndikimin e tyre në proceset penale?” Pyetja 5 konsideron nëse gjykatat penale kombëtare duhet të përjashtojnë informacionin dhe provat e fituara në shkelje të parimeve të ligjit të BE-së për efektivitetin. Gjykata u shpreh se nën ligjin aktual të BE-së, sistemet ligjore kombëtare përcaktojnë kryesisht pranueshmërinë dhe vlerësimin e kësaj lloj prove. Megjithatë, Neni 14(7) i Direktivës 2014/41 kërkon nga Shtetet Anëtare të garantojë të drejtat e mbrojtjes dhe rregullsinë në procedurat penale kur vlerësojnë prova të fituara përmes urdhrave evropianë të hetimit, duke detyruar përjashtimin e provave nëse një palë nuk mund të përgjigjet efektivisht mbi to dhe nëse ato kanë një ndikim të rëndësishëm në gjetjet faktike. Ky përfundim nënvizon rëndësinë e të drejtave që i garantohet të pandehurit për një gjykim të drejtë dhe një mbrojtje efektive në kontekstin e provave të marra përmes EIO, siç sanksionohet nga legjislacioni i BE-së. Konkluzion: Gjykatat penale kombëtare nuk duhet t’i administrojnë ato prova ku personi i interesuar nuk mund të shprehet mbi to dhe nëse provat kanë një ndikim të rëndësishëm në gjetjet faktike. Pyetja e peste është ndoshta më e rëndësishme dhe ka krijuar një konfuzitet tek gazetarët ndoshta, ndaj sqarimi i plote i saj është po aq i rëndësishëm. E para do duhet të vërtetohet se provat janë marrë kundër ligjit të BE, dhe pastaj këto prova duhet ti jepen diskrecion i plotë të akuzuarve për t’u shprehur. Kjo përgjigje e Gjykatës nuk është ndalim për përdorimin e provave por kusht për gjykatat vendase (të vendeve anëtare) që të ndjekin këtë procedurë që provat e transmetuara ndërmjet vendeve të jenë të përdorshme.
Përfundimet
Në përfundim, ky vendim është pse i një gjykate e cila që ka juridiksion vetëm mbi vendet anëtare të BE, në asnjë rresht të vendimit të saj nuk ka thënë se bisedat e ‘Sky EncroChat’ nuk mund të përdoren në proceset penale në vendet anëtare Nëpërmjet një vendimi paraprak ajo(ECJ), ne Interpretim te Direktivës 2014/41të BE ka qartësuar kushtet e përdorimit të këtyre provave. Por ky vendim i vendos në sfide organet ligjzbatuese në Shqipëri sepse ato duhet jo vetëm të garantojnë të drejtat e të pandehurve në proceset gjyqësore, por dhe duhet të lidhin interceptimet me faktet dhe grupfaktet konkrete të ndodhura ose jo në Shqipëri, pasi vetëm me tekstet e mesazheve vështire se mund të bindin gjyqtarët këtu apo në GJENDJ për të vërtetuar akuzat. E megjithatë unë ngelem i mendimit se ky operacion fantastik i autoriteteve franceze dhe holandeze ngelet operacioni më interesantë në historinë e hetimit të krimit të organizuar në këto 20 vitet e fundit”, përfundo analizën ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi.