Pavarësisht shkresës së Gazment Bardhit, që u pa si vendim për të futur zyrtarisht në grupin parlamentar të PD Sali Berishën, ish kryeministri ngelet sërish jashtë grupit demokrat të ligjvënësve. Kuvendi ka reflektuar vendimin e Bardhit, duke kthyer të gjithë të përjashtuarit në grupin parlamentar të PD, sikurse tregohet në faqen zyrtare, por jo Sali Berishën që zyrtarisht figuron deputet i pavarur.
Vetë Bardhi la të paqartë nëse kishte kërkuar edhe përfshirjen e Sali Berishës në grup, por tha se deputetët, përfshirë Berishën janë bashkuar që në shtator. “Unë do ti qëndroj arsyes pse kam dalë të ju komunikimi i grupit parlamentar është i qartë, besoj se është një çështje e tejkaluar problematika brenda PD-së. Çdo tentativë për të zhvendosur vëmendje nga tema që janë në inertes të qytetarëve për të rikthyer vëmendjen tek përçarja nuk do të marrë vëmendje tonë,. Grupi i PD-së është bashkuar që në 5 shtator 2023”, deklaroi Bardhi. Megjithatë ky vendim duket si një puç ndaj Sali Berishës, i cili u la jashtë grupit parlamentar të PD në nisje të legjislaturës nga Lulzim Basha me vendimin e 9 shtatorit të vitit 2021 që e përjashtonte nga grupi pas shpalljes së tij “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prej asaj kohe, Berisha nisi luftën brenda Partisë Demokratike duke e çuar partinë në ndarjen më të thellë të saj, ndërkohë që sot që flasim ai ka në diskutim edhe të ardhmen politike, pasi duke qenë në “arrest shtëpie” prej dhjetorit të vitit 2023, ai rrezikon t’i digjet mandati i deputetit.
Reagon Berisha
Por ky vendimi duket se ka zemëruar ish-kryeministrin Sali Berisha. Duke folur dje para mbështetësve nga banesa ku qëndron i izoluar, zoti Berisha ka theksuar se ka ardhur koha për zemërim, pas skandaleve të korruptive të njëpasnjëshme që kanë përfshirë qeverisjen qendrore dhe atë lokale. “Opozitarë, është nderi më i madh moral i një qytetari, por nder është atëherë kur i del zot me të gjithë forcën tënde, kur nuk mposhtesh nga një pushtet kriminel që vjedh popullin tënd, që mashtron popullin tënd, që shkatërron vendin tënd, që shkatërron kombin tënd. Është koha pra që t’i përgjigjemi thirrjes së brendshme të çdo qytetari të ndershëm. T’i përgjigjemi siç do i përgjigjej çdo qytetar evropian i civilizuar. Është koha të përmbysim këtë regjim me të gjithë forcën tonë. Të dashur miq, opozitarë dhe opozitare, demokratë dhe demokratë, sot është koha e sakrificës. Vetëm me sakrificat tuaja ndërtohet fitorja. Vetëm me sakrificat tuaja rivendoset dinjiteti. Vetëm me sakrificat tuaja rivendoset shpresa dhe e ardhmja e shqiptarëve. Ndaj dhe sot është koha e zemërimit tënd, sot është koha e guximit tënd. A mund të imagjinohet, janë dhënë 130 milionë euro, djegësi nuk ekziston? A mund të imagjinohet, drejtorët e tij kanë krijuar kompani dhe kanë shndërruar në hotele paratë e taksapaguesve? A mund të imagjinohet që të qëndrojë ky në pushtet dhe të mos japë dorëheqje një minutë e më parë? A mund të imagjinohet kjo situatë? Më thoni ju mua? Çfarë të ardhme meritojmë dhe do kemi ne në qoftë se nuk përdorim fuqinë tonë për t’u treguar vendin këtyre horrave? Ka ardhur koha për veprime! Për veprime gjer në fitore. Ka ardhur koha për zemërim! Për zemërim gjer në fitore. Ka ardhur koha për guxim”, deklaroi Berisha.