Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u ndal dje në Kongresin Amerikan, teksa u takua kongresmenin Brian Babin, përfaqësues i Teksasit. Në këtë takim, Basha ka vlerësuar ndihmën e vazhdueshme që SHBA-ja ka dhënë dhe po jep, për luftën kundër korrupsionit, forcimin e sistemit të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës. Zoti Basha, e njohu kongresmenin me prioritetet e PD-së, që nga lufta kundër korrupsionit, pastrimi i politikës nga politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar, zgjedhjet e lira e të ndershme, zhvillimi ekonomik dhe krijimi i mundësive për shqiptarët që të mos largohen nga vendi. Kryetari i PD-së Lulzim Basha, theksoi se korrupsioni është pengesa më e madhe, për zhvillimin e vendit dhe krijimin e mundësive për të rinjtë, që ata të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri. Po ashtu, Basha përmes këtyre deklaratave iu ka dërguar një mesazh të fortë “Trekëndëshit të Bermudës” Rama-Berisha-Meta, të cilët i kanë shpallur luftë reformës në drejtësi, e cila është krijuar me mbështetje të amerikanëve dhe SPAK-ut nga frika e arrestimeve. Pra nëse e shohim me kujdes turin e Bashës dhe qëndrimet e tij për drejtësinë, kryedemokrati shigjeton Ramën dhe Berishën, duke vënë në dukje faktin, se kreu i Rithemelimit sulmon SPAK, ndërsa kryeministri kërkon t’i përvetësoi punën Prokurorisë së Posaçme, pasi siç thotë kryedemokrati të dy ata janë kundër drejtësisë. Megjithatë kjo vizitë e tij në Amerikë, duket se ka trembur “Trekëndëshin e Bermudës”, i cili ka hedhur enturazhin e tij në sulme kundër kryedemokratit Lulzim Basha. Madje më i ashpër është treguar Berisha, i cili dje hodhi akuza ndaj Bashës.
Basha flet për Kosovën dhe Rusinë
Ndërkohë duke u ndalur në situatën delikate të sigurisë, Basha shprehu dje shqetësimin për përpjekjet e Rusisë për të krijuar një vatër të re tensioni në Ballkan, dhe se ajo çfarë ndodhi më 24 shtator në Kosovë ishte shenjë e kësaj përpjekje, por falë profesionalizmit të policisë së Kosovës dhe mbështetjes së KFOR-it, fatmirësisht dështoi. Rusia kërkon një front të ri për të tërhequr vëmendjen nga Ukraina, theksoi Basha, ndërsa shtoi se, Rusia duhet të paguajë për dëmet e shkaktuara në Ukrainë. Në këtë kuadër, Basha e njohu atë, me rezolutën për rindërtimin e Ukrainës të përgatitur prej tij, që gëzon një mbështetje të gjerë në Këshillin e Europës, për të cilën është dhe reporter. Sakaq, edhe dy ditë më parë kryetari i PD Lulzim Basha, mori pjesë në forumin e IDU në Uashington – Aleanca botërore e partive të qendrës së djathtë. Basha pati takime dhe biseda me personalitete të ndryshme, mes të cilëve Senatori Kevin Cramer nga North Dakota, ish-kryetarin e Kongresit Newt Gingrich, kryetarin e Marrëdhënieve me Jashtë të Partisë Republikane, Chris Fussner etj. Basha ka diskutuar për situatën në Shqipëri dhe rajon. SHBA ka një vëmendje të shtuar te lufta kundër korrupsionit dhe drejtësia, për të cilat Basha theksoi se janë edhe prioritet të PD, ndërsa bëri të ditur se ka mbështetur dhe mbështet dhënien fund të pandëshkueshmërisë nga SPAK dhe drejtësia e re. Kësaj tha ai, i shërben edhe veting-u i politikanëve, që do ta pastrojë politikën nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit. Situata në rajon ishte një tjetër çështje për të cilën zoti Basha tha se është e domosdoshme vëmendja e shtuar e SHBA, ndërsa ka kërcënime për destabilizim. Ngjarjet e 24 shtatorit janë kambanë alarmi për sigurinë, ka theksuar zoti Basha, duke shtuar se është koha që Serbia të pranojë realitetin e Kosovës, shtet të barabartë dhe të lejojë komunitetin serb të ndërtojnë të qetë jetën e tyre, pa presionin dhe kërcënimin e Beogradit. “Uashington, në Forumin e IDU, Aleanca Botërore e Partive të Qendrës së Djathtë, me Senatorin e North Dakota, KevinCramer, ish-kryetarin e Kongresit, Neët Gingrich, kryetarin e Marrëdhënieve me Jashtë të Partisë Republikane, Chris Fussner dhe miq të tjerë të politikës amerikane. Marrëdhënia speciale mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vlerat euroatlantike janë udhërrëfyesi ynë në rrugëtimin politik, për të ndërtuar të ardhmen që vendi ynë meriton”, shkroi Basha në rrjetet sociale.