Demokratët euroatlantikë të Lulzim Bashës kanë mbajtur këtë të enjte një tryezë dialogu me 24 parti të tjera opozitare, parlamentare dhe jo-parlamnetare.
Në përfundim të takimit, Harku Opozitar Euroatlantik, ka dalë me një deklaratë të përbashkët në lidhje me reformën zgjedhore. Në deklaratë renditen dhe pikat që duhet të përmbushë reforma, që konsistojnë në hapjen e listave, votën e diasporës, votimi elektronik dhe barazia e votës.
DEKLARATË E HARKUT OPOZITAR EUROATLANTIK
Tiranë, 4 korrik 2024 Tryeza e dialogut të Harkut Opozitar Euroatlantik me pjesëmarrjen e 24 partive politike opozitare parlamentare dhe jo-parlamentare;
Të shqetësuar për mos avancimin e procesit të Reformës Zgjedhore, ndërkohë që kanë mbetur rreth 10 muaj deri në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2025-ës;
Nisur nga nevoja dhe kërkesa e mbarë qytetarëve për t’u mundësuar shqiptarëve të zgjedhin me votën e tyre përfaqësuesit në parlamentin e ardhshëm;
Të detyruar nga Kushtetuta dhe nga Gjykata Kushtetuese për t’u mundësuar shqiptarëve jashtë vendit të drejtën e votës, Kërkohet që me urgjencë dhe pa humbur kohë:
Të hartohet dhe miratohet një paketë e plotë reformash ligjore e institucionale për të korrigjuar ndërhyrjet e rënda të ndryshimeve kushtetuese të prillit 2008, të cilat i mohuan të drejtën shqiptarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre. Për të realizuar këtë mision për demokracinë dhe shtetin e së drejtës, janë emergjencë kombëtareti
– Vota e lirë, barazia e saj sipas Kushtetutës së Shqipërisë;
– Listat e hapura; – Shqipëria një zonë zgjedhore;
– Mundësimi i votimit të diasporës;
– Votimi dhe numërimi elektronik;
Nëpërmjet Reformës Zgjedhore duhet synuar që të rregullohet përfaqësimi dinjitoz i qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë, bazuar në meritokraci dhe intergritetin e figurës, në mënyrë që ky përfaqësim të kontribuojë në ndërtimin dhe përmirësimin e shtetit shqiptar.
Shqipëria, si një vend që synon anëtarësimin në BE, duhet fillimisht të garantojë standartet demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku qytetarët dhe jo krimi e korrupsioni dhe oligarkët të vendosin rezultatin e zgjedhjeve.
Mbështesim dhe inkurajojmë organet e drejtësisë të hetojnë dhe çojnë para drejtësisë të gjithë ata që kanë abuzuar më votën e shqiptarëve, për t’i dhënë fund krimit zgjedhor, shitblerjes së votës, përdorimit të fondeve e aseteve publike në zgjedhje dhe përfshirjes se krimit të organizuar në deformimin e vullnetit të zgjedhësve. Barazia para ligjit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe demokracia funksionale janë parakushte për zhvillimin e vendit dhe integrimin e plotë në BE, si aspirata më e lartë e qytetarëve shqiptarë.