Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë vizitës në Lezhë, zhvilloi dje takime me qytetarë e biznese të këtij qyteti me të cilët bisedoi për problemet kryesore që ata kanë dhe që presin zgjidhje nga politikëbërja. Gjatë bashkëbisedimit, qytetarët iu drejtuan kryetarit të PD-së duke thënë se presin një ndryshim rrënjësor në rolin që ka politika për zgjidhjen e problemeve të tyre. Pikërisht për këtë, Basha i njohu ata me reformën e thellë që PD ka propozuar ku synohet që qytetarët të jenë vendimmarrës e tu dëgjohet fjala e tyre. “Sot, në Lezhë, fola me qytetarë të ndryshëm të qytetit, për ekonominë, sigurinë dhe jetën e tyre të përditshme. Të gjithë e kanë të qartë se na duhet një ndryshim rrënjësor ne rolin që ka politika për zgjidhjen e problemeve të tyre. Ata duan të dëgjohen, duan të jenë të përfshirë në vendimmarrje dhe për këtë duhet të kenë një përfaqësim dinjitoz që është sa më afër tyre dhe problemeve të tyre. Për këtë qëllim ne kemi propozuar pastrimin e politikës përmes vetingut, listat e hapura për t’u dhënë njerëzve lirinë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre, barazinë e votës, që forca e qytetarëve të jetë e njëjtë, pavarësisht nga qarku ku ata jetojnë. Votën e diasporës, një President i zgjedhur nga populli, si dhe heqjen e imunitetit nga ndjekja penale. Që politika t’ju shërbejë familjeve shqiptare”, zbuloi dje Basha në rrjetet sociale teksa ndau detaje nga takimi. Ndërkohë kryetari i PD, Lulzim Basha, e konsideroi si domosdoshmëri pastërtinë e figurës së zyrtarëve, në mënyrë që të përndjekurit e regjimit komunist mos të jenë më siç janë sot përballë me persekutorët e tyre. Këto qëndrime Basha i shprehu gjatë vizitës në familjen Ndue Kolziu, i përndjekur politik i regjimit komunist. “Që historia e genocidit komunist në Shqipëri të mos gjejë kurrë, jo vetëm asnjë avokat, por asnjë personazh që ka lidhje me atë regjim, duhet rishikuar legjislacioni për pastërtinë e figurës së zyrtarëve. Në PD, përfaqësimi politik i të përndjekurve në programin dhe ekipin e saj do të jetë garanci që zëri i tyre të dëgjohet dhe sakrifica e tyre të shperblehet, duke ndërtuar një vend demokratik dhe të zhvilluar për çdo shqiptar”, nënvizoi Basha.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë