Elmas Bogdani
Në shtator të vitit 2021, ditën kur shkeli në zyrën e ministres së Bujqësisë, Frida Krifca fshiu çdo statistikë mbi bujqësinë dhe sektorët që mbulon dikasteri, një veprim i pazakontë e ndryshe nga paraardhësit e saj Bledi Çuçi apo Milva Ikonomi. Ajo vinte nga një detyrë e gjatë si drejtoreshë e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural e kontestuar qysh në fillim nga ish-LSI, pasi ishte “vendosur aty pa konkurs dhe në kundërshtim të ligjit”. Krifca qëndroi 4 vjet në krye të projekteve për bujqësinë. Ajo nuk kishte kontribute të mëhershme në administratë apo në strukturat e Partisë Socialiste. Megjithatë, ajo u katapultua në krye të ministrisë, edhe pse zërat kundër saj gëlonin prej do kohësh në rrethet e ngushta të Tiranës. Frida Krifca vinte në atë ministri si emri më i kontestuar nga opozita, e cila e akuzonte për shkelje procedurash dhe korrupsion me fondet që BE-ja i kishte akorduar bujqësisë shqiptare përmes AZHBR-së. Vetëm kur delegacioni i BE-së lëshoi një deklaratë zyrtare bombë, ku njoftonte se fondet e dhëna nga Brukseli për bujqësinë në Shqipëri janë bërë objekt hetimesh nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit, kryeministri Edi Rama vendosi ta shkarkonte nga posti. Që prej asaj periudhe BE vazhdon të bëjë thirrje për të vënë para drejtësisë abuzuesit e fondeve IPARD. Brukseli ka çuar vetë dosje në SPAK me të gjitha gjetjet e tyre. Goditja që iu bë dje Ilir Beqajt, pikërisht në lidhje me abuzimet me lekët e taksapaguesve të shtetasve evropianë, paralajmëron se “laku” po i ngushtohet edhe Frida Krifcës.
Frida Krifca ish-ministrja e rrezikuar nga SPAK
Arrestimin e Krifcës e paralajmëroi dhe gazetari Denis Dyrnjaja. Dyrnjaja vë në dukje se tashmë radhën e ka Krifca, duke ndjekur logjikën e ngjarjeve. “Arrestimi i Beqajt është një mesazh për BE që drejtësia po vepron në raport me kërkesat e saj. Kam idenë që do jetë radha e Frida Krifcës, nëse shkojmë në këtë linjë. Besoj se do jetë një problem i madh i raporteve të saj me drejtësinë. Besoj se do ketë veprime të shpejta edhe me znj.Krifca, jo se kam informacion, por nëse do t’i shkojmë logjikës që veprimet e SPAK lidhen me reagimet në Bruksel për abuzimet me fondet”, tha ai dje në një media. Po ashtu dhe organizata Qëndresa Qytetare teksa përshëndeti dje operacionin e SPAK ndaj Beqajt, tha se të njëjtin standard, Prokuroria e Posaçme duhet të ndjekë edhe për abuzimet me fondet e IPARD, ku paratë e dedikuara për fermerët shkuan për politikanë, e biznesmenë.
Raporti
Kujtojmë se pak ditë më parë, në faqen zyrtare të Brukselit është publikuar një pjesë e raportit për abuzimin me fondet e bujqësisë në Shqipëri. OLAF zbuloi se aplikantët për IPARD II ishin të detyruar të paguanin një përqindje të madhe të grantit të tyre për kompanitë konsulente të “përzgjedhura paraprakisht”, të cilat më pas do të lehtësonin kontratat me Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin Rural dhe Bujqësinë (AZHBR), e cila shpërndante fondet. Pas një sërë hapash komplekse hetimore, përfshirë kërkimet mjeko-ligjore dixhitale të dokumenteve të lidhura me marrësit e IPARD II, AZHBR dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF zbuloi disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve. Këto parregullsi përfshinin: – Aplikantëve u kërkohet të paguajnë një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale; – Kontratat që jepen pa konkurrencë, ose përmes një konkursi të manipuluar (me oferta false që dorëzohen); – Çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale. Pas hetimit të saj, OLAF rekomandoi që Komisioni Evropian të konsiderojë një pjesë të financimit të Thirrjes së Parë dhe të Dytë për Aplikime IPARD II prej 33 milionë euro, si të papërshtatshme. Programi u krijua për të ndihmuar në modernizimin e sektorit bujqësor shqiptar në përputhje me standardet e BE-së dhe arritjen e progresit drejt anëtarësimit në BE.
Bllokohet IPARD III
OLAF rekomandoi më tej që BE të parandalojë 112 milionë euro të financimit të ardhshëm (IPARD III) për Shqipërinë nga shpenzimet e panevojshme, derisa të vendosen masa korrigjuese për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga çdo aktivitet i paligjshëm. Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit ka hetuar akuza serioze që përfshinin keqpërdorimin e fondeve të BE-së nga Instrumenti për Asistencën e Para-Aderimit për Zhvillimin Rural (IPARD II) në Shqipëri. Nisur nga aktivitetet e mundshme kriminale të zbuluara gjatë hetimit, OLAF i dërgoi edhe një kopje të gjetjeve të saj autoriteteve gjyqësore të Shqipërisë.