Mbrëmjen e së enjtes, PD prezantoi kandidatët për deputetë të zgjedhjeve të 23 Qershorit, në zonën e Kombinatit në kryeqytet. Kryeministri Berisha premtoi më shumë vende pune si dhe përmirësim të infrastrukturës. “Jemi të vendosur, për ne punësimi juaj është objektivi më absolut. Ne vijmë tek ju me një plan konkret punësimi. Jemi të vendosur të krijojmë në Tiranë dhjetëra e mijëra vende pune. Vetëm dy parqet logjistike industriale që po ndërtohen midis Tiranës dhe aeroportit punësojnë së bashku 30 mijë persona. Transformime të mëdha do pësojë infrastruktura e qytetit të Tiranës, ju hidhni fillimet e Tiranës së këtij shekulli. Qeveria ka miratuar kredinë prej 60 miliardë euro për ndërtimin e bulevardit dhe sistemimin e lumit të Lanës. Qytetarë të Kombinatit kudo që udhëtoni kaloni në rrugë të reja, ju dilni përsëri në rrugë me baltë sepse në Tiranë kryetari i larguar i Bashkisë fondet e 3 fishuara të qeverisë me destinacion rrugë e kanalizime, i shndërroi në rroga për partinë. E shndërroi Bashkinë në sipërmarrje të partisë dhe e dorëzoi me 250 mijë km rrugë të pashtruara”, tha Berisha.
“Zotohem me solemnitet se do financoj shtrimin e çdo rruge dhe rrugice të kryeqytetit të Shqipërisë brënda 2 viteve që vijnë. Ne që kemi ndërtuar rrugë, jemi të gatshëm të financojmë grantin për Bashkinë, në mënyrë që jeta e qytetarëve të Tiranës të jetë sa më normale. Ne jemi të vendosur të krijojmë në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë vende pune më shumë se kurrë në historinë tonë”.
“Alternativa tjetër, juve ju quajnë robër dhe skllevër, mësuesit injorantë, fëmijët dele, policët, i shoqëruar me vrasës vetë, i quan banditë. Kjo është alternativa e tij e sharjeve kolektive më të papranueshme. Por qytetarët e mençuar shqiptarë dinë ti hedhin në kazan sharjet dhe fyerjet e tij. Kujdes nga taksat, janë mashtrimi i tij më i madh. Nga sheshi në shesh kalon duke mashtruar se sot në Shqipëri kryeministri paguan taksa më pak se polici, deputeti më pak se mësuesi, këto janë gënjeshtra të trasha. Deputeti paguan taksa 4 herë më shumë se infermierja, se rroga e tij është 4 herë më lartë. Kryeministri paguan taksa 5 herë më shumë se mësuesja, se rruga e tij është më e madhe. Taksa e sheshtë është taksa e të dhjetave, më e ndershme e të gjitha kohërave. Taksa që ofron shoku i autobusit është ajo e urrejtjes që vendosi Karl Marksi, taksa që vendosi në Tiranë famëkeqi Spiro Koleka. Taksa e shkatërrimit të dhjetëra e mijëra vendeve të punës”, shtoi Berisha.