Lufta mes qeverisë së Sali Berishës dhe ish të përndjekurve politikë, ka marrë befas një rrjedhë dramatike. Pas rrahjes së Ilir Rusmalit, sulmit me miell ndaj makinës së Berishës, grevës tragjike të urisë, tentativa për të rrahur ministrat, përplasjet e njëpasnjëshme me policinë dhe incidentet e panumërta, ish të përndjekurit politikë kanë zgjedhur një rrugë ekstreme, si formë reagimi ndaj të drejtave të mohuara nga qeveria. Sipas policisë, një javë pasi tentuan t’i vinin zjarrin Kuvendit të Shqipërisë, ish të përndjekurit politikë, kanë përgatitur bomba molotov për të sulmuar Kryeministrinë dhe Sali Berishën gjatë aktiviteteve të tij politike. Por, policia, pas një përndjekje dhe survejimi të vazhdueshëm, ka arrestuar ish koordinatorin e grevës së urisë, Skënder Tufën, duke e akuzuar si një ndër organizatorët e atentatit. Kështu, andrallat dhe telashet për ish të përndjekurin, njëherësh ish koordinatorin e grevës së urisë, Skënder Tufën, nuk kanë të sosur. I lodhur duke e survejuar këmba-këmbës me spiunët e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe agjentët e Ministrisë së Brendshme, Sali Berisha duket se ka vendosur t’i mbajë në burg Skënder Tufën dhe shokët e tij gjatë kësaj fushate elektorale. Policia ka arrestuar në flagrancë Skënder Tufën e Petrit Licon, të cilët i akuzon se po montonin dy bomba molotov, për t’i bërë atentat Sali Berishës, si njeriu përgjegjës për persekutimin e ish të përndjekurve politikë në këto 22 vite pluralizëm. Tufa dhe Lico janë ndaluar anash godinës së Universitetit Politeknik të Tiranës. Sipas versionit të pushtetit, Tufa dhe shokët e tij, po përgatitin bombat për të sulmuar Kryeministrinë dhe Sali Berishën, kur ky i fundit do të shfaqej në mitingjet elektorale. Për afro 20 minuta Tufa dhe Lipo janë mbajtur të rrethuar nga polica deri në mbërritjen e ekspertëve të xhenios për të saktësuar se çfarë realisht mbanin dy bidonat plastikë. Pas ekspertizës Tufa dhe Lipo u shoqëruan për në ambientet e komisariatit për të dhënë versionin e tyre për ngjarjen dhe ende nuk dihet nëse për ta do të nisë një procedim penal. Por, ndërkohë, Tufa ka konfirmuar për gazetën SOT, ndodhej rastësisht tek zona e Universitetit Politeknik. Ai ka deklaruar se nuk ka lidhje me atentatin e pretenduar nga policia. Tufa e ka konsideruar arrestimin si një skenar të Berishës për të izoluar ish të përndjekurit gjatë fushatës elektorale. Gjithsesi, javët e fundit, janë rritur rastet e sulmeve ndaj kryeministrit Berisha. Vetëm disa ditë më parë, një demokrat i zemëruar nga Burreli, qëlloi me gurë makinën e kryeministrit Berisha.
Paralajmërimi
Vetëm disa ditë më parë, ish koordinatori i grevës së urisë, Skënder Tufa, ka paralajmëruar akte ekstreme ndaj pushtetit, nëse nuk do të ketë reflektim ndaj kërkesave të ish të përndjekurve. Këtë paralajmërim, Tufa e dha herën e fundit kur u arrestua nga policia, teksa përpiqej të afrohej pranë Parlamentit me dy shishe benzinë. “Ne donim t’i jepnim një mesazh politikës aktuale, e cila luan shumë keq dhe pa e shqetësuar fare qytetarin e thjeshtë. Veprimi ynë donte t’i thoshte asaj; Bëjini llogaritë mirë me qytetarin. Zjarri që do të ndizej dje tek pragu i Parlamentit ishte reagimi qytetar ndaj fyerjeve, poshtërimeve, abuzimeve dhe keqtrajtimeve të grumbulluara dhe të shpërthyera në një moment lodhje dhe ndërgjegjësimi. Është rasti për t’ju thënë: Kini kujdes! Nëse kjo flakë do t’iu futet brenda në sallë, aty ku luani me ne, mjerë ju”, tha ai.
Policia gjakosi Tufën
Paranoja e kryeministrit Berisha dhe e shpurës së ministrave po u kushton shtrenjt ish të përndjekurve politikë. Ish-koordinatori i grevës së urisë së ish të përndjekurve politikë, Skënder Tufa, është dhunuar dhe gjakosur një javë më parë nga policët e Flamur Nokës dhe Sali Berishës. “Trajtimi që na bën policia na deh. Sot, siç e shikoni, kam ndërruar syzet për arsye se m’i kanë thyer në fugonin e policisë në momentin që unë doja të kontaktoja me mediat, e drejtë kjo që ja jep ligji çdo personi i arrestuar për çdo lloji krimi. Gjatë kësaj tentative unë edhe janë gjakosur nga ndërhyrje brutale e policisë. Jam dërguar fillimisht në drejtorinë e policisë, pastaj për disa orë jam mbajtur në komisariatin numër 1. Na mbajtën të izoluar pa na komunikuar asnjë arsye”, ka deklaruar Tufa. Adriatik Doçi