Lideri “de facto” i Partisë Demokratike, Sali Berisha sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama, ish-kryetarin e PD, Lulzim Basha dhe kreun e komanduar të PD zyrtare, Enkelejd Alibeaj. Në konferencën e djeshme për mediat, ish-kryeministri akuzoi rivalin e tij në pushtet se po kërcënon e burgos ish-bashkëpunëtorët e tij, duke kujtuar rastin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj dhe kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla. Berisha nuk kurseu nga sulmet verbale dhe kryetarin e grupit parlamentar të PD dhe kreun e komanduar të PD zyrtare Enkelejd Alibeaj së bashku me paraardhësin e tij Lulzim Basha se nuk përfaqësojnë vullnetin e demokratëve dhe opozitës dhe po i shërbejnë PS dhe Edi Ramës. Kryefoltoristi nuk harroi të përsëriste se Lulzim Basha është fajtor për çështjen e lotimit rus në PD në kohën kur drejtonte partinë më të madhe opozitare.
Berisha për Ahmetajn: Kërcënoi Ramën, Veliajn dhe Agaçin, policia u soll si bandit me të
Lidhur me kontrollet e hetuesve të BKH dhe SPAK në banesat e ish-gruas dhe partneres së Arben Ahmetajt, Berisha akuzoi drejtësinë se shkeli procedurën ligjore në këto kontrolle pa marrë autorizim nga Kuvendi dhe organet ligjzbatuese. Berisha zbuloi se Rama dhe Ahmetajn janë armiqësuar mes tyre pasi ish-nr.2 i qeverisë e akuzoi ish-shefin e tij se urdhëroi firmosjen e 17 vendimeve brenda 1 dite për inceneratorët, e cila konsiderohet një nga aferat korruptive më të rënda në historinë e shtetit shqiptar. Madje, Berisha këmbëngul se Ahmetaj kërcënoi dhe Sekretarin e Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçin dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. ” Organet ligjzbatuese kanë të drejtë të kontrollojnë në çdo rast, por kurrë në kundërshtim me procedurën ligjore. E kam denoncuar me qindra herë Ahmetajn, por ndaj atij dhe askujt tjetër, procedura joligjore nuk mund të përdoret, vetëm e vetëm pse kërcënoi Edi Ramën. E kërcënoi Ramën, i tha se ti je ai që ka mbledhur 17 firma për 24 orë, se unë si ministër nuk e bëja kurrë. Kërcënoi Don Agaçion, kërcënoi Erion Veliajn dhe tani nuk merret me thelbin, por bëjnë kontrolle pa autorizime. Të turpshme, kontrolle policeske të dënueshme. Ndaj duke dënuar qëndrimet prej gangsterëve për kontrollet pa autorizim, dënoj edhe qëndrimin që nuk guxojnë të prekin Arben Ahmetaj, se përfundojnë më keq se ai”, tha Berisha.
Berisha për Allën: Nuk pyeti PS për të rikandiduar për Bulqizën, e kapën pas 5 orësh
Berisha u ndal dhe te arrestimi i kryebashkiakut socialist të Bulqizës, Lefter Alla, i cili akuzohet se i ka dhënë një tender me vlerë 3 milionë euro për ndërtimin e një ujësjellësi një të afërmi të tij. Sipas ish-kryeministrit, ky arrestim është proces politik, pasi mësoi se Alla vendosi të kandidonte për herë të dytë si kryetar bashkie për këtë qytet, por mosmarrja parasysh e qëndrimit të kupolës socialiste, i kushtoi lirinë. Megjithatë, Berisha e konsideroi Lefter Allën një trafikant droge që u shpëtua nga Rama dhe kur në media u publikua një video ku konsumonte kokainë. “Narkotrafikanti i Bulqizës kishte dosjet palë-palë prej vitesh. Por nuk i futej gjë në këmbë, madje drejtësia e Edi Ramës e ekzonoronte (shfajësonte) edhe kur thithte kokainë. Në momentin që deklaroi se do rikandidonte dhe nuk e pyeste partinë, pas pesë orësh iu vunë prangat. U servir kjo si një akt i drejtësisë së pavarur, në fakt ishte një akt i drejtësisë politike”, deklaroi Berisha për kryebashkiakun e arrestuar të Bulqizës.
Berisha: Alibeaj nuk është votuar e emëruar në PD, kryetar i partisë jam unë
Kryetari i Grupit të Rithemelimit të PD shënjestroi dhe Enkelejd Alibeajn, i cili së fundmi firmosi deklaratën solemne si kryetar i autorizuar i PD për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 14 majit, edhe pse nuk është votuar as nga Këshilli Kombëtar dhe as nga anëtarësia e partisë. Sipas Berishës, ai është kryetari legjitimim i PD duke marrë për bazë regjistrimin e Kuvendit të 11 dhjetorit nga gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Agron Zhukri në 25 mars 2022, por që në fakt u shfuqizua nga Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm në 3 mars të këtij viti. Berisha e konsideroi Alibeajn një person të dështuar politik që nuk është votuar kurrë në jetën e tij politike në çdo funksion. “Të shpallësh kryetar atë që nuk është kryetar, do të thotë të pranosh të emëruarin e Edi Ramës. Është shkelur çdo ligj dhe standard i këtij vendi apo i këtij narkoshteti. Të pretendosh që Alibeaj, që nuk është votuar kurrë, nuk është emëruar kurrë, nuk është votuar në asnjë forum të partisë, që nuk guxon të votohet se nuk merr asnjë votë, që është shndërruar në peng të Ramës, është krytar i PD, këtë e bën vetëm Edi Rama. Kjo do të thotë të kthehesh te opozita e emëruar. Nuk ka asnjë vendim gjykate, që Alibeaj është kryetar partie. Ka një vendim gjykate, që Sali Berisha është kryetar partie”, deklaroi ish-kryeministri për Enkelejd Alibeajn.
Berisha: Basha i kapur peng nga Rama, fajtor për 700 mijë euro ruse në PD
Kryetari “de facto” i demokratëve bëri me faj për krizën e PD dhe opozitës Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn, të cilët i konsideroi pengje që po përdoren në mënyrë të pamëshirshme politikisht nga kryeministri Edi Rama. Sipas Berishës, Basha është fajtor për lobimin rus në PD, dhe Rama duke pasur dijeni për këtë gjë, i ka mbyllur hetimet ndaj ish-kryetarit të selisë blu, duke bërë pazare politike në këmbim. “Alibasha dhe Alibrava nuk kanë lidhje me PD. Janë të dy pengje të Edi Ramës dhe Edi Rama i përdor ata në mënyrën më të pamëshirshme. Sot do paraqisnim raportin për financimet e PD. Por ai që do e paraqiste është në një konferencë. Raporti qartëson se 700 mijë euro, asnjë qindarkë nuk ka hyrë në arkën e PD dhe nuk ka dalë nga arka e PD. Është një aktivitet i paligjshëm, financim rus apo tjetër, nuk mund të them, por nëse e thotë raporti i CIA, nuk mund të vihet në diskutim. Basha është peng në krim”, përfundoi fjalën e tij para mediave ish-kryeministri Sali Berisha.