Pasditen e së hënës, PD mbajti një miting elektoral në Bashkinë e Sukthit, ku kryeministri Berisha sërish premtoi për më shumë rrugë, ujësjellësa dhe shkolla të standarteve më të mira për këta banorë. “Këto vite në Bashkinë e Sukthit janë ndërtuar dhjetëra e dhjetëra km rrugë, shumica dërrmuese e banorëve marrin ujë 24 orë. Janë ndërtuar dhe rindërtuar shumica e shkollave. 4 vitet që vijnë për fermerët e Sukthit, për të cilët ne kemi financuar rreth 100 hektarë vreshta, drurë frutorë, sera do të trefishojmë grantet. Sukthi do të ketë tregun e vetë modern, terrene sportive, do shndërrohet në një nga qendrat urbane më të zhvilluara. Dua të garantoj fermerët se vendimet e fundit të 3 muajve më parë autorizojnë Qeveritë vendore të japë të gjitha tapitë për tokat kudo që ndodhen. Do sjellim zyrën e hipotekës pranë çdo komune dhe bashkie të vendit. Po përfundojmë hartën dixhitale të tokës, për çdo shqiptar do marrin fund andrallat e mbivendosjeve”, tha Berisha.
“Shoku i autobusit mavi përpiqet dhe mendon t’ju mashtrojë juve, ju thotë se taksa progresive është më e ndershme sepse ajo taton më pak atë që merr më pak dhe më shumë atë që merr më shumë. Të dhjetat janë taksa më e ndershme, sepse ai që merr 10 paguan 1, ai që merr 100 paguan 10 herë më shumë, ai që merr 1000 paguan 100 herë më shumë, kjo është e vërteta e kësaj takse. Ja pse të parët tanë në të gjitha kohërat kanë përdorur vetëm të dhjetat”, tha më tej Berisha.
“Në Delvinë u zotua se do të heqë taksën mbi makineritë, po shko tek doganat dhe mësoje se asnjë biznes nuk paguan asnjë taksë për makineritë që hyjnë në Shqipëri. Në një vend tjetër, ju thotë fermerëve se do heqë TVSH. Ne kemi vendosur t’ju japim në dorë TVSH për çdo gjë që përdorni në fermat tuaja. Akcizën e naftës me para në dorë, ky është zotimi ynë dhe vendimet janë të miratuara në mënyrë përfundimtare”, vijoi Berisha.