Njësimi i Partisë Demokratike me administratën publike, emërimet nepotike, familjare dhe klanore në çdo skutë dhe qelizë të piramidës së administratës, mënyrë barbare dhe primitive e rekrutimit në strukturat e administratës, manipulimi i shifrave të të papunëve, shkarkimet politike në institucione, kthimi i sindikatave në zgjatime para partisë-shtet, rreshtimi me dhunë i administratës pa përjashtim në mitingjet e partisë-shtet etj., dëshmojnë qartë se kush janë raportet e këtij pushteti me punën. Bilanci zyrtar i qeverisë së Sali Berishës është: 200 mijë vende pune të premtuara, 50 mijë vende pune të humbura zyrtarisht sipas INSTAT, 40 mijë të larguar nga puna për motive politike dhe 125 milionë dollarë kostoja për të larguarit politikisht nga puna, të cilët kanë fituar çështjen në gjyq. Si mos të mjaftonte ky bilanc i zi dhe tronditës, pushteti ka guximin të tallet dhe të poshtërojë qytetarët sërish, duke premtuar edhe 250 mijë vende pune të tjera, thua se nuk ka qenë asnjë ditë në pushtet. Gjithsesi, masakrimi dhe katandisja e administratës publike, është një nga skandalet më të zeza të kësaj qeverie, me efekte shkatërruese edhe në të ardhmen. Arsimi, policia, diplomacia dhe shëndetësia kanë degraduar duke u shndërruar në reparte të mbushur me militantë të PD. Arsimi, policia, diplomacia dhe shëndetësia janë sektorët që janë prekur më fort nga fshesa e Berishës, edhe për shkak të numrit të madh të punonjësve që kanë këta sektorë. Për të dëshmuar masakrën e shkarkimeve në polici, mjaftojmë të kujtojmë këtu nipin e Sali Berishës, Dritan Berisha, i cili pasi u punësuar në ministrinë e Brendshme në 2006, shkaktoi një incident me armë zjarri përpara hotel "Dajtit" në qendër të Tiranës. Por edhe pse ish-ministri Olldashi e zhveshi nga policia, me ndërhyrjen e kryeministrit, ai u emëruar në sektorin e kurrikulave në Akademinë e Rendit, më vonë në arsim dhe më në fund në diplomaci. Vetëm në vitin e parë të qeverisë kjo qeveria ka larguar rreth 10 mijë vetë nga puna, për arsyen e thjeshtë se ishin socialistë. Ndërkohë, në shkurt të 2007, për shkak të ndryshimeve në administratë dhe "fshesës Berisha", buxheti i shtetit u detyrua të paguajë 1 milionë euro për të gjithë ata që u hoqën padrejtësisht nga puna. Ishte vetë Komisioni i Shërbimit Civil që zbuloi abuzimet e bëra në administratë nga ministrat kryesorë të qeverisë.