Sulmet e selisë rozë dhe asaj blu vijojnë me të njëjtën intensitet, teksa PD me anë të deputetit Gerti Bogdani, ka deklaruar se Rama kërkon pushtetin me dhunë, saqë është gati të bëjë çdo gjë. Deputeti i djathtë tha se Rama e kërkon pushtetin dhe mbajtjen e karriges së PS me aq dëshpërim, saqë për këtë është gati të thotë dhe të bëjë çdo gjë.
“Qytetarët gjithashtu e dinë se Edi Rama nuk ka asnjë plan për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për të krijuar vende pune, asnjë zgjidhje dhe ide konkrete, por vetëm slogane boshe dhe skema për rritje taksash që do të shkatërronin vende pune dhe bizneset që krijojnë vende pune, ashtu siç bëri edhe kur ishte kryetar bashkie.
Edi Rama e kërkon pushtetin dhe mbajtjen e karriges së PS me aq dëshpërim, saqë për këtë është gati të thotë dhe të bëjë çdo gjë. Por çdo herë që qytetarët kanë kërkuar që Shqipëria të ecë përpara, Rama ka bllokuar, bojkotuar, ka hyrë në greva urie, ka përdorur dhunë dhe ka dalë në protesta. Sepse Rama kujdeset vetëm për veten e tij dhe për të rritur pushtetin personal. Ka ardhur koha që Rama të ndalë fyerjet e tij ndaj inteligjencës dhe mençurisë së qytetarëve, duke u thënë atyre se ata nuk kanë arritur asgjë, duke u thënë se bizneset e tyre nuk janë rritur, se nuk kanë kuptim as arritjet e tyre akademike, as rrugët e reja, as shkollat dhe as qendrat shëndetësore për realizimin e të cilave, qytetarët vetë kanë dhënë kontributin e tyre”, deklaroi Bogdani.