Avokatja Brizida Gjikondi ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Znj.Gjikondi në një intervistë për gazetën “SOT” foli për goditjet e njëpasnjëshme të SPAK për të reformuar drejtësinë e re në vend duke luftuar korrupsionin e gjallë që ‘lëvron’ nga kulisat partiakë që për vite me radhë janë përpjekur ta ‘kafshojnë’ me dhëmbë këtë vend duke thënë se ‘triumfi’ i SPAK nuk është vetëm arrestimi i liderëve politik, por sekuestrimi i pasurisë ku kanë grabitur për vite me radhë shqiptarët,ku sipas saj drejtësia e re iu ka lënë kohë të kopsitin dhe letrat e dosjet e zeza që pluhurosen në GJKKO e SPAK. Po ashtu avokatja tha se Ilir Meta dhe Sali Berisha janë dy figura të tejet të konsumuara dhe veç skandaleve nuk kanë me çfarë të tërheqin vëmendjen. Madje Znj.Gjikondi tha se Ilir Meta po fut turinjtë te zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut duke përkrahur forcat anti-perëndimore. Ajo tha se Meta nuk ka kërkuar të takojë Hashim Thaçin me shokë por kërkon të takojë Fredi Belerin e vorio-epirit.
-Zj Gjikondi, Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie prej dhjetorit të 2023, a mendoni se rrezikon t’i digjet mandati i deputetit, apo drejtësia mund ta lirojë nga akuzat?
Sali Berisha nuk mendoj se mund të lirohet nga akuzat, madje besoj se do i shtohen akuzat pasi kjo është më minimalja për të paguar në krahasim me ato që u ka sjellë shqiptarëve.
-Si i shihni sulmet e tij çdo natë nga banesa ndaj prokurorëve të SPAK që po hetojnë dosjet e tij?
Do të jetë në qendër të vëmendjes, dëshpërim dhe do të jetë faktor. Nuk ka asgjë në dorë, nuk i intimidon dot, nuk i bie dot amerikanëve por i bie SPAK-ut. Gjithmonë kështu është mbajtur pasi nuk ka pasur kurajo të merret me themelin por gjithmonë është marrë me derivatet.
-Nga ana tjetër, Ilir Meta është shfaqur shumë aktiv ditët e fundit duke bërë dhe sjellje që nuk janë të natyrës së tij, pasi gjithmonë ka mbajtur një profil të mbyllur si politikan. Ai po sulmon prokurorët e SPAK, madje ka dhënë sinjale se është i gatshëm të bëjë “kurban” dhe familjarët e tij kur bëhet fjalë për shkelje të drejtësisë. Keni një koment?
Ilir Meta dhe Sali Berisha janë dy figura të tejet të konsumuara dhe veç skandaleve nuk kanë me çfarë të tërheqin vëmendjen. Këto janë klithmat e fundit të sirenës. Besoj se jo vetëm në lidhje me performancën e tij psiqike, mendoj se nuk shtiret, por realisht nuk e mban dot prag burgun që po e pret sepse kjo është një figurë tipike që grabisin dhe poshtërojnë vendin e tyre po janë shumë frikacak kur zbulohen. Doja të shtoja diçka që se kam thënë asgjëkund. Një kërkesë që Ilir Meta ka bërë kërkesë në SPAK gjoja për të takuar Belerin, ose fut turinjtë te zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut duke përkrahur forcat anti-perëndimore. Mendoj se gjithmonë shqiptarët e epokave të tradhtarëve të mëdhenj, nuk i kanë kuptuar tradhtitë sepse ndonjëherë e ke trurin pak të nxehtë, ndërkohë nga ne nuk kuptohet se çfarë po bëhet. Meta nuk ka kërkuar të takojë Hashim Thaçin me shokë por kërkon të takojë Fredi Belerin e vorio-epirit. Ai nuk ka në terezi situatën e tij politike dhe juridike në Shqipëri dhe bën sikur po faktorizohet Maqedoninë e Veriut por edhe aty përsëri bie anti-kombëtar ndesh me interesat e Shqipërisë. Drejtësinë e ka të pashmangshme me ato që i ka bërë shqiptarëve, me atë që do e gjejë nga drejtësia shqiptare. Ndëshkimi më i madh për familjen Meta dhe Berisha është t’ju konfiskohet pasuria, ajo që i kanë vjedhur Shqipërisë, jo burgu. Sepse duhet të ndëshkohen aty ku iu dhemb më shumë, për aq sa vlejnë, sa korrupsioni që kanë bërë.
-SPAK ka futur në sitë pasuritë e familjes Berisha dhe Meta, mendoni se mund të ketë sekuestrime pasurish për shkak se gjithë këto vite është folur për shumëfishimin e dyshimtë të parave të tyre?
Besoj se po, por do jete minimalja që do iu kapin pasi koha e ka bërë të mundur t’i pastrojnë dhe fshehin pasurinë. Të bën përshtypje t’i shohësh kaq të rrënuar psiqikisht, njërin nëpër ballkone dhe tjetrin nëpër palestër. Nuk është as pak dhe as shumë, por të paktën është diçka në 30 vjet mes ndëshkimit.
-Ndërkohë si i e patë paraqitjen e fundit të zonjës Fatime (e ëma e Monika Kryemadhit) në SPAK, ku pas daljes tha që është pyetur për çështjen e pallatit, diçka që është përmendur dhe nga zonja Kryemadhi, ku pretendoi se gjithçka e ka të faktuar me transaksione bankare. Çfarë po ndodh sipas këndvështrimit tuaj?
Unë e mirëkuptoj zonjën Fatime, pasi jam vetë nënë dhe çdo nënë bën gjithçka për të mbrojtur fëmijën e vet. Nuk dua të komentoj më shumë Fatimen sesa vajzën e Fatimes apo burrin e vajzës së Fatimes. Fatimja është një nënë si të gjitha nënat që do të mbrojë fëmijën e saj. Sa i përket çiftit janë në një krizë reale, nuk është për të fshehur lekët dhe të gjitha. Dihet se personat që kanë luhatje psiqike personat e parë që bëjnë dasmë janë familjarët dhe të afërmit. Më shumë i kam parë si një biznes sesa si një familje.
-Zonja Fatime pas daljes thotë kam pasur një tokë, kam patur një shtëpi, kam punuar, I kam të gjitha me bankë dhe me paratë e pallatit kam ndihmuar dhe vajzën. I besoni?
Prej 30 vitesh ato kanë pasur dhe gurin dhe arrën edhe kanë shtrirë metastazat e tyre në çdo sektor privat dhe publik. Nuk çuditem fare që t’i kenë ‘kopsitur’ letrat. Prandaj them që një nënë ashtu do të thotë, ne e dimë shumë mirë që ajo familje nuk justifikon dot asnjë semestër të shkollimit të fëmijëve të vet, jo më vite të tëra shkollimi në Angli. Të mos themi dhe gjobvëvënjet e anëtarëve të LSI-së që punonin në shtet. Ato bëjnë shoë këtu, kakarisin e bëjnë palestër pasi këtu edhe morali është korruptuar dhe kompromentuar. Në këto vite në qeverinë Rama thelloi shumë korrupsionin në të gjitha strukturat e institucioneve shqiptare. Në një deklaratë para pak ditësh dukej kriza e tij personale e Ramës ku shprehej se tenderat do i bëjmë në mënyrë digjitale, automatike me robot dhe kjo është e turpshme. Ai indirekt pranon që ka vënë qenie të sëmura e të korruptuara sepse nuk janë ashtu të gjithë shqiptarët por ata e kanë mbajtur afër dhe janë imazhi i tij dhe thotë fajin e kanë lekët. Ai gjoja do rregullojë sesi do bëhet tenderi po nuk ka në qendër njerëzit që mban afër pasi njerëzit që mban afër janë qenie të kalbura në moral dhe grabisin popullin e tyre. Kështu e quaj korrupsionin shtetëror, që është krimi më i ndryrë, dëbues e poshtërues ndaj shqiptarëve.
-Duke parë goditjet e SPAK si djathtas, por edhe majtas, si i shihni pozitat e qeverisë?
Unë jam totalisht pro SPAK-ut, është e vetmja pozitë reale dhe e shëndetshme në Shqipëri. Mendoj se SPAK shumë pak i ka hapur petët e byrekut. Qeveria Rama në shumë ministri dhe dikastere të saj vuan dhe lëngon nga një imoralitet dhe korrupsion karakterial i madh i titullarëve që e drejtojnë.
-A ka ardhur koha që do të marrë fund pandëshkueshmëria në Shqipëri, ku të paprekshmit do të japin llogari para drejtësisë për aferat e tyre korruptive dhe kriminale ndër vite?
Besoj se po, jam e bindur që ka filluar. Zoti iu dhëntë jetë njerëzve idealist të SPAK-ut pasi nuk janë të gjithë njësoj idealist si zoti Dumani pasi disa janë zgjatues të liderëve politik. Mendoj që ky institucion me kalimin e kohës ky institucion të fuqizohet pasi jo më kot është dhe institucioni më i votuar dhe më i pëlqyer nga shqiptarët. Vetëdija e popullit është gjithmonë e orientuar saktësisht drejtuar moralit kombëtar.