Shtohen telashet për ish-kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit prej disa muajsh është rikthyer në krye të Partisë Demokratike përmes një vendimi të nxjerrë nga gjyqtari Agron Zhukuri, çështje kjo që është ende në gjykata, çka tregon se Berisha është qëndron aty në mënyrë të paligjshme, pa folur akoma drejtësia. Sot që flasim zien debati se kush e drejton realisht Partinë Demokratike, paçka se institucioneve vendase dhe ndërkombëtarëve, madje dhe vetë zyrtarët e “Foltores”, e praninë se kryetar legjitimi i PD-së është Lulzim Basha. Por teksa paritet politike kanë ndezur motorët për zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2023, Berisha ka marrë një goditje shumë të fortë nga institucioni që menaxhon këto zgjedhje. Bëhet fjalë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili i ka dhënë shpjegimi pyetjes se kush regjistrohet me logon e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 Majit, PD-ja e kryesuar nga Berisha apo nga grupi i drejtuar nga Alibeaj? Kjo është një ndër pyetjet që ngrihet, pas dështimit të negociatave në Partinë Demokratike për daljen me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e 14 Majit, e cila ka marrë përgjigje nga vetë KQZ gjatë një reagimi për emisionin “Opinion” në TV Klan. Në përgjigje, shihet qartë se për momentin Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njeh si kryetar të Partisë Demokratike, Lulzim Bashën dhe grupin e Enkelejd Alibeajt. “Partia që kërkon të regjistrohet si subjekt zgjedhor në KQZ ka detyrim të paraqesë në këtë institucion krahas të tjerave një vërtetim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sipas ligjit për partitë politike, është kjo gjykatë e cila mban regjistrin e partive politike. Ky regjistër, sipas këtij ligji përmban krahas të tjerave numrin rendor të regjistrimit, emrin e plotë të partisë, inicialet e partisë, stemën e partisë, emrin e kryetarit të partisë. Këto element i përmban dhe duhet t’i përmbajë vërtetimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë i cili depozitohet në KQZ kur kërkohet që të bëhet regjistrimi i partisë si subjekt”, thuhet në reagimin e KQZ, të drejtuar nga Ilirjan Celibashi. Pra, kjo deklaratë duket se është një kambanë alarmi për Sali Berishën, i cili nuk ka gjasa të regjistrojë kandidatët e tij në zgjedhjet e ardhshme vendore nën siglën e Partisë Demokratike, për aq kohë që edhe gjykata nuk ka folur, pasi këtë të drejtë e gëzon grupi i Alibeajt. Ndërkohë duke qenë se do të hyjë në siglën e Partisë së Lirisë, votat e demokratëve të Berishës do të numërohen nga shtatë komisionerë që i përkasin Metës, Ramës dhe Alibeajt.
Celibashi njeh grupin e Alibeajt
Por nëse zgjedhjet vendore do të ishin sot, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi theksoi dje gjatë një konference për shtyp ku dha detaje për zgjedhjet e 14 majit, të cilat gazeta po i pasqyron më poshtë me zëra, se përfaqësuesit e PD-së në KQZ janë Marash Logu dhe Indrit Sefa, nga grupi i Enkelejd Alibeajt, duke i dhënë kështu shuplakë Berishës.
Plani i Punës i KQZ
KQZ ka identifikuar dhe punuar për projektaktet të cilat duhet të miratohen për zgjedhjet e datës 14 Maj 2023. Janë 122 akte të cilat do të miratohen nga të cilat:
1. 85 nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve;
2. 37 nga Komisioni Rregullator.
Është përgatitur plani i punës dhe janë rreth 107 etapa të procesit zgjedhor dhe momente të rëndësishme të zgjedhjeve, prej të cilave rrjedhin 713 detyra konkrete për Administratën e KQZ-së. Ndjekja e ecurisë së këtyre etapave dhe detyrave konkrete do të bëhet përmes sistemit që KQZ ka ngritur për këtë qëllim.
Projekte/ Modulet
KQZ ka përgatitur rreth 13 projekte për digjitalizimin e aspekteve të ndryshme të procesit zgjedhor:
Projektet për digitalizimin:
1. Aplikacioni i Ri KQZ;
2. Moduli mbi financimin e partive/subjekteve
3. Moduli i regjistrimit të subjekteve zgjedhore
4. Moduli për akreditimin e vëzhguesve
5. Sistemi i menaxhimit elektronik të dokumenteve dhe akteve elektronike (e-aktet)
6. Moduli i rekrutimit të punonjësve të përkohshëm
7. Sistemi i menaxhimit të informacionit për qendrat e votimit dhe objektet zgjedhore
8. Gjurmimi i ankimeve zgjedhore dhe denoncimet
9. E-Administrata zgjedhore dhe linja e ndihmës për nivelin e dytë e të tretë të komisioneve zgjedhore
10. Moduli i informacionit zgjedhor (e-archive)
11. Infrastruktura fizike TIK e KQZ
Projekte të tjera:
1. Edukimi dhe informimi i zgjedhësve
2. Rritja e kapaciteteve logjistike të KQZ (Ndërtim dhe sistemi i menaxhimit të magazinës)
3. Programi i trajnimit të vazhduar të administratës zgjedhor dhe e-learning
Afatet
Disa nga afatet zgjedhore me interes për subjektet:
a. 13 Janar 2023 – fillimi afatit për raportimin e institucioneve publike në lidhje me veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë deri ditën e zgjedhjeve (DZ);
b. 06 Mars 2023 - përfundon afati për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e partive politike;
c. 15 Mars 2023 - përfundon afati për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e koalicioneve – (jo më vonë se 60 ditë përpara DZ);
d. 27 Mars 2023 - përfundon afati për paraqitjen e kandidatëve për kryetar bashkie dhe listave shumemërore të kandidatëve për këshilltar – (jo më vonë se 50 ditë përpara DZ, shtyhet me dt 27 mars për shkak se data 25 është ditë e shtunë/dielë);
e. 14 Prill 2023 - fillon fushata zgjedhore; (30 ditë para DZ);
f. 8 Maj 2023 – përfundon afati për publikimin e sondazheve – (5 ditët e fundit para datës së zgjedhjeve nuk mund të publikohen rezultatet e sondazheve zgjedhore);
g. 13 Maj 2023 - përfundon fushata zgjedhore dhe fillon heshtja zgjedhore.
Disa nga afatet zgjedhore me interes për vëzhguesit/median:
a. 02 Maj 2023 - afati i fundit për paraqitjen e kërkesave për vëzhguesit vendas;
b. 11 Maj 2023 – afati i fundit për paraqitjen e kërkesave për vëzhguesit ndërkombëtar; (jo më vonë se 72 orë para DZ).
Disa nga afatet zgjedhore me interes për zgjedhësit:
a. 23 Nëntor 2022 – shpallet lista paraprake e zgjedhësve (30 ditë pas dekretit)
b. 15 Mars 2023– përfundon afati për të kërkuar ndryshime në listën paraprake të zgjedhësve (60 ditë para DZ);
c. 9 Prill 2023 – shpallet Lista Përfundimtare e Zgjedhësve (35 ditë para DZ).
KQZ ka filluar punën në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe Ministrinë e Brendshme në kuadër të përgatitjes së listave të zgjedhësve. Jemi në komunikim me kryetarët në detyrë të njësive të qeverisjes vendore dhe u është kërkuar që të japin të gjithë informacionin që lidhet me vendndodhjen e qendrave të votimit dhe gjendjen e tyre me informacion të hollësishëm për të gjithë elementët që i bën qendrat e votimit lehtësisht të aksesueshme nga të gjithë kategoritë e votuesve. KQZ i ka dërguar një formular elektronik, i cili bën të mundur dhënien dhe verifikimin e informacionit të kërkuar.
Administrimi i procesit
Procesi i pritjes së dokumenteve dhe regjistrimit të listave shumemërore të kandidatëve për kryetar bashkie dhe për këshillat bashkiakë do të administrohet nga Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor për 50 bashkitë të cilat kanë 1 KZAZ. Për 11 bashkitë të cilat kanë më shumë se 1 KZAZ, administrimi i procesit do të bëhet nga KQZ.