Ashtu siç gazeta “SOT” e ka paralajmëruar prej disa ditësh, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka kryer dje një “atentat” ndaj demokracisë dhe pluralizmit në Shqipëri, ndërsa i është bindur verbërisht urdhrave të “non gratës” Sali Berisha dhe ish-presidentit Ilir Meta, duke nxjerrë jashtë loje PD-në zyrtare. Në mënyrë të paprecedentë dhe të padëgjuar e aplikuar më parë, që edhe vendet diktatoriale dhe komuniste do e kishin zili, zoti Celibashi zgjodhi të kthehej në “ushtar” i Sali Berishës, teksa ka vendosur të mos regjistrojë në zgjedhjet lokale të 14 majit Partinë Demokratike të përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj. Javën që lamë pas, Celibashi kërkoi plotësim dokumentacioni, me argumentin se Lulzim Basha duhet të lëshojë një deklaratë solemne mbi angazhimin në zgjedhje, pasi në regjistrin e gjykatës figuron ende kryetar. Grupi i Alibeajt nuk e pranoi, pasi sipas tyre, Basha është larguar dhe detyrën e ka marrë nënkryetari. Për pasojë, çështja shkoi në KAS, por ankimim nuk u pranua dhe u kthye te Celibashi, i cili mbajti dje një mbledhje të posaçme për këtë çështje. Ky i fundit në argumentet e tij, këmbënguli dhe shprehu bindjen se autorizimi duhet të nënshkruhet nga Lulzim Basha, pasi sipas tij, atë njeh gjykata si kryetar. Për këtë arsye, ai deklaroi se PD nuk mund të regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit. “Në kushtet kur deklarata nuk është nënshkruar nga kryetari i partisë, apo ai që i ushtron ligjërisht atributet, kërkesa për PD nuk ka bazë ligjore dhe nuk duhet të pranohet. Në përfundim. PD nuk mund të regjistrohet në zgjedhje, kjo vendimmarrje është në vlerësimin ligjor të fakteve dhe në interpretim të bazuar në ligj. Nuk ka asnjë interes politik apo tjetër veç atij të respektimit nga kushtet”, deklaroi ai. Mirëpo, me këtë lëvizje, Ilirjan Celibashi nuk ka bërë gjë tjetër veçse i ka hapur Sali Berishës “dritaren” e futjes në zgjedhje. Ndonëse pranoi se PD nuk i takon Berishës, Celibashi me këtë vendim ka mundësuar që PD të përfaqësohet indirekt nga Saliu. Ky i fundit do të hyjë në zgjedhje nën logon e një prej partive aleate dhe të një koalicioni dhe në momentin që logoja e PD zyrtare nuk është përballë tij, e ka më të lehtë të orientojë demokratët që të votojnë kandidatët e “Foltores” të dalë nga procesi farsë i “Primareve”.
Celibashi i tregon PD zyrtare recetën për të ndalë nga ngërçi
Më tej Ilirjan Celibashi theksoi se Partia Demokratike duhet ta kishte zëvendësuar Lulzim Bashën në Gjykatë. Sipas tij, duhej të ishte informuar gjykata për dorëheqjen dhe detyrat i merrte Alibeaj. “Ju thatë që Lulzim basha ka dhënë dorëheqjen dhe nuk mund ta firmoste deklaratën. Bie në kontradiktë me veprimet konkrete të bëra nga ana juaj. Sipas jush nënshkrimi i kësaj deklarate nga i autorizuari prej z. Lulzim Basha, Alibeaj është plotësisht në përputhje me ligjin. Mundet që deklarata të nënshkruhet edhe nga nënkryetari i Partisë në disa raste të tjera por duhet që organet e tjera të partisë duhet të dorëzonin në Gjykatë vendimmarrjen që ngarkonin një person tjetër. Organet e tjera drejtuese duhet të depozitonin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendimin që kryetari i Partisë Demokratike ka dhënë dorëheqjen. Si ligji për partitë, ashtu edhe Kodi Zgjedhor nuk e detyrojnë një parti që të zgjedhin kryetarin e ri por një parti mund të vendosë për një organ tjetër që ta zëvendësojë. Organet e tjera drejtuese të Partisë Demokratike kanë pasur një vit kohë për ta bërë diçka të tillë. Vetëm kështu nënkryetari i PD Alibeaj do të ishte kryetar”, nënvizoi Celibashi.
Përfaqësues i Bashës përplaset me Celibashin
Por mbledhja e djeshme KQZ nisi me debate të forta, teksa përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike zyrtare, Indrit Sefa ka pasur kritika. Sefa u shpreh se ai cilësohet në dokument si që përfaqësues i PD të drejtuar nga zotit Basha dhe kërkoi të korrigjohet sepse ai tha se është përfaqësues vetëm i Partisë Demokratike. Madje, zoti Sefa deklaroi se nuk ka çfarë dokumentacioni të plotësohet dhe Komisioneri duhet të regjistrojë PD në zgjedhje. Po ashtu, ai deklaroi se në projektvendim përmendet dhe LZHK, që sipas tij, nuk mundet që për të njëjtën çështje të ketë dy subjekte. Në këto kushte, ai ka kërkuar që kërkesa e tyre të shqyrtohet më vete dhe ajo në të njëjtë mbledhje. Sipas tij, për çdo kërkues Komisioneri duhet të dalë me vendim më vete. Gjithashtu, Sefa theksoi se nuk mund të legjitimohet ai grup të ankimojë vendimin në KAS. “Po e fut procesin në ngërç. Po i jep të drejtë palës tjetër ta ankimojë. Nëse vijnë dy kërkues i hap shteg ankimimeve në të gjitha etapat gjyqësore”, deklaroi mes të tjerash Sefa.