Ngjarjet e ndodhura pak ditë më parë, ku terroristët serbë të mbështetur nga ushtria e Serbisë vranë një polic deklarata kryeministrit Edi Rama për marrjen e veriut të Kosovës nën kontroll nga forcat e KFOR-it ka shkaktuar dje debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Ky i fundit ka mbajtur një minutë heshtje për policin e Kosovës, Afrim Bunjaku që mbeti i vrarë nga sulmi i një grupit serb në 24 shtator në Banjskë. Por heshtja i bashkoi vetëm për disa minuta të dyja palët që më pas iu rikthyen debateve për qëndrimet ndaj sulmit terrorist dhe Beogradit zyrtar. Partia Socialiste ka propozuar një pr/rezolutë në Kuvend për mbështetjen e Kosovës, lidhur me situatën e krijuar gjatë ditëve të fundit në veri të saj. Propozimi është njoftuar nga Ish-ministrja e Jashtme Mimi Kodheli e cila ftoi dhe opozitën që t’i bashkohej kësaj rezolute. Por, ndonëse Kodheli i kërkoi opozitës që t’i bashkohej nismës së socialistëve, Rithemelimi që tashmë komandohet nga një pjesë e deputetëve demokratë me në krye Gazment Bardhin ka dorëzuar po ashtu një rezolutë për sulmet në veri. Me sa duket, mes mazhorancës dhe opozitës nuk ka një konsensus për këtë çështje ndërsa pritet që javën e ardhshme, Parlamenti t’i shqyrtoje këto 2 rezoluta. Propozimi i Bardhit kërkon miratimin e një rezolute për të dënuar sulmet e 24 shtatorit. Të dyja propozimet do të kalojnë në konferencën e kryetarëve të mërkurë për tu diskutuar më pas në komisionet parlamentare.
Debatet
Ndërkohë në emër të qeverisë shqiptare, foli ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, teksa dënoi me forcë krimin e pak ditëve më parë, apeloi për drejtësi. “Qeveria ka dënuar aktin kriminal në Kosovë. Ka tentativa të rrezikshme për të destabilizuar Kosovën. Nxitësit duhet të ndëshkohen. Dita e zisë në Beograd është sinjali më i keq që i jep rajonit. BE dhe SHBA duhet të ngrenë lart alarmin për përshkallëzimin e situatës dhe garantimin territorial të Kosovës. Duhet të ketë shtim të KFOR-it si garanci për sigurinë në Kosovë”, deklaroi Hasani. Por pas fjalës së ministrit të Jashtëm, Igli Hasani drejt foltores shkoi deputeti Gazment Bardhi, i cili hodhi akuza të forta ndaj kryediplomatit shqiptar. Bardhi ka kritikuar ministrin që nuk përmendi asnjë fjalë për masat ndaj Serbisë dhe nuk mbajti asnjë qëndrim në lidhje me deklaratat skandaloze të Ramës, sipas Bardhit, për marrjen e veriut të Kosovës nga KFOR. “Prisja nga ministri i jashtëm që të dënonte rastin dhe prisja të merrja vesh nëse ka kërkuar sqarim për deklaratat e kryeministrit mbi marrjen që duhet t’i bëj KFOR veriut të Kosovës. Prisja gjithashtu që ministri të fliste se a ka kërkuar masa Shqipëria për Serbinë. Kjo sallë sot duhet të kishte çështjen e Kosovës për diskutim. Çfarë po bën ministria jonë e jashtme për sulmin ndaj Serbisë. Me keqardhja ministri jonë i jashtëm lexoi statuset që ka bërë kryeministri këto 48 orë e fundit”, nënvizoi Bardhi. Ndërkaq një tjetër debat është zhvilluar mes deputetit të PS, Erion Braçe dhe deputetit të “Foltores”, Saimir Korreshi mbi bujqësinë. Deputeti Korreshi ka deklaruar se bujqësia ndodhet në ditën e saj më të zezë, ndërsa deputeti Braçe theksoi se demokratët kanë përfituar më shumë se socialistët në Lushnje.
Berisha sulmon Ramën për deklaratën
Nga ana tjetër, ish-kryeministri, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në seancën e djeshme, teksa u ndal tek sulmi terrorist në Veri të Kosovës dhe deklaratat e Edi Ramës, akuzoi këtë të fundit si “argat i Vuçiçit”, i cili punoi për “projektin e copëtimit të Kosovës”. “Nikolla Pashiq është gjithashtu kryeministri më kruel, më i pamëshirë, barbar, mizor kundër shqiptarëve. Pejës, krahinave të tjera të Kosovës gjatë luftërave Ballkanike. Pashiq është autori i krimeve më monstruoze për të cilat Trocki thotë se mbushi Vardarin me koka shqiptarësh. Majkëll Martin gjen Edi Ramën, 100 % të krahasueshëm, sepse Edi Rama nga dita që edhi në pushtet gjer në datën 25 shtator u bë avokat kryesor i të gjitha projekteve të serbomnadhisë. U bë po aq armik i shqiptarëve të Kosovës dhe kombit shqiptar sa vetë Aleksandër Vuçiç. Edi Rama pas vizitës në Beograd, në mënyrën më persistente u angazhua për realizimin e projektit të ndarjes dhe copëtimit të Kosovës. Ndaj dhe Majkëll Martin thotë se, pas Pashiqit është kryeministri më i mirë i Serbisë. Edi Rama pasi dështoi në projektin e copëtimit dhe ndarjes së Kosovës, si argat i Vuçiçit u angazhua me të gjithë potencialin e tij për projektin ruso-serb të Ballkanit të Hapur. Ai vuri në darë Kosovën, vetëm e vetëm për ta nënshtruar atë në një projekt që shënonte vendosjen e hegjemonisë serbe dhe në shekullin e 21, mjerisht përsëri pas 100 vitesh në rajonin e Ballkanit. A ka argat më të shpifur më të shpërfytyruar se ky. A ka albanofob me të madh në historinë shqiptare se Edi Rama. Pas sulmit terrorist, Rama del dhe kërkon konferencë ndërkombëtare për Kosovën. nuk përcolli ngushëllime familjes. si ndiheni ju nga kjo sjellje?”, deklaroi ai.
“Non-Grata” bën thirrje për protesta
Sakaq, duke folur jashtë Kuvendit të Shqipërisë, ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar për një lëvizje të fuqishme dhe për organizim të protestave pas humbjes edhe në zgjedhjet e Kukësit. Berisha ka refuzuar të pranojë se në Kukës u zhvilluan protesta të ndershme. “Thirrje ime për shqiptarët, për 600 mijë idealistë shqiptarë që refuzuan me përçmim çdo formë kontrolli antiligjor të vullnetit të tyre, të përgatitemi në protesta të qëndrueshme të fuqishme për të larguar këtë pushtet që qëndron i bazuar në raportoni krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim. Thirrje ime për shqiptarët është kurrë mos përligjini një votë të vjedhur. Vota e vjedhur apo vota në preson nuk shpreh vullnetin tuaj, por të atyre që ju rrëmbejnë të drejtën e votës. PD qëndron fuqishëm e vendosur të udhëheqë shqiptarët drejt një përpjekje të madhe për të votuar të lirë si qytetarët e tjerë të rajonit dhe Evropës”, u shpreh ai. Po ashtu, Berisha komentoi edhe raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 14 majit, duke thënë se kushdo qe e lexon ate raport gjen përqindje që përmbysin zgjedhjet. “Vota e kontrolluar është vota e skllavëruar, vota e kontrolluar është vota e diktaturave, e regjimeve totalitare. Ajo nuk është më votë e lirë. Vota e kontrolluar është de fakto në vdekje klinike. Raporti konstaton se për kontrollin e votës u përdoren mjetet më të paligjshme, u përdoren mjete që dhunuan kodin zgjedhor, kushtetutën, standardet e zgjedhjeve të lira dhe kodin e Venecias. Makinerisë së frikës dhe presionit i priu kryeministri shqiptar me kërcënimet e tij banditeske ndaj qytetarëve në rast se do votonin për kandidatët e opozitës. Raporti tregon se zgjedhjet u kontrolluan nga administrata se aplikacioni aktivist dhe terroristet e kuq të votës me petkun e patronazhistit bënë gjithçka për të diktuar vullnetin qytetarëve shqiptarë. Cilido që lexon me vëmendje këtë raport gjen përqindje që përmbysin zgjedhjet. Cilido që lexon këtë raport gjen se 14 maji ishte një farsë e vërtete elektorale”, nënvizoi ish-kryeministri Sali Berisha.