Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi komentoi zhvillimet e djeshme para dhe brenda Kuvendit të Shqipërisë nga opozita. Në një prononcim për mediat, deputeti Koçi ironizoi ish-kryeministrin Sali Berisha, duke thënë se drejtuesi i fraksionit të protestave në Partinë Demokratike nuk u poq kurrë. “Unë e shikoj kështu që, ky i fraksioni që drejton protestat vajti 80-vjeç dhe nuk u poq kurrë”, deklaroi ai. Më herët deputeti i PS, Petro Koçi komentoi dhe veprimet e deputetëve të Partisë Demokratike dhe sidomos tensionet e shkaktuara nga ligjvënësit e “Foltores” brenda Parlamentit, teksa tha se këto veprime të opozitës janë të planifikuara. Madje, Koçi theksoi se pas dështimit të protestave, opozita sipas tij, po e zhvendos tensionin në Kuvend. “Edhe ne kemi praktikuar një lloj revolte në Kuvend kur na është hequr e drejta e votës së fshehtë. Ju kujtohet një mocion që do bëhej për zonjën Topalli dhe nuk na është lejuar që votimi të bëhej i fshehtë. Opozita sot po përpiqet që dështimin e saj në protesta ta zëvendësojë me dhunë në Parlament. U bënë disa seanca që më shumë flet opozita sesa mazhoranca. Ata e kanë planifikuar që të përjashtohen dhe të shkelin hapur rregulloren. Sot kanë shkulur mikrofonat përveç se i kanë fryrë bilbilit. Nuk ka ndonjë qëllim nga mazhoranca që t’i përjashtojë”, u shpreh ai. Por ndonëse përçarja e PD në dy grupe vijon të jetë aktuale, për Koçin edhe sikur ata të jenë të bashkuar, nuk do të arrijnë dot rezultate pozitive në vendoret e 14 majit. “PD si e bashkuar si e pa bashkua, si me vulë si pa vulë do humbas zgjedhjet në 14 maj”, tha ai. Lidhur me ngritjen e një komisionin hetimor për çështjen “McGonigal” të kërkuar nga opozita, Koçi theksoi se nuk është marrë një vendim për dy arsye. Së pari sipas tij, ka një iniciativë për ndryshime ligjore për ngritjen e komisionit dhe së dyti, në kërkesën e opozitës ka dyshime për falsifikim të firmave. “Janë dy çështje. Ka një iniciativë për të ndryshuar ligjin për komisionin hetimor. Por ka e një problem tjetër që duket si teknik por është çështje më e thellë morale. Disa deputetë dyshohet se kanë falsifikuar firmat. Ka pasur 2-3 iniciativa që në përmbajtje kanë të njëjtën gjë dhe këto janë bashkuar të gjitha në formën e një mocioni. Kjo është një flluskë sapuni dhe kështu ka për të përfunduar”, nënvizoi Koçi.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë