Goditjet e Prokurorisë së Posaçme dhe pozitën e vështirë në të cilën ndodhet kryeministri Rama pas thellimit të hetimit në aferën “McGonigal”, inceneratorëve dhe problemeve që dyshohet si janë shtuar me drejtësinë në lidhje me Olsi Ramën, ka rigjallëruar opozitën brenda PS. Me një dorëheqje të detyruar të Ramës përpara zgjedhjeve të 2025, situata brenda Partisë Socialiste do të jetë me e nxehtë se kurrë. Lufta e nëndheshme e 3 klaneve që po zhvillohet në PS pritet të dalë në sipërfaqe pas largimit të Ramës. Përplasja do të jetë shumë e egër. Klanet socialiste janë gati dhe të përgatitura mirë për tu aktivizuar më fort se kurrë kur të vijë momenti i zhvillimeve të mëdha. Si fillim është Erion Veliaj, lojtari më i fortë në fushë, i cili ka pas vetes veteranë socialistë, si Etjen Xhafaj, Fatmir Xhafaj, Toni Gogu, Etilda Gjonaj dhe shumicën e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS. Po ashtu është dhe Belinda Balluku në grup me Damian Gjiknurin. Nga ana tjetër në lojë është futur dhe Blendi Gonxhe që po mbështetet fuqishëm nga kryeministri Rama. Gonxhe mund të jetë “asi nën mëngë” i kryeministrit Rama, nëse ndodh skenari që vazhdon të përsëritet çdo ditë nga opozita, ai i zgjedhjeve pa Ramën në krye të PS. Në këtë situatë, Rama do të vendosë Gonxhen në vendin e tij.
Rama kërkon të dobësojë Veliajn
Nga ana tjetër, në PS po përpiqen të dobësojnë Veliajn, pasi e shohin si lojtarin më të fuqishëm në betejë dhe këtë e kanë treguar rezultatet e tij me rekorde të pakonkurrueshme në krye të Bashkisë së Tiranës. Për të treguar se forcën e tij po e ekzagjërojnë, u kujdes kryeministri Rama. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare të PS, kryesocialisti sulmoi para drejtueseve Veliajn. “Ça janë këto mbledhje kot që bëni, je bërë si OJQ”-mësohet t’i jetë drejtuar Rama Veliajt, duke iu referuar riorganizimit të PS-së për qarkun Tiranë dhe veçanërisht rezultatin mjaft të dobët në dy bashkitë Kavajë dhe Rrogozhinë, ku PS e humbi Kavajën. Rama e sulmoi hapur dhe plani i tij është që të dobësojë pozitat e Veliajt, për shkak se e sheh si rrezik për t’i marrë partinë. Në këtë kontekst, mësohet se në prapaskenë po bëhet një luftë shumë e fortë, ku secili klan punon fort, në mënyrë që të fitojë simpatinë e kryeministrit Rama, me qëllim që në momentin e dorëheqjes së tij nga politika rruga të jetë e hapur.
Futja në lojë e Gonxhes
Nga ana tjetër, futja në lojë e Gonxhes ka futur në panik edhe Belinda Ballukun. Kjo e fundit është sponsorizuar shumë nga Edi Rama. “Belinda është burri më i fortë që kemi në qeveri sa për dijeni. Përveçse është edhe grua, edhe nënë, edhe shoqe, është edhe kokderre e madhe”, shprehej Rama gjatë takimeve teksa përshkruante Belinda Ballukun. Ajo është bashkëpunëtore Edi Ramës që prej vitit 2004. Në atë kohë, Balluku i ishte bashkuar stafit të Bashkisë Tiranë, që drejtohej nga Rama. Fillimisht si këshilltare për Marrëdhëniet me Publikun dhe më vonë si Drejtore e Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë. Prej vitit 2006, Balluku ka qenë pjesë Partisë Socialiste, ku ka drejtuar kabinetin e kryesocialistit gjatë periudhës janar 2011-janar 2012. Më 9 janar 2019, Balluku emërohet ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke zëvendësuar Damian Gjiknurin. Më pas Rama e bën numrin 2 të qeverisë. Por kandidatura e saj për të marrë PS mund të digjet, pasi edhe pse ka patur besimin e Ramës, Balluku është shumë e rrezikuar nga drejtësia e re për shkak të dosjeve ndaj saj që po bëhen mal në SPAK. Ajo është paditur nga opozita në Prokurorinë Speciale për të paktën 6 vepra penale në lidhje me koncesionin 30 milionë euro për Portin e Durrësit. Po ashtu, Balluku akuzohet edhe për disa tendera rrugësh. Një gjë është e sigurtë, që gazeta e ka evidentuar shpesh” Partia Socialiste është shndërruar në “fole grerëzash ” dhe se aty në çdo moment mund të plasë sherri dhe “lufta” për pushtet. PS mund të pësojë një fat edhe më të hidhur se PD.