Duket se Rithemelimi është “dorëzuar” sa i përket vulës së Partisë Demokratike, e cila i takon Lulzim Bashës. Deputeti i Sali Berishës, Lefter Gështenja duke folur për situatë e krijuar në radhët e opozitës, u shpreh se Rithemelimit i duhet një logo e re. Në një intervistë televizive në fundjavë, ai theksoi se duhet një ekip i ri dhe në riorganizim urgjent i strukturave në mënyrë që të jetë gati për zgjedhjet e ardhshme. Sipas deputetit, kjo çështje duhet zgjidhur sa më shpejt, për shkak se gjykata do ta zvarrisë sërish çështjen e vulës së PD. Mes tjerash, Gështenja tha se protesta e 20 shkurtit tregoi se kush është PD reale dhe se vula është thjesht një detaj. “Nëse do të lexosh mendimin tim them që duhet një strategji e re. Duhet një logo e re, gjithmonë referuar PD. Do të jetë një ping-pong i gjatë çështja e gjyqësorit, gjithsesi 20 shkurti tregoi qartë se kush është PD. Çështja e vulës është detaje por, që besoj se dhe Gjykata do të marrë një vendim. PD i duhet një ekip i ri, duhet me urgjencë riorganizimi i strukturave”, deklaroi Gështenja.
Tabaku kundër Berishës, Bardhit e Bashës
Ndërkohë, deputetja demokrate, Jorida Tabaku duket se ka filluar të mbajë një profil shumë më ndryshe nga gjithë të tjerët në PD. Gazment Bardhi u rreshtua krah Sali Berishës, teksa Basha ka mbetur fillikat. Por Tabaku kërkon një mënyrë ndryshe të të bërit opozitë. Ajo nuk mbështet asnjë krah, pasi sipas saj, beteja e opozitës duhet bërë në Parlament. Po ashtu ajo është kundër Berishës kur vjen puna te sulmet ndaj drejtësisë. Në një intervistë të dhënë në fundjavë, duke u ndalur te protesta, Tabaku u shpreh se protesta e 20 shkurtit, ku ajo ishte pjesëmarrëse, ishte një mënyrë për të kanalizuar pakënaqësinë ndaj qeverisë. Megjithatë, sipas saj, për PD nuk ka qenë asnjëherë problem mbushja e shesheve, por demokratët duhet të jenë në terren dhe të ofrojë një alternativë qeverisëse. “Unë nuk kam munguar në asnjë protestë të opozitës apo të PD. Protesta është një mënyrë shumë e mirë për të kanalizuar atë që ndjejmë ndaj qeverisë. Shqetësimi im ka qenë se çfarë ndodh të nesërmen pas protestës. PD nuk e ka të vështirë të mbushë sheshet, ne duhet të jemi patjetër në terren dhe të japim një alternativë qeverisëse”, tha Tabaku. Sa i përket qëndrimit të saj brenda radhëve të demokratëve, ajo u shpreh se është pjesë e grupit parlamentar të PD dhe gjithmonë ka qenë e hapur për bashkim, por ky i fundit duhet të ndodhë fillimisht në bazë. “Unë jam pjesë e grupit parlamentar të PD, por kam kërkuar një bashkim para 3 viteve, edhe para zgjedhjeve lokale. Këtë ndarjen që ka ndodhur në grupin parlamentar, ka ndodhur edhe në bazë dhe është e vështirë t’u themi këtyre qytetarëve të bashkohen pasi u bashkuam edhe ne. Unë e kam mbështetur idenë e Konfederatës si një formë bashkimi e opozitës”, deklaroi ajo. Sakaq, duke u ndalur te reforma zgjedhore dhe aksioni opozitar në Parlament, Tabaku tha se sistemi elektoral sot favorizon koalicionet. Po ashtu i dha goditje Berishës, duke thënë se PD nuk e ka dhe nuk e ka pasur betejën me SPAK dhe nuk duhet ta ketë. Tabaku ka kërkuar të marrë fund kaosi në Kuvend. “Me durim po pres të flas në foltoren e Kuvendit, sepse qytetarëve u mungon të flasim se për çfarë po ndodh. Mbyllja e seancave për pak minuta dhe miratimi i ligjeve pa debat është niveli më i ulët i parlamentarizmit. Jam e sigurt që mazhoranca do bënte të njëjtën gjë që ka bërë me ligjet, por ne do vëzhgonim procesin”, nënvizoi Tabaku mes të tjerash.
Reagon Alizoti
Nga ana tjetër, deputeti i Rithemelimit, Tomor Alizoti tregon si mund të zgjidhet kriza në Partinë Demokratike, ndërsa theksoi se Partia Demokratike duhet të futet në një etapë tjetër. Në fundjavë në një emision televiziv, Alizoti u shpreh se liderët prishin partitë, por shton se ish kryeministrin Sali Berisha, nuk mund ta anashkalojnë politikisht, pasi ka votat e tij. “Unë mendoj që Partia Demokratike duhet të gjejë një etapë tjetër, pra të ruajë historikun e Berishës dhe të futët në një etapë tjetër. Bashkë me të. Ai ka aksione të larta, politikisht nuk e anashkalon dot, është vendimtar. E fitoi betejën politike. Shumë njerëz më thonë, duhet ta kuptojnë që kjo nuk ka të bëjë me berishizmin. Nuk e fus veten te berishistët, nuk e fus veten te asnjë lloj adhurimi për liderët. Mendoj që liderët prishin partitë, prishin demokracinë. Do doja që lideri modern, është lideri menaxhues, jo lideri karizmatik. Lideri që shkatërron demokracinë, strukturat dhe partinë në vetvete, është lideri karizmatik. Ata janë liderat më të rrezikshëm për një shoqëri”, deklaroi Alizoti.