Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani ka reaguar ashpër këtë fundjavë sa i takon një shkrimi të publikuar në mediat online “kapital.al” dhe i ripublikuar tek “Syri.net” nga gazetari Klodian Tomorri, i cili ngrinte akuza për partitë e reja, se nuk kanë reaguar për korrupsionin në bashki. Përmes një shënimi në rrjetet sociale, zoti Shabani teksa nxjerr blof gazetarin Tomorri, zbulon disa nga skandalet e bëra publike nga Nisma Thurje. Më poshtë gazeta “SOT” po pasqyron reagimin e zotit Endri Shabani dhe artikullin e gazetarit Klodian Tomorri.
Ja reagimi i plotë i kreut të Nismës Thurje, Endri Shabani
Kush e ka fshehur kokën si struci?! Në një artikull tek kapital.al (dhe i ripublikuar tek syri.net) gazetari Klodian Tomorri ngrinte akuza për partitë e reja, se nuk paskemi reaguar për korrupsionin në bashki. Në interes të publikut me datë 8 Prill Nisma Thurje ka inicuar kërkesën për një komision hetimor në Këshillin Bashkiak, i cili synon të hetojë përgjegjësinë e kryetarit të bashkisë në emërimet e këtyre drejtorëve dhe procedurat e tenderimeve që kanë mundësuar këtë vjedhje. Së dyti përveç denoncimeve në rrjetet sociale kemi dalë disa herë në media duke shpjeguar me oriz e me mollë se sa e rëndë është kjo vjedhje. Ka të paktën 10 publikime të (video dhe artikuj) në mbështetje të aksionit të SPAK dhe kemi ushtruar presion publik që listës së të akuzuarve, t’i bashkëngjitet dhe Erjon Veliaj, për veprimet dhe mosveprimet e tij në lidhje me aferën 5-D dhe njëkohësisht për dyshimin e arsyeshëm që ai mund të jetë në krye të gjithë aktivitetit kriminal të drejtorëve të vet. Kemi shkuar madje edhe përpara hotelit të drejtorëve në Durrës duke treguar si aty janë përfshirë Erion Veliaj dhe Edi Rama, i cili i ka dhënë status “special” duke e përjashtuar nga taksat. Së treti, përveç kërkesës sonë për interpelancë, kemi firmosur në mbështetje të kërkesës së grupit të PL dhe rithemelimit në Këshillin Bashkiak. Tani, Zoti Tomorri si gazetar profesionist që është duhet ta kishte verifikuar këtë informacion përpara se të akuzonte padrejtësisht. Dhe për kaq do mjaftonte vetëm të vizitonte këtë faqe, faqen ne Tik-Tok dhe Instagram si dhe profilet e drejtuesve të Nismës. Se pse nuk e ka bërë vetëm ai e di. Por meqë është gazetar investigativ i sugjerojmë të investigojë përse kërkesa për një interpelancë me kryetarin e bashkisë ende nuk i ka marrë të gjithë firmat e anëtarëve të grupit të PL dhe Rithemelimit… Ky informacion mbase do tregonte se kush po e fsheh vërtetë kokën si struci.
Klodian Tomorri: Partitë e reja me kokën si struci
Thuajse të gjithë partitë e reja, të cilat premtojnë të ndajnë shqiptarët një herë e mirë nga korrupsioni dhe politika e vjetër 30 vjeçare, javët e fundit kanë futur kokën si struci dhe nuk e shikojnë se çfarë ka ndodhur në Bashkinë e Tiranës. Përtej disa deklaratave publike të Arlind Qorrit, që edhe këto janë shumë pak, në frontin e të rinjve nuk ka asnjë reagim. Aq më pak veprim politik për skandalin e madh që është në sytë e të gjithëve. Arsyet se pse mbeten mister. Mbase edhe nuk e kuptojnë mirë se çfarë ka ndodhur. Nëse është kjo, atëherë mund t’u vijë në ndihmë një shpjegim i thjeshtë. Bashkia e Tiranës de facto ka qenë një korporatë private. Pra një institucion publik, i cili është administruar me qëllim maksimizimin e interesave private të zyrtarëve të tij, të cilët kishin në dorë vendimmarrjen publike. Kjo e bën atë SHPK-në më të madhe në Ballkan. A nuk është kështu? Drejtori i policisë bashkiake, ende në detyrë, ndiqte dhe dhunonte fshatarët që shisnin prodhimet e tyre në rrugët e kryeqytetit për të monopolizuar tregun. Më pas me kompaninë e tij private merrte lejet përkatëse dhe ambientet publike nga bashkia e Tiranës për t’ja u dhënë me qira fshatarëve ose tregtarëve. Administratori i kompanisë publike Tirana DC merrte vendim për shembjen e pallateve nën pretekstin e tërmetit, me qëllim që kompania e tij private 5D të fitonte miliona euro nga prishja dhe rindërtimi i tyre. Qytetarët banorë në pallatet që shembte 5D nxirreshin në rrugë të madhe. Gjithë qytetarët e tjerë paguanin nga xhepi tenderin e prishjeve dhe koston e ndërtimit të pallateve të reja. Ky ka qenë një sistem kapilar. Çdo ditë në media publikohen fakte të reja, që dëshmojnë se thuajse çdo drejtues i rëndësishëm në Bashkinë e Tiranës, e madje edhe specialistët, kanë nga një kompani private në sektorin që ata mbulojnë. E megjithatë partitë e reja ende nuk kuptojnë. Gjatë këtyre javëve të fundit, për disa prej tyre çështja më e rëndësishme duket burgosja e Ilir Metës. Madje njëri prej drejtuesve të lëvizjeve të reja shpjegoi edhe pse kjo ishte më e rëndësishme. Sipas tij, Ilir Meta ka vjedhur para shumë kohësh dhe rrezikon që t’i parashkruhet vjedhja ndaj kjo çështje duhet mbajtur në fokus. Kjo nuk është shaka. Shqipëria është një vend qesharak. I qeverisur nga zyrtarë qesharakë dhe që ka prodhuar edhe shumë opozita qesharake. Kjo e strucit është prova e disatë. Fatkeqësisht. Por këtu ka nevojë për një sqarim. Të paktën, struci kokën e fut në rërë. Në këtë rast është shumë më keq. Këta e kanë futur në një vend shumë më të sikletshëm. Vetëm e vetëm që të mos shohin se çfarë ka ndodhur.