Politologu Ilir Kalemaj i konsideroi të tepërta dhe aspak pozitive për kohezionin e opozitës, përplasjet e fundit mes Nokës e Bardhit nga njëra anë dhe Flutura Açkës nga ana tjetër. Duke folur në një intervistë televizive, Kalemaj tha që është e ekzagjeruar sjellja ndaj Açkës, por nga ana tjetër vë në dukje se nuk mund të zhvillohej komisioni parlamentar sikur s’ka ndodhur asgjë, duke legjitimuar këtë mbipushtet.
“Janë skenarë aspak pozitiv sa i përket kohezionit të opozitës që shfaqet më e përçarë se kurrë. Në vend që energjitë të përqendrohen ndaj Edi Ramës, i cili ka grumbulluar pushtet gati absolut, të një ekzekutivi që ka asgjësuar gjithë Parlamentarizmin në Shqipëri mendoj që janë të tepërta skenat ku opozitat shfaqen në konfrontim me njëra-tjetrën. Nëse zgjedhjet e parakohshme do bëheshin nesër, si do dilte opozita?! Do kishte ndonjë shans për sukses kështu e copëzuar?! Ana tjetër e medaljes është fakti që me ketë superkryeministër, me këtë supermazhorancë, që i ka hequr çdo mjeti të kontrollit parlamentar opozitës, atëherë çfarë rruge ka opozita përveçse të bllokojë punimet normale të një Parlamenti. A është e ekzagjeruar sjellja ndaj një zonje deputete? Absolutisht që po. Po a duhet që edhe kryetarja e komisionit të zhvillonte punime normale sikur asgjë s’ka ndodhur nën këtë diell, dhe lë të legjitimonte këtë mbipushtet që përdor një pjesë të opozitës si fasadë, absolutisht që është e gabuar edhe nga ana e saj. E vërteta duhet thënë nga të dyja anët. Kjo mendoj që është e tepërt për njerëzit që votojnë për opozitën dhe që mendojnë se opozita do vijë në pushtet”.
Duke folur mbi sistemin zgjedhor Ilir Kalemaj tha:
Vet kam të paktën 10 vjet që flas për listat e hapura dhe proporcionalin kombëtar. Por dielli fshihet në detaje. Kishim një komision ‘ad hoc’ Bylykbashi-Gjiknuri. Bylykbashi si përfaqësues i kryetarit Basha atë kohë. Për shkak të mbylljes së listave vetëm 3 deputetë e thyen herësin, askush tjetër. Penalizon absolutisht partitë e vogla. Z.Rama e favorizon jo vetëm reforma zgjedhore, por edhe reforma territoriale. Do ndryshime kushtetuese. Mund të bëhet me tre zona zgjedhore, për një zonë zgjedhore duhet referendum. Pala e Rithemelimit ka këtë të keqe që po s’foli Berisha…Ai grup duhet të ketë vendimmarrje politike. Ky grup s’ka një mendim politik. Ka mendim privat, por mendim politik që mbështesim këtë sistem apo atë, nuk e thonë, dhe kjo është minus për ta. Opozita s’bashkohet rreth një lideri, por mund të bashkohen te tezat politike”.