Ashtu siç ishte paralajmëruar, dje u mblodh Konferenca e Kryetarëve, ku u diskutua kërkesa për mocion për debat, nga ana e grupit parlamentar opozitar (Rithemelimit) të udhëhequr nga deputeti Gazment Bardhi, lidhur me laboratorin e drogës në Xibrakë. Por kjo kërkesë nuk ka gjetur dakordësinë e mazhorancës. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi theksoi se nuk ka vend për debat në një çështje që i përket gjyqësorit. “S’kemi si te vendosim sot një datë për mocionin, kur mendojmë se ky mocion s’duhet zhvilluar fare pasi janë çështje të stër-ezauruara. Nga mënyra si është parashtruar kërkesa s’ka vend fare për mocion. Kërkesa e opozitës lidhet me çështje që janë gjykuar nga drejtësia madje edhe me vendime të formës së prerë, që janë ezauruar edhe në debatet parlamentare dhe komisionet hetimore parlamentare. Nuk mund të ulemi sot të flasim për datën e një mocioni”, deklaroi Çuçi. Ndërkohë Bardhi u shpreh se kjo çështje ka krijuar një problem të madh në trafikun e drogës dhe kjo duket edhe nga raportet ndërkombëtare. “Ju mund te jeni dakord që të mos ekzistojë opozita por se keni në dorë ju. Kërkesa për mocion me debat, është e drejtë e opozitës. Ju folët për çështje të ezauruar, por ju kujtoj se laboratori o Xibrakës nuk është çështje e ezauruar. Ka një dosje të veçuar e cila është në sirtar dhe nuk është trajtuar. Raportet ndërkombëtare flasin për një problem të shtuar të trafikut të drogës. Prandaj do duhet të ketë mocion për këtë çështje. Por ju s’keni interes kur folët për grabitje prone, s’keni interes kur folët për ekonominë, s’keni interes kur folët për krimin”, deklaroi Bardhi.
Grupi i Dialogut nis diskutimet për ndryshimin e sistemit dhe votën e emigrantëve
Ndërkohë edhe pse bëjnë sikur zihen, dje pazari Rama-Berisha ka shkuar në një tjetër stad. Kështu grupi i Dialogut i ngritur mes Rithemelimit dhe mazhorancës, pas 4 mbledhjes ka miratuar planin e punës për Reformën Zgjedhore. Pasi komisioni ku bashkëkryetar ishte Enklejed Alibeaj i PD, u mbyll pa produkt, tashmë puna është zhvendosur në grupin e dialogut. Sipas planit të punës të miratuar ditën e sotme, drafti për ndryshimet ligjore duhet të shkojë në Kuvend për votim jo më vonë se data 1 korrik, ndërsa vitin e ardhshëm mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. Sipas kalendarit të dakordësuar, puna do të nisë me çështje si zonat zgjedhore, diskutim që do mbahet më 24 prill. Mbetet për t’u parë nëse palët do të dakordësojnë për 1 zonë zgjedhore siç ka propozuar PD, apo propozimin për 4 zona zgjedhore nga aleatët, ose nëse do mbetemi me sistemin aktual me 12 zona zgjedhore. Propozimet për votën e emigrantëve do të finalizohen brenda prillit, kur edhe do të adresohen çështje si herësi. Për sistemin zgjedhor dhe koalicionet parazgjedhore, që janë edhe dy çështjet më të ndjeshme të ndryshimeve elektorale, PS e opozita i kanë lënë më shumë kohë vetes, duke dakordësuar që propozimet të bëhen gjatë gjithë kohëzgjatjes së punimeve për reformën zgjedhore, pra nga mesi i prillit deri në fund të qershorit. Lulzim Basha ka mbetur jashtë grupit të dialogut, ndërsa 6 anëtarët kanë në duar edhe propozimet e Partisë Demokratike. Grupi i dialogut u krijua si një mekanizëm i Komisionit të Ligjeve me anëtarë të barabartë pozitë-opozitë pikërisht për të çuar me konsensus drejt seancave plenare ligjet që kërkojnë 84 vota, reformat e rëndësishme por edhe ligjet që lidhen me integrimin në BE.
Ja plani i punës:
Tema dhe Çështje
Dispozita të përgjithshme: objekti, përkufizime dhe parime për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore.
Zgjedhësit dhe përgatitja e listës së zgjedhësve:
– përmbajtja, hartimi dhe miratimi i listës së zgjedhësve;
– procesi i përgatitjes së listës së zgjedhësve.
Regjistrimi i subjekteve zgjedhore, regjistrimi i kandidatëve, zona zgjedhore dhe numri i mandateve për çdo zonë. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nr. 31, datë 04.10.2021 dhe nr. 28, datë 30.06.2021. Votimi i shtetasve, administrimi dhe numërimi i votave të shtetasve shqiptarë me banim jashtë Republikës së Shqipërisë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 38, datë 9.12.2022. Kufizimet dhe/ose ndalimet e parashikuara për përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje.
Institucionet për përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve:
– Komisioni Qendror i Zgjedhjeve;
– Komisionet e nivelit të parë të Administrimit të Zgjedhjeve;
– Komisionet e nivelit të dytë të Administrimit të Votimit.
Infrastruktura e zgjedhjeve:
– Organizimi i infrastrukturës së zgjedhjeve;
– Përgatitja e dokumentacionit zgjedhor dhe dërgimi i materialeve zgjedhore;
– Votimi;
– Kushtet për administrimin e votimit dhe rezultati zgjedhor;
– Teknologjia në zgjedhje, pilotimi, garancitë e votimit dhe te procesit te numërimit;
– Transparenca e veprimtarisë së KQZ-së dhe organeve te tjera.
Fushata zgjedhore, monitorimi i fushatës zgjedhore dhe fushata zgjedhore në media audiovizive dhe në mediat sociale, si dhe ndalimet përkatëse.
Financimi i zgjedhjeve dhe i fushatës zgjedhore:
– financimi i zgjedhjeve;
– financimi i subjekteve zgjedhore;
– financimi i kundërligjshëm i zgjedhjeve dhe financimi i fushatave zgjedhore nga burime te huaja.
Ankimi administrativ, hetimi administrativ, sanksionet dhe ankimi gjyqësor. Çështje të tjera për zgjedhjet përfshirë sistemin zgjedhor, koalicionet parazgjedhore, përkthimi i drejtë i votës në mandate përfaqësimi, përfshirja apo jo e referendumeve si pjesë e Kodit Zgjedhor, si dhe forcimi dhe garantimi i lirisë se votimit dhe ruajtjes së parimit të votës së fshehtë. Grupi i Dialogut mund te vendosë me konsensus për diskutim edhe çështje të tjera që lidhen me zgjedhjet. Hartimi i dispozitave sipas këtij Kalendari mund të kërkojë ndërhyrje legjislative në ligje të tjera si Kodi Penal, ligje te tjera, etj. Miratimi në tërësi i projektligjit dhe eventualisht i projektligjeve te tjera të lidhura me të.