Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku duket se do të kenë telashe me drejtësinë. Ashtu siç ishte paralajmëruar dy ditë më parë nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nënkryetarja e PD, Oriola Pampuri dhe përfaqësuesi ligjor i kësaj partie, Rezart Kthupi, kanë dorëzuar ditën e djeshme kallëzim të ri në Prokurorinë Speciale (SPAK) në lidhje me çështjen e inceneratorëve. Pas deklaratave të bëra në intervistën për mediat, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, Partia Demokratike zyrtare ka kallëzuar Ramën dhe Veliajn si dhe autorët kryesor të kësaj afere. Kjo padi është vijimësi e atyre padive të barë më parë nga kjo parti. “Partia Demokratike ka denoncuar prej vitesh tashmë aferën e inceneratorëve. Por duke u bazuar në atë çka edhe ju e keni dëgjuar, të gjithë e kemi dëgjuar intervistën e Arben Ahmetajt, sigurisht që janë indicie të reja për hetim dhe bazuar në këto indicie, ne kemi paraqitur sot në SPAK një kërkesë për hetim për Erion Veliajn dhe Edi Ramën, duke u bazuar në atë që ish-numri 2 i Edi Ramës deklaroi në intervistën e tij. Ju faleminderit”, deklaroi deputetja Pampuri para gazetarëve nga oborri i SPAK.
Në kallëzimin penal të PD zyrtare janë renditur 7 vepra penale:
1- “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendore”, të parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal
2- “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248,
3- “Shkelja e barazisë se pjesëmarrësve ne tenderë apo ankande publike” parashikuar nga neni 258,
4- “Korrupsioni pasiv i peronave qe ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259,
5- “Korrupsioni pasiv i funksionareve te larte shtetëror ose i te zgjedhurve vendore” i parashikuar nga neni 260,
6- “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal,
7- të kryera në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 333 dhe neni 334 i Kodit Penal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nenet 75/a, 280, 283 e vijues të K.Pr.Penale, neni 245, 248, 258, 259 dhe 260 278, 333 dhe 334 i Kodit Penal, nenet 8, 9, 10 e vijues të Ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
Shtohen telashet për Ballukun
Nga ana tjetër, shembja e aksit rrugor “Korçë-Ersekë” disa ditë më parë, ende pa përfunduar ndërtimi nga kompania “A.N.K shpk”, ka rikthyer denoncimet e opozitës për ato që i quan rrugë të florinjta. Partia Demokratike zyrtare i kërkoi SPAK që të nisë hetimet për abuzimin me fondet në “Korçë-Ersekë”, teksa akuzon kompaninë ndërtuese, në pronësi të vëllait të ish deputetit socialist Ndue Kola si përfitues të miliona eurove kontrata publike. “Rrugët e florinjta prej vitesh janë kthyer një prej vatrave më të mëdha të korrupsionit të kësaj qeverie. Rasti më i freskët i abuzimit me fondet publike është rruga Korçë-Ersekë, ku veç vjedhjes, ky skandal rrezikon edhe jetën e qytetarëve. Tenderimi i kësaj rruge është denoncuar prej vitit 2020 nga Partia Demokratike, për shkak të klientelizmit, vlerës së tejfryrë, përfitimit të saj në kufij 100% të fondit limit por edhe zvarritjes së përfundimit të saj. Dy tenderat e lotit të dytë të ndarë në dy pjesë janë fituar nga shoqëria A.N.K shpk, në pronësi të shtetasit Agim Kola, vëllai i ish-deputetit socialist Ndue Kola, një nga klientët e qeverisë që ka përfituar miliona euro kontrata publike, ndër të cilat edhe koncesioni 310 milionë euro i rrugës Milot – Balldre. Një tjetër projekt i lënë rrugëve për shkak të përfitimit në mënyrë klienteliste, e mbi të gjitha pa pasur fondet e duhura për ndërtim nga kompania përfituese, në të njëjtën skemë si tek inceneratorët, si dhe në mungesë të financimit të saj nga bankat. Për lotin e dyte me një gjatësi 17 kilometër të rrugës Korçë – Ersekë janë paguar 50 milionë euro nga taksat e shqiptarëve, ku kompania fituese ka përfituar edhe 4 milion euro shtesë për punime të paparashikuara. Madje abuzimi shkon edhe më tej në një nga pjesët e lotit të dytë të kësaj rruge, ku pavarësisht se ka pasur një projekt për 1 milionë euro për kilometër, zbatimi i tij është zvarritur për ta ndryshuar dhe tenderuar për 5 milionë euro për kilometër, në një rrugë më një gjatësi vetëm 4 kilometër. Partia Demokratike i bën thirrje SPAK që të nisë menjëherë hetimet për supervjedhjen me rrugën Korçë – Ersekë, për të cilën jo vetëm janë shpenzuar miliona euro për punime me cilësinë më të dobët, por tashmë po rrezikohet seriozisht edhe jeta dhe shëndeti i qindra qytetarëve të zonës jug-lindore. Sa më shumë vonohet hetimi i kësaj afere aq më shumë vidhet e aq më shumë rrezikohet jeta e qytetarëve”,deklaroi dje gjatë një konference për mediat nga anëtarja e së Kryesisë së PD dhe drejtuesja e Departamentit Anti-Korrupsion, Marinela Ziu.
Reagon Meta
Ndërkohë pas Partisë Demokratike zyrtare, reagim pati edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ky i fundit në një reagim në “Facebook”, u shpreh dje se e kishte paralajmëruar një situatë të tillë, ndërsa sipas tij e njëjta gjë rrezikon të përsëritet edhe me aksin Kardhiq-Delvinë. Madje Meta shkruan se veprat më të mëdha të “Rilindjes”, sipas tij, janë gropat e thella të korrupsionit. “Para një jave nga Shkodra e paralajmërova atë që pritej të ndodhte me rrugën super të shtrenjtë por pa standarde, “Korçë-Ersekë”, që rrezikon të përsëritet në “Kardhiq-Delvinë”, por dhe në rrugët e tjera të florinjta të “Rilindjes”. “Veprat” më të mëdha të kësaj Qeverie janë gropat shumë të thella të korrupsionit në çdo sektor, që vetëm thellohen dhe përhapen kudo! Kështu ndodh në një vend ku drejtësia garantohet nga ai që e ka kapur për fyti: Kryeministri”, shkroi Meta.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkaq, edhe avokati Esmerald Xhafa, ka ngritur një kallëzim penal në SPAK ndaj ARRSH, Bashkinë e Kolonjës si dhe kompanive A.N.K dhe A&E ENGINEERING, që po kryejnë punimet në rrugë, për veprat penale: “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumentave” dhe “Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike”. Mësohet se përveç projektit, Xhafa ka bashkangjitur dhe pamje filmik ku fakton punimet me cilësi të dobët dhe ndërtimin i cili është bërë ndryshe nga projekti. Pronari i kompanisë A.N.K rezulton me 100 % të aksioneve Agim Kola, vëllai i ish-deputetit të PS, Ndue Kola, i cili ka përfituar tenderin për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë. Ndërkohë kompania A&E ENGINEERING, është në pronësi të Entela Çanos, me 100% të aksioneve, kompania e së cilës do të bënte mbikëqyrjen e punimeve. Aksi rrugor Korçë – Ersekë loti i dytë pjesa e parë, ka nisur të ndërtohet në vitin 2020, ndërsa në vitin 2022 u kërkua një financim shtesë prej afro 2.1 miliard lekësh. Ndërkohë një pjesë e këtij akti është shkatërruar plotësisht duke rrezikuar jetën e kalimtarëve. Prej disa ditësh qarkullimi është zhvendosur në rrugën e vjetër Korçë – Ersekë. I gjithë aksi rrugor Korçë – Ersekë i nisur prej vitit 2013 ka kushtuar deri tani më shumë se 60 milion euro dhe ende punimet nuk kanë përfunduar në të gjithë lotet e tij. Aksi Korçë Ersekë ishte parashikuar që të përfundonte së ndërtuari në qershor të këtij viti. Aktualisht aksi rrugor Korçë-Ersekë, ka një gjatësi prej 45 kilometrash, ndërsa me përfundimin e segmentit të ri distanca shkurtohet në 35 kilometra.