Kryeministri Edi Rama ka folur në një intervistë të fundit për disa detaje interesante nga zhvillimet e fundit me kryebashkiakun Erion Veliajn pas thirrjes së tij në Prokurorinë e Posaçme. Rama ka folur gjithashtu edhe për goditjet e drejtësisë së re në Partinë Socialiste, por edhe dosjen e rihapur nga SPAK për “Xibrakën”. Kreu i qeverisë u pyet nga gazetari Blendi Fevziu nëse bisedoi me Veliajn për akuzat që ky i fundit bëri në adresë të disa gazetarëve pas përfundimit të dëshmisë në Prokurorinë e Posaçme. Kryeministri bëri të ditur se Erion Veliajt i tha që kishte bërë gabim me deklaratën sulmuese ndaj gazetarëve. Rama theksoi edhe njëherë qëndrimin e tij që nuk mbron politikisht asnjë zyrtar të përfshirë në akte korruptive duke i lëshuar të gjithë në gojën e SPAK.
Intervista e Ramës
– Ai ishte fjalimi juaj dhe adresimi juaj një mesazh për Erion Veliajn? Shumë media e kanë lexuar të tillë.
Po çfarë janë këto mo. Po pse mo çfarë janë mediat?
– Mediat këtë punë kanë të analizojnë mesazhet e tua.
Mesazhet për Erion Veliajn unë i kam të thjeshta fare, i kam një tekst, një telefonatë, një takim. Që unë nuk mbroj…
– Nuk mbron askënd? Ju thatë vetëm Zahon nuk lë të hidhet…
Kryeministri Edi Rama: More zotëri këtë e kam thënë 1000 herë dhe 1000 herë e kam përsëritur.. Unë jam ndryshe Fevzi, ky është thelbi, dhe ju nuk doni ta pranoni ok nuk doni ta pranoni. Jam ndryshe.
– Si ndryshe?
Jam ndryshe. Unë ato gjëra që them i mendoj. Nuk them një tjetër dhe mendoj..
– Meqë kishe një mesazh të shkurtër apo vetëm një tekst apo telefon me Veliajn, a i the gjë për qëndrimin që ai mbajti duke akuzuar një sërë gazetarësh pasi doli nga SPAK?
Po i thashë.
– Çfarë i thatë?
Gabim shumë i madh.
– Pse?
Sepse unë personalisht kam pasur shumë herë reagime ndaj mediave, por nuk kam sulmuar kurrë një me emër, një person, sepse sulmet ad ominan nuk janë sulme të denja për këdoqoftë që ka një funksion të lartë dhe që ka një raport që lidhet me rolin e tij institucional.
– Një parti që ka kaq ministra dhe kaq kryetarë bashkie në burg, a mund të thuash se nuk ka marrë goditje?
Unë kam punuar me 40 e sa ministra dhe nga 40 e sa ministra, janë 3 apo 4 në 10 vjet. PS vetëm forcohet dhe zgjerohet.
– A jeni ju përgjegjës për këtë korrupsion që deri më tani ka evidentuar SPAK-u?
Unë deri tani jam përgjegjës që ky korrupsion po evidentohet sepse po të mos ishte PS-ja nuk do të ishte SPAK-u. Nuk ka sistem korruptiv të ngritur sepse po të kishte, Shqipëria nuk do të ishte në tavolinën e negociatave. Komisioni Evropian është institucioni i vetëm që ka dhjetëra e qindra persona të angazhuar që merren 24 orë/7 me faktet. Nuk merren me faktet 24/7 as gazetat, as televizionet dhe asnjeri. Ata merren dhe ata e dinë ekzaktësisht çfarë dhe çfarë. Unë solla shembujt atje se ndërkohë ne kemi ngritur sisteme dhe do të vazhdojmë të ngremë sisteme që e kanë ulur, nuk është rritur korrupsionit. Kjo shpjegohet me faktin se ka një luftë të thelluar kundër korrupsionit dhe këto që po dalin janë rezultat i kësaj lufte dhe këto gjëra në të shkuarën kanë qenë më flagrante dhe nuk dilnin asgjëkundi sepse nuk merrej asnjeri me to.
– Ju vetë e ndjeni veten të njollosur nga ky korrupsion?
Unë të njollosur? Si?
– Penalisht ju nuk keni akuzë, por moralisht a keni ju ndonjë përgjegjësi? Në arrati ke zëvendësin tënd, ministra në burg, kryetarë bashkie në burg.
Kjo është një arsye për t’i thënë bravo Partisë Socialiste.
– Bravo që vodhët?
Tani mos ma banalizo. Për t’i thënë bravo PS-së sepse PS-ja është e para dhe e vetmja forcë politike që ka hequr dorë nga kontrolli politik dhe thotë që “nuk dua t’ia di fare a je zëvendësi, a je shoku, a je tjetri a je tjetri, në këtë pikë nuk ka shok, nuk ka zëvendës, por ndarje të menjëhershme”.
– Çfarë do të quanit ju përgjegjësi politike tuajën, jo penale?
Do ta quaja sikur të mos ishte kapur asnjë ish-ministër i PS-së, sikur të mos ishte kapur asnjë nga drejtorët që janë kapur, sikur të ishin vënë përpara përgjegjësisë ata të krahut tjetër. Kjo do të ishte përgjegjësi e madhe politike. Nëse do të ishte e vërtetë që në Shqipëri ka një vjedhje masive me tenderat…
– Këtë po thotë SPAK-u.
SPAK-u nuk po thotë asnjë përveçse po identifikon dhe po godet ashtu siç duhet të bëjë raste të caktuara. E vërteta është se sikur të ishte kështu, nuk do të kishim kursyer ne gati 1 miliardë, 960 milionë Euro nga tenderat. Nëse do të ishte kështu, nuk do të kishim një numër operatorësh ekonomikë që fitojnë gara gati 3-fishin e atyre që fitonin gara para se të vinim ne. Unë nuk kam asnjë mision për t’i mbajtur pishën njerëzve dhe as për të vënë përgjues e për t’i ndjekur nga mbrapa njerëzit dhe as nuk kam të drejtë ta mendoj që mund të bëj gjëra të tilla. Unë nuk zgjedh drejtorët. E dyta e punës, kur njerëzit zgjidhen është sikur njerëzit martohen. Ato martohen se ndjejnë se jemi në një marrëdhënie dhe nuk mund t’i thuash ti me çfarë kriteri e zgjodhe burrin apo gruan. Jeta është dinamike, njerëzit janë natyra të ndryshme dhe mbi të gjitha ka një gjë që ne nuk i kemi akoma institucionet në atë nivel që të bëjnë parandalimin në masë të korrupsionit.
– Deklaruat për çështjen e Gazment Bardhit dhe akuzën ndaj vëllait tuaj se nuk u mor parasysh, ndërkohë Bardhi ka deklaruar 2 ditë më parë se SPAK ka rihapur hetimet në lidhje me këtë dosje.
Rihapja e hetimeve ishte lajmi më i mirë që unë mund të merrja. Tani ka edhe një detaj të vogël që duhet të konfirmohet kallëzimi. Të konfirmohet kallëzimi sepse ky “zotëria Çingia” është i kallëzuar për kallëzim të rremë. Janë 2 aty në SPAK, është kjo dhe kallëzimi për të për kallëzim të rremë dhe jam i lumtur që gjëja është futur në rrugën e drejtësisë dhe SPAK-u ta thotë, o unë kam një trafikant kokaine në familje, ose kjo goja e madhe e B-së së vogël i duhet vënë proteza nga drejtësia, një nga këto të dyja. Këtu nuk mund të ketë edhe kështu, edhe ashtu. Këtu, ose njëri, ose tjetri duhet të përgjigjen para drejtësisë.