Senatori amerikan, Chris Murphy komentoi ditën e djeshme për herë të parë skandalin “McGonigal”, ku akuzohet se është përfshirë edhe kryeministri Edi Rama. Sipas tij kjo çështje është shumë e rëndë dhe po hetohet ende nga drejtësia e SHBA. Gjatë intervistës së tij në një studio televizive, Murphy u pyet se nëse e shqetëson kjo lidhje e kreut të qeverisë shqiptare me z. McGonigal dhe a ndikon ajo në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Tiranës? Murphy ka deklaruar me zë dhe me figurë se marrëdhëniet Shqipëri-SHBA nuk janë cenuar aspak. Por sipas tij çështja është shumë e nxehtë dhe derisa të përfundojë SHBA do të jetë e kujdesshme në komentet e saj, pasi procesi penal ende vazhdon dhe dosja “McGonigal-Rama” është ende nën hetim nga FBI. “Sigurisht, nuk jam i shqetësuar për marrëdhëniet me Shqipërinë. Ato nuk kanë qenë kurrë më të mira. Këto janë akuza serioze, por tashmë janë pjesë e një procesi penal që është ende nën hetim. Ne jemi gjithmonë shumë të kujdesshëm, pasi si anëtarë të Senatit amerikan, ne nuk komentojmë për çështje që janë ende nën hetim, qoftë për qytetarët amerikanë, ose për qytetarë të shteteve të tjera. Jemi duke ndjekur çështjen dhe presim të përfundojë”, u shpreh senatori Murphy. Pra se ç’farë ka ndodhur, ç’farë kanë thurur, apo në ç’farë aferash janë zhytur kryeministri shqiptar me spiunin McGonigal, me personazhet e tjerë të implikuar, ky është një hetim i ndërmarrë nga shteti amerikan dhe padyshim që e ardhmja do të ketë shumë surpriza për Ramën, i cili është përfshirë në këtë qerthull.
3 skenarët me dosjen McGonigal
Pra senatorët amerikanë konfirmuan se çështja McGonigal mbetet në vëmendjen maksimale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Akuzat mbi agjentin special të FBI-së, që u arrestua për lidhje me oligarkë rusë, por edhe për akte korruptive që përfshijnë edhe vendin tonë, po shqetëson shumë politikën e brendshme, por edhe vetë drejtuesit e FBI-së. I rrezikuar në këtë mes është dhe kryeministri Rama. Gazeta “SOT” zbardhi pak ditë më parë dhe disa detaje për gjyqin që duhej të mbahej më 9 maj, i cili nuk u zhvillua. Në këtë mes qëndrojnë tre skenarë. Nëse nuk ndodh gjyqi fare, nuk marrim asnjë të dhënë për zhytjen në korrupsion të kryeministrit Rama. Skenari tjetër është që nuk mund të ketë akuzë ndaj tij sepse është kryeministër. Gjithashtu ai mund të thirret dëshmitar, ose është thirrur dhe kjo gjë mbahet sekret. Gjithashtu nëse McGonigal pranon disa nga akuzat mund të dënohet edhe 5 ose 10 vite.
Rama pranon takimin me agjentin e FBI
Kryeministri Rama kur shpërtheu skandali i dosjes “McGonigal”, pranoi takimet me zyrtarin e FBI, por tha se nuk përbën asnjë arsye për të nxjerrë konkluzione të reja. “Besoj që njerëzit normalisht duhet të jenë mësuar se këtu opinion ndahet në një pjesë që beson medoemos atë që do të besojë dhe një pjesë që dëgjon dhe reflekton mbi faktet. Kjo është një çështje jo çështje, është e hetuar nga drejtësia amerikane, e cila nuk nxjerr vendime për vrasje pa autorë apo për vrasje nga pakujdesia kur ato bëhen nga dritaret e institucioneve shtetërore dhe nuk ia përton kujt. Në këtë rast ka zero akuzë dhe zero lidhje mes asaj që diskutohet dhe meje dhe Republikës së Shqipërisë. Këto janë derivate të keqleximit të këtushëm, përmendja e emrit si pjesë e një takimi nuk ka asnjë lidhje me përfundimet që ka nxjerrë hetimi në SHBA. Takova një zyrtar të lartë, po, e takova, disa herë. Kjo nuk përbën asnjë arsye për të nxjerrë konkluzione të reja. Kush e kupton e kupton, unë nuk kam pse komentoj asgjë. Unë dhe qeveria e Shqipërisë nuk ka asnjë lidhje me përfundimin e hetimit për një çështje dytësore të dalë rrugës, ndërkohë që kryesorja është krejt tjetër”, tha ai më 25 janar 2023.