Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa ka hedhur akuzat të forta në adresë të kryeministrit Edi Rama, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Shabani paralajmëron një fund politik shumë të “hidhur” për trinomin Berisha-Meta-Rama. Po ashtu, ai nxjerrë detaje të forta nga pazaret e fshehta të dyshes Rama-Berisha, teksa tregon pse kryeministri ia dha vulën e Partisë Demokratike ish-kryeministrit të shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Ndërkohë zoti Shabani zbulon edhe “recetën” që rrëzon socialistët nga pushteti.
– Zoti Shabani a mendoni se po i ngushtohet laku dhe se ora që Ilir Meta të përballet me drejtësinë ka ardhur?
Më shumë se kushdo prej nesh, vetë Ilir Meta e kupton se ka ardhur koha për t’u përballur me drejtësinë, për atë që i ka bërë këtij vendi dhe këtij populli gjatë gjithë kohës që ka qenë në pushtet.
-Ndërkohë thirrjen në SPAK, Ilir Meta e shikon të pakuptimtë, pasi të gjitha veprimet për të cilat i kërkojnë llogari, i bëjnë të tjerët duke iu referuar Kryemadhit, të cilën e cilëson si bashkëpunëtore të SPAK-ut. A është normale që burri të “shesë” gruan? Apo presioni i darëve të SPAK ka prishur ekuilibrat…
Unë nuk dua të komentoj marrëdhëniet private të familjes Meta, por padyshim mendoj që ka disa cilësi të cilat një drejtues shteti duhet të ketë, dhe në themel të tyre është marrja e përgjegjësisë. Ajo që po ndodh me Metën dhe Berishën sot, por që padyshim do ndodhë me Ramën nesër, është thyerja e busteve që këta kanë ngritur për veten. Nga maja e pushtetit na janë hequr si njerëz të mëdhenj, të fuqishëm, të sigurtë dhe të guximshëm. Në fakt ai është vetëm iluzioni që të jep pushteti dhe mjetet e propagandës. Në të vërtetë ata janë njerëz shumë të vegjël, dhe shumë banal. Janë njerëz që janë ngritur në majë të pushtetit për shkak të rastësisë, por edhe të mungesës së principeve.
Në këtë kontekst mendoj se nuk duhet të zhgënjehemi nga mënyra se si këta sillen me gratë apo me familjen e tyre.
– Gjykata e Apelit i dha fund sagës së përplasjeve mes dy grupeve të PD-së, duke i dhënë përfundimisht vulën Sali Berishës. Me këtë vendim, Berisha kthehet në krye të PD-së, partisë opozitare më të madhe në vend. Por ka një problem, Berisha po hetohet nga SPAK dhe është shpallur “non-grata” nga SHBA e Britania e Madhe. A është normale që partinë më të madhe opozitare ta drejtojë një politikan që po hetohet për korrupsion dhe sanksionuar nga aleatët?
Është interesante se për 3 vite unë kam dëgjuar nga Sali Berisha që vulën ia kishte marrë Edi Rama. Kështu që me rregull treshi i bie që tani ia ka rikthyer Edi Rama. Pyetja është përse? Përgjigja e kësaj pyetje shpjegon edhe atë që ju thatë në lidhje me prezantimin e Berishës si lideri i opozitës, pasi për sa kohë alternativa e Ramës mbetet Berisha, rezultati do jetë ai që kemi parë deri më sot.
– Lulzim Basha ndërkohë ka paralajmëruar rekurs të vendimit të Apelit dhe ndërkohë dhe krijimin e një partie të re. Si ju duket kjo lëvizje?
Më duket shumë e vonuar dhe shumë konfuze si strategji. Në momente të rëndësishme politike Basha ka treguar se e humbet momentumin, dhe nuk është në sinkron me nevojat e publikut apo elektoratit. Ky është një prej atyre rasteve.
– Ndërkohë SHBA e ka bërë të qartë se nuk do të bashkëpunojë me Sali Berishën, pavarësisht se ky i fundit pas vendimit të apelit mori drejtimin e Partisë Demokratike.
Në një deklaratë për mediat, Ambasada e SHBA në Tiranë ka theksuar se qëndrimi i Uashingtonit ndaj personave “non-grata” nuk ka ndryshuar, duke i mbyllur përfundimisht derën e bashkëpunimit Berishës. Keni një koment?
Nuk ka asnjë surprizë. Vendet perëndimore i kanë identifikuar qartë armiqtë e perspektivës perëndimore të Shqipërisë. Kush mbështet aspiratën e popullit shqiptar për tu bërë pjesë e Evropës e ka të qartë se kë nuk duhet të votojë. Pastaj zgjedhja mbetet e gjithësecilit, por paqartësi këtu nuk ka.
– Kryeministri Edi Rama duket se ka futur në ankth deputetët. Në Asamblenë e PS të mbajtur online, Rama deklaroi se do të ndryshohet skema e përcaktimit të listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2025. Kjo do të thotë se shumë nga deputetët aktualë mund të largohen. A është kjo një lëvizje strategjike për të spastruar partinë nga ata që kanë probleme me SPAK?
Ata që ka kapur SPAK-u nuk kanë hyrë aksidentalisht në qeverinë e Ramës. Edi Rama ka ngritur një grup ku promovohesh jo pavarësisht se je i korruptuar, por pikërisht se je i korruptuar. Nuk është mos funksionim i skemash, është skemë e ngritur qëllimisht për të vjedhur Shqipërinë. Kështu që nuk besoj se Rama ka ndonjë vullnet për të spastruar partinë, por që padyshim ka interes që të rrisë edhe më tepër kontrollin mbi të. Fakti që Berisha ka marrë gjithë vëmendjen mediatike, nuk na lë të shikojmë krizën që po kalon Partia Socialiste, dhe faktin që Edi Rama është dobësuar. Kështuqë sa më shumë ai e di që nuk inspiron dot më, aq më shumë përpiqet t’i imponohet partisë së tij dhe t’i kërcënojë nëse nuk I binden.
– PS festoi 33 vjetorin e themelimit dhe ndërkohë kjo shumicë ka 11 vjet në pushtet. Keni ndonjë koment?
Është fatkeqësi ajo që i ka ndodhur PS-së që kur e mori drejtimin Rama. Është e njëjta fatkeqësi që i ka ndodhur PD-së së sapothemeluar në fillim të viteve 1990. PD-ja në atë kohë ishte parti e intelektualëve, të cilët Berisha i largoi me sambista, me karrige kokës, me kërcënime dhe me denigrim publik. Ky lloj berishizmi i ka ndodhur edhe Partisë Socialiste që kur ka ardhur Rama në krye të saj, megjithëse me metoda jo aq brutale sa ato të Berishës. Kështu që mendoj se Partia Socialiste nuk feston 33 vjetorin, por 19 vjetorin.
– Si ju duket qeverisja e Ramës? Keni nje recete si rrezohet qeveria…
Qeverisja e Ramës ka një bilanc tepër negativ, dhe për këtë mjafton të shohësh se si janë sjellë shqiptarët e qeverisur nga Rama në këto 11 vite. Fakti që kaq shumë studentë shqiptarë, profesionistë të rinj, mjekë, inxhinierë, pedagogë, gazetarë, avokatë dhe ekonomistë zgjedhin të ikin nga ky vend nuk la vend për koment. Për sa i përket recetës, duhet parë se si qëndron Rama sot në pushtet, megjithëse ka mbështetjen e më pak se gjysmës së popullsisë. Rama qëndron në pushtet:
1) përmes një sistemi zgjedhor që i dhuron 6 deri 7 mandate në tavolinë;
2) së dyti, përmes grupeve kriminale në terren që kontrollojnë zgjedhjet dhe financojnë fushatat
3) dhe duke u përpjekur që Berisha dhe Meta të mbeten në lojë si e vetmja alternativë përballë tij.
Kështu edhe receta është duke i dhënë vendin një alternativë legjitime përtej Berishës dhe Metës; duke ndryshuar sistemin zgjedhor; dhe duke fuqizuar punën e SPAK-ut, të cilët aktualisht kanë çmontuar një pjesë të mirë të grupeve kriminale që kanë vepruar si shtabe elektorale në zgjedhjet e fundit.
Intervistoi: Rigels Seliman