"23 Qershori është dita ku shqiptarët do vendosin me votë për të ndarë të shkuarën nga e ardhmja". Kështu deklaroi kreu i PS, Edi Rama, ndërsa prezantoi pasditen e sotme kandidatët për deputetë në Ersekë.
“Votë për të ndarë të shkuarën nga e ardhmja, epokën e një Shqipërie që ka mbetur peng para televizionit, ku një gjysh me antiplumb dhe 300 roje thotë përralla nga mëngjesi deri në darkë, apo për një Shqipëri që zoti e ka bërë të begatë. 23 Qershori është dita jo për të vendosur fitoren e një partie ndaj një tjetre, por është dita për të vendosur nëse Shqipëria do të vijojë në rrugën e rrënimit apo do hapë rrugën e re për një rilindje shqiptare. Më 23 Qershor është dita për të vendosur jo kush do të fitojë, Saliu apo Edi Rama, PD apo PS, por a do ta kenë më shqiptarët një Qeveri në qafë, apo do kenë një Qeveri të re ne krahun e tyre. A do vijojnë më të vuajnë shqiptarët për ujë të pijshëm, a do vijojë ti shohin shqiptarët tokat e tyre se si nuk kanë kanale vaditëse dhe kulluese, apo do i japë fund legjendës së ujit dhe do bëhet vend normal në mes të Evropës me ujë si gjithë popujt Evropian dhe të Ballkanit, sepse Shqipëria sot ka mbetur akoma tek vargjet e Fan Nolit…”, u shpreh Rama.
“Shqiptarët goditen nga vështirësitë dhe nga krimi që ka marr kot anembanë, ndaj më 23 Qershor familjet e zakonshme shqiptare nuk do votojnë për të ndërruar një kryeministër që është bërë si pikëpyetje, me një kryeministër si pikëçuditje si puna ime”, u shpreh me ironi Rama.