Profesori i njohur i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka dhënë dje detaje për projektin e bujshëm nga Londra që po kërkon të shfarosë politikanët e lidhur me krimin në Ballkan. Në një reagim për gazetën “SOT”, Karamuço i pyetur nëse pushtetarët e lartë ndihen të rrezikuar nga ky projekt i britanikëve tha se një nga skemat e tyre për të goditur korrupsionin është shpallja “non grata”. Sipas tij. për të çuar deri në fund projektin e tyre, po kujdeset një “taks forcë”, e cila ka vite që është pjesë e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Tiranë. Karamuço thotë se ata mbledhin fakte dhe prova dhe ia dërgojnë Londrës zyrtare, skemë që është ndjekur edhe për Sali Berishën. Nga ana tjetër, Karamuço thotë se edhe nga e djathta edhe nga e majta ka të shpallur “non grata” nga Britania, por emrat ende nuk janë bërë publik. “Aktualisht në Ambasadën e Britanisë së Madhe në Tiranë ndodhet një “taks forcë” e cila ka shumë kohë, mos të them muaj ose vite më mirë, por është fakt mbledhëse, ku mbledh prova dhe pastaj i dërgon në Britaninë e Madhe për t’u përpunuar dhe për të dalë në konkluzionin nëse shpallen ‘non-grata’ apo jo. Në dijeninë time ka ‘non-grata’ sot që flasim edhe nga e djathta edhe nga e majta por nuk janë të bëra publike. I vetmi rast që u bë publik ka qenë ai i zotit Berisha, që e bëri vetë publik. E rëndësishme është që është diskutuar disa herë në Mbretërinë e Bashkuar që të ndryshojë ligji, të bëhen publik e të mos jenë të dhëna kofindenciale, por deri më sot nuk ka asnjë lloj vendimmarrje në lidhje me këtë”, tha Karamuço. Kujtojmë se një operacion sekret për të ndaluar bosët shqiptarë të krimit që veprojnë në Britaninë e Madhe po tenton të ekspozojë politikanët e korruptuar në vendin ballkanik. Projekti i koduar Crime State Nexus (CSN) u lançua nga Ministria e Jashtme dhe Ministria e Brendshme për të synuar politikanët ballkanikë me lidhje me krimin e organizuar. Qëllimi i projektit është të dobësojë kërcënimin e paraqitur nga grupet e krimit të organizuar (OCG) dhe të mbrojë interesat e Britanisë në rajon.
Dokumenti britanik për Berishën
Kujtojmë se kur e shpallën “non grata”, Britania e Madhe, i komunikoi Sali Berishës që të mos përpiqet të udhëtojë drejt ishullit pasi nuk do të lejohet në zbatim të urdhrit të autoriteteve të atjeshme, për shpalljen e tij non grata. “Qëllimi i kësaj letre është t’ju informojë se më 19 korrik 2022, pas shqyrtimit më të kujdesshëm, sekretari i Brendshëm urdhëroi personalisht që ju të përjashtoheni nga Mbretëria e Bashkuar për arsye kriminaliteti dhe korrupsioni mbi bazën se prania juaj në Britania e Madhe nuk konsiderohet e favorshme për të mirën publike si rezultat i vlerësimit se ju keni lidhje të qarta me grupet e krimit të organizuar dhe kriminelët që kanë paraqitur një kërcënim për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB dhe se jeni të gatshëm t’i përdorni këto lidhje për më tej ambiciet tuaja politike dhe vlerësimin se keni përdorur pozitat tuaja të zgjedhura për t’u përfshirë në korrupsion dhe sjellje kriminale për të pasuruar veten dhe rrethin tuaj të ngushtë, në veçanti ish-këshilltarin tuaj zgjedhor Damir Fazlliç, të cilin më pas e mbrojtët kur u shfaqën prova të kriminalitetit”, thotë letra. “Vendimi u vërtetua nga sekretari i Brendshëm sipas seksionit 2C të Aktit të Komisionit Special të Apelimit të Emigracionit të vitit 1997. Efekti i kësaj është se çdo rishikim i përjashtimit tuaj, me aplikim, mund të ndërmerret nga Komisioni Special i Apelimit të Emigracionit (SIAC)”, vijon ajo. Përsa i përket udhëtimit në Londër, Home Office i vë në dukje ish-kryeministrit shqiptar se nuk duhet të përpiqet të udhëtojë në Britaninë e Madhe as edhe tranzit, pasi transportuesi (kompania e fluturimit) do të njoftohet për urdhrin e ndalimit ndaj tij. “Ju nuk duhet të përpiqeni të udhëtoni në Mbretërinë e Bashkuar pasi do t’ju refuzohet hyrja. Duke qenë se jeni përjashtuar nga Mbretëria e Bashkuar nga Sekretari i Shtetit, ju jeni dikush në lidhje me të cilin një transportuesi mund t’i refuzohet autoriteti për të udhëtuar në MB sipas paragrafit 14(e) të Skemës së Autoritetit për Mbajtjen 2021¹. Ju nuk duhet të përpiqeni të udhëtoni në Mbretërinë e Bashkuar, qoftë edhe për qëllime tranziti. Në përputhje me Aktin e Mbrojtjes së të Dhënave 2018, Home Office i trajton të gjitha informacionet personale në fshehtësi”, thuhet në dokumentin për Sali Berishën.