Deputeti i Rithemelimit, Ervin Salianji rrezikon burgun për çështjen “Babale”. Pasi u shty për disa herë radhazi, Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm në Tiranë ka caktuar datën 12 prill për shqyrtimin e vendimit të “Gjykatës së Shkallës së Parë, për deputetin e Rithemelimit, Ervin Salianji, i cili është shpallur fajtor për veprën penale “kallëzim të rremë”. Mësohet se kjo datë është shtyrë, pasi më herët kanë qëlluar ditët pushim. “Në vijim të komunikimit, mbi çështjen penale me të pandehur Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Kallëzim i rremë” i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 305 dhe 25 të Kodit Penal, viktim/kallëzues i veprës penale, shtetasi Geron (Agron) Xhafaj, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ju informon si më poshtë: Çështja penale e lartpërmendur, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Elona Toro dhe anëtarë znj. Iliba Bezati dhe z. Genti Shala, është planifikuar për gjykim me datë 12.04.2024, ora 10:00”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Çfarë pritet të ndodhë?
Salianji u shpall fajtor për veprën penale kallëzim i rremë në lidhje me çështjen “Babale”. Nëse Apeli do të vendosë nëse do të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, apo do ta shpallë të pafajshëm apo do të japë një vendim alternativ. Nëse Apeli do të konfirmojë vendimin e Shkallës së Parë atëherë deputeti Salianji, rrezikon burgun. Salianji u shpall fajtor për veprën penale ‘kallëzim i rremë’ në lidhje me çështjen “Babale” dhe u dënua me një vit burg nga gjykata e Shkallës së Parë. Në Apel e ka çuar çështjen dhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili u dënua me 6 muaj burg të konvertuar në 100 orë shërbim komuniteti. Deputeti Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi u shpallën fajtorë nën akuzën e ‘kallëzimit të rremë’ lidhur me inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës. Gjykata e shkallës së parë vendosi 1 vit burgim për ish-deputetin Salianji me “akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim”.
Dënimi
Kujtojmë se deputeti Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi u shpallën fajtorë nën akuzën e “kallëzimit të rremë” lidhur me inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës. Gjykata Penale vendosi 1 vit burgim për ish-deputetin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim, por ai nuk do të arrestohet për të bërë burg, pasi është hetuar në gjendje të lirë dhe pas ankimimit që Salianji paralajmëroi ndaj vendimit, do të pritet shihet çfarë do të vendosë Gjykata e Apelit, për të marrë formë të prerë. Ndërkohë, Albert Veliu njohur si Babalja u dënua me 3 vite e 8 muaj burg ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj burg, dënim i cili do të zëvendësohet me 100 orë pune. Prokurori Genc Qana kërkoi 1.6 vite burg, por konvertuar në 3 vite shërbime prove, prokurori tjetër i dosjes, Kolë Hysenaj kërkuar 1.6 vite burg, ndërsa që gjyqtari Artan Gjermeni e dënoi me 1 vit burg Salianjin.
Reagimet e Salianjit
Ndërkohë jashtë dyerve të gjykatës, Salianji akuzoi asokohe Artan Gjermenin, gjyqtarin që dha vendimin për dënimin e tij, se është anëtar i Bandës së Lushnjes dhe militant i Partisë Socialiste, ndërsa u shpreh se do ta apelojë atë. “Siç ishte e pritshme, siç e kam deklaruar, siç e kemi deklaruar prej kohësh, një pretencë e shkruar, një vendimmarrje e parashkruar dhe e bërë gati kohë më përpara. As për sy e faqe nuk priti për ta dhënë apo për të marrë kohën e nevojshme pas provave që ne depozituam. Ishte një vendimmarrje e shkruar shumë kohë më përpara, e pabazuar në ligj, e pabazuare në prova, e pabazuar në fakte. E bazuar vetëm në dëshirën politike të kryeministrit dhe në ambicien politike të gjyqtarit anëtarë të bandave të Lushnjës dhe të akuzuar me lidhje të forta me bandat dhe me krimin në këtë vend. Famëkeq në lidhje me vendimet që ka dhënë për lirimin e bandave dhe famëkeq edhe në vendimin e sotëm i cili i shërben drejtpërdrejtë vetëm karrierës së vet pas gjyqësore, për të hyrë në rrugën politike me Partinë Socialiste dhe për t’i shërbyer verbërisht shokëve të vet, të cilët e ka vënë”, deklaroi ai. Po ashtu, pak para vendimit, Salianji akuzoi edhe njëherë se prokuroria nuk ka asnjë provë, por vetëm urdhër politik. Ai nxori një skicë që sipas tij është harta e qelizave telefonike që tregon se Jetmir Olldashi, Geron Xhafaj dhe Albert Veliu kanë qenë për një orë në të njëjtën zonë, te lokali i vëllait të ish-ministrit kur është bere regjistrimi i audios në orën 13:30. “Pretenca u bë gati nga Edi Rama që ditën e dytë të publikimit të skandalit të vëllait të ish-ministrit Xhafajt. Në datë 24 kur është bërë investigimi i gazetarit Jetimir Olldashi për një orë, sipas qelizave telefonike edhe Geron Xhafaj edhe Jetimir Olldashi dhe Albert Veliu sipas antenave ndodhen në të njëjtën zonë që është edhe lokali i Agron Xhafajt. Kam Kjo provë nuk është kundërshtuar nga prokuroria. Kam prova se Alizoti është dëshmitar i rremë kur thotë se e ka sjellë në 15 janar audio dhe se ma ka dorëzuar mua. Alizoti merrte dhe paguhej me para nga drejtori i policisë së Fierit. Kemi edhe fakte të tjera, që janë komunikimet telefonike të dy numrave të Veliut, dhe nga 14 janari dhe deri në fund të shkurtit nuk ka ardhur në Tiranë për të më dorëzuar materialin audio, bie me provë shkencore pretendimi i dëshmitarit të sajuar. Edhe numri i Alizotit dhe Babales nuk janë në Tiranë sipas qelizave të kompanisë, që janë në dosjen e prokurorisë. Mbrojtja jonë është mbi 300 faqe, ndërsa prokuroria nuk ka asnjë provë, vetëm urdhër politik. Prokuroria duhet të ndryshonte qëndrim sepse edhe dy prokurorët e parë janë shkarkuar nga vetingu”, nënvizoi Salianji.