Eksperti i ekonomisë, Dorian Teliti thotë se produktet e importit mbushin tregun dhe penalizojnë fermerët, të cilët kanë subvencionet më të ulëta në rajon.
Nga një studio televizive, ai tha se turizmi ka pasur një rritje gjatë vitit të kaluar, duke deklaruar se një nga shtyllat kryesore ekonomia shqiptare duhet ta ketë te ekonomia e turizmit, pasi ka potenciale të turizmit ende të pashfrytëzuara.
Sipas tij, turistët vijnë për natyrën, bregdetin, ajrin e pastër, por ajo që duhet t’u ofrohet është dhe një kulinari jona.
Teliti shtoi se kemi një kuzhinë shqiptare të mirë, por produktet që ne përdorim, janë kryesisht mallra importi.
“Nëse do bëheshin investimet e duhura ne do ishim vend eksportues të produkteve tona.
Ne i importojmë pjesën kryesore të produkteve që konsumojmë. Pothuajse ¾ e këtyre produkteve vijnë nga importi.
Nëse do merreshin politikat e duhura do ishim në efektin e kundërt, pasi i kemi mundësitë, nëse paratë shkojnë te fermeri me anë të subvencionimeve, situata do ishte më ndryshe.
Në 4 produkte që konsumojmë në tryezën tonë, 3 produkte janë importi. Turistët nuk vijnë vetëm për natyrën, bregdetin, por edhe për kulinarinë shqiptare.
Kur vijnë punë te konsumi i produkteve ushqimore, nuk flasim shqip kur vjen puna te tryezat familjare. Kemi braktisje të fermerit vendas.
Shqipëria renditet e fundit në rajon për subvencionimet në rajon, ndërsa i parafundit ka dyfishin e subvencioneve se ne.
Ata e kanë luksin të shesin më lirë produktet e tyre sepse subvencionohen në gjysmën e kostove.
Subvencionet në Shqipëri janë 3-4 herë më të ulëta se në vendet e rajonit. Ne sot nuk blejmë dot një kile djathë që të jetë i bërë 100% nga qumështi vendas.
Mungesa e subvencionimit ka bërë që dhe numri i krerëve të ulet ndjeshëm nga viti në vit, këtë e tregojnë dhe statistikat e INSTAT.
Ndërkohë që kërkesa e konsumatorit vjen në rritje. Do të vijë rritja e kërkesës, ndërsa ne kemi ulje të krerëve që prodhojnë qumështin.
Janë rritur kostot me anë të diferencimit të TVSH në masën 20-30%. Kjo është skemë alla shqiptarçe e shpikur për fermerin shqiptar për ta goditur.
Nga kjo skemë përfitojnë importuesit. Në treg funksionon një ligj shumë i ashpër, kur dy produkte janë të ngjashme, shitet ai me cilësinë më të lartë dhe çmimin më të ulët.
Fermeri shqiptar këtë betejë ka për ta humbur, për sa kohë të jetë kjo skemë në fuqi. Zgjidhja është që të rriten subvencionet.
Kosova jep tre herë më shumë subvencione si ne, ndërkohë që nuk ka asgjë më shumë.
Ne e kemi kapacitetin dhe mundësinë që të prodhojmë dhe konsumojmë produkte Made in Albania.
Patjetër mund të ndodhë që një produkt specifik të vijë nga importi, por ne marrim masivisht produkte importi.”, tha Teliti.
Në vijim shtoi se një nga tezat kryesore që po diskutohet në Partinë Demokratike, është subvencioni të paktën 100 milionë euro në vit, anulimi i diferencimit të TVSH dhe rimbursimi i saj, për t’i ardhur në ndihmë fermerit shqiptar.