Ultimatumi dhe lista që mori kryeministri nga Erdogan për të “shfarosur” turqit e skeduar si “gylenistë” që jetojnë në Shqipëri ka shkaktuar përplasjet e para. Një episod i pakëndshëm ndodhi në xhaminë “Dine Hoxha” në Tiranë. Gjatë dëgjesave në kuadër të ritualeve ditore, besimtarët myslimanë kanë pasur një konfrontim me Myftiun e Tiranës, Lauren Luli. Besimtarët i kanë ndërprerë fjalën myftiut dhe ambienti ka degraduar në kakofoni, ku për fat të mirë ka ndërhyrë hoxha i xhamisë, ligjëruesi, Ahmed Kalaja për t’i qetësuar. Besimtarët i bëjnë thirrje myftiut të largohet, duke kundërshtuar qëndrimin e tij në pozicionin që mban. Ata drejtohen, se sipas tyre ai e ka pushtuar vendin e myftiut. Më tej dëgjohen dhe thirrje: “Nuk të duam. Largohu! Gylenist! Largohu! Terrorist”. Vitet e fundit një numër i madh përkrahësish dhe punonjës të Gylenit janë larguar në mënyrë të fshehtë nga Shqipëria. Presidenti Erdogan ka rritur presionet ndaj kryeministrit Rama dhe të gjithë janë trembur. Një pjesë po arratisen, ndërsa shumë të tjerë po tentojnë të gjejnë mënyra që të mos ekstradohen në Turqi. Kjo situatë ka çuar deri në kërcënime me jetë.
Në rrezik edhe Bujar Spahiut
Një ndër personazhet kryesorë që Erdogan kërkon është Bujar Spahiu. Pak kohë më parë ai është kërcënuar me jetë për të dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Burime diplomatike, por edhe nga KMSH konfirmuan se në të paktën dy raste kryetari i KMSH-së është kërcënuar fizikisht nga persona që janë prezantuar si besimtarë. Një person me background kriminal dhe i armatosur ka hyrë në zyrën e Bujar Spahiut dhe i ka kërkuar të largohet. Jo vetëm kaq, mësohet se edhe dy biznesmenë të fuqishëm në Shqipëri janë takuar me kreun aktual të KMSH dhe i kanë kërkuar që të bëjnë një tërheqje fiktive nga detyra. Këto përpjekje vijnë në një kohë kur konflikti brenda Komunitetit Mysliman ka dalë në sipërfaqe mes një grupimi që konsiderohet si afër Turqisë dhe që e akuzon Spahiun si gylenist. Disa muaj më parë para selisë së Komitetit Mysliman Shqiptar pati edhe një protestë kundër kryetarit Bujar Spahiut. Duket se konflikti i ndezur për kryetarin e KMSH-së po mban peng edhe hapjen e Xhamisë së Namazgjasë e cila po ndërtohet me fonde të besimtarëve mysliman turq. Për këtë arsye edhe presidenti Erdogan ka mbajtur deri më tani peng inagurimin e kësaj xhamie. Punimet për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë nisën ne vitin 2015 dhe ishte parashikuar që të zgjasnin 2-3 vite. Por sot pas 9 viteve dyert e xhamisë nuk janë hapur ende për besimtarët myslimanë dhe vizitorët.
Paralajmërimi në mediat turke
Kujtojmë gjithashtu se para pak javësh, mediat turke u hodhën në sulm ndaj Komunitetit Mysliman Shqiptar. Në artikullin e tyre, ata sollën një situatë ku Bujar Spahiu sipas tyre është braktisur nga besimtarët. “Skena e ndodhur në një xhami të premten, në një vend ku terroristët e FETO-s kanë depërtuar në shumë institucione nga lart poshtë, tregon se ata kanë neutralizuar edhe kryeministrin Edi Rama. Para faljes së namazit të xhumasë në xhaminë Mbret në qytetin e Beratit, ku Bujar Spahiu, i cili njihet për afërsinë e tij me Organizatën Terroriste Fetullah, është ngjitur në minber dhe ka tentuar të mbajë hutbe, por xhemati ka reaguar dhe është larguar nga xhamia. Shqiptarët, të cilët nuk donin të dëgjonin fjalët e anëtarit të FETO-s Spahiu dhe të faleshin pas tij, u larguan nga xhamia dhe e falën namazin e xhumasë në xhami të tjera”, thuhej në artikullin e tyre.