Rreth 46 mijë qytetarë të Bashkisë së Kukësit kanë nisur t’i drejtohen kutive të votimit ditën e sotme për të zgjedhur drejtuesin e ri lokal, pas shkarkimit të Safet Gjicit, i përfshirë në një skandal seksual.
Kutitë e votimit u hapën në orën 07:00 të mëngjesit, teksa procesi i votimit pritet të mbyllet rreth orës 19:00.
Kandidati i Partisë Socialiste u ka bërë thirrje qytetarëve kuksianë të mos hezitojnë që të marrin pjesë në votime. Albert Halilaj e ka dhënë komentin pasi ka votuar vetë, duke shtuar se në Kukës këtë muaj është bërë një fushatë model.
“Nga qytetarët pres një pjesëmarrje masive në votime për të zgjedhur alternativën e duhur, një djalë që do t’i shërbejë Kukësit. Përgëzoj qytetarët e Kukësit është e vetmja fushatë në 30 vite, që nuk kemi pasur një incident, i përgëzoj për vlerat që kanë përcjellë. I ftoj të votojnë alternativën më të mirë për Kukësin”, tha Halilaj.
Gazetari Ardit Hoxha raportoi nga Kukësit se pjesëmarrja në total në të gjithë bashkinë raportohet për një pjesëmarrje më të ulët në krahasim me zgjedhjet e 14 majit.
Kështu, nëse deri në orën 10:00 në zgjedhjet e 14 majit kishin votuar 9, 95 për qind e zgjedhësve, në të njëjtën orë në zgjedhjet e sotme raportohet se kanë votuar 8, 33 për qind e tyre.