Gazetari Fatos Mahmutaj që çoi videon “përvëluese” në SPAK për aferën “CEZ-DIA” ka nxjerrë detajet e forta për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Gjatë një intervistë televizive, ai zbuloi se hetimet për dosjen “CEZ-DIA” kanë përfunduar dhe se sipas tij, pritet komunikimi i akuzës për Metën. Ndër të tjera, gazetari Fatos Mahmutaj, i cili mbeti i plagosur më 21 janar, 2011, kur u vranë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” 4 protestues opozitarë nga armët e punonjësve të Gardës së Republikës, thekson se ish-presidenti po kërkon të shpëtojë nga prangat, njësoj siç ia hodhi paq me pamjet me zë dhe figurë të Dritan Priftit, kur emisioni investigativ “Fiks Fare” publikoi në 11 JANAR 2011 videon ku Ilir Meta, zv kryeministri, i atëhershëm ndodhet në zyrën e ministrit(të atëhershëm) të Ekonomisë dhe i kërkon favore për një tender hidrocentrali dhe disa afera të tjera korruptive që shkonin diku tek 700 mijë euro. Ndërkohë kujtojmë se gazetari Fatos Mahmutaj ka dëshmuar pak muaj më parë në SPAK në lidhje me aferën “CEZ-DIA” që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 414 milionë euro, dosje në të cilën janë të akuzuar kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, si dhe Sali e Shkëlzen Berisha. Ai u mor në pyetje në lidhje me një intervistë që i ka bërë Vojsava Ismailajt (në shkurt të vitit 2017), bashkëshortes së Kastriot Ismailajt pronar i Kompanisë DIA i vetmi i ndëshkuar për këtë aferë. Më herët në disa media, Mahmutaj ka zbardhur detaje të reja mbi intervistën që ka realizuar me Ismailajn e cila siç deklaroi Mahmutaj ka folur për rolin e Ilir Metës në këtë aferë dhe se si përfitonte para në mënyrë korruptive nga kjo marrëveshje, madje sipas saj duke i bërë presion Kastriot Ismailajt. Dyshimet ndaj Metës i kanë fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek “CEZ-DIA”, gjatë qeverisjes së Sali Berishës, kontratë e cila në vitin 2013, u ndërpre pasi socialistët morën pushtetin. Prishja e marrëveshjes i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro. Për këtë aferë u dënua Kastriot Ismailaj, për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash”, pasi përvetësoi 5 milionë euro nga kompania me fatura fiktive pa mbledhur asnjë borxh nga pagesat e prapambetura.
-Zoti Mamhutaj, edhe pse në “arrest shtëpiak”, ish-kryeministri Sali Berisha e pamë të jepte lirisht një intervistë për gazetarët e ‘RAI3’, a është kjo një thyerje e masës, ku sipas parashikimeve duket se janë të lejuara komunikimi me të tjerët, futja e personave të tjerë në banesë, çfarë mund të bëj SPAK-u para kësaj situatë?
Në lidhje me vizitën e gazetarëve të ‘RAI3’ në banesën e Sali Berishës, do të thoja që Berisha e ka provokuar sistemin e drejtësisë, SPAK-un, që nga fillimi duke mos pranuar të merrte njoftimin kur kishte masën e ndalimit për të dalë jashtë shteti, bllokimin e pasaportës. Filloi të luante ping-pong-un jam, s’jam, nuk jam te selia, u gjet sa te selia te komshia. Kemi Saliun që vazhdon të provojë duke qenë me arrest shtëpie duke mbajtur fjalime nga ballkoni shtëpisë së tij, SPAK-u edhe këtë e kaloi dhe tani futen gazetarët në banesën e tij. Nuk e ndalonte askush nga SPAK-u nëse Berisha do të paraqiste një kërkesë për të pritur gazetarët apo gazetarët të paraqisnin një kërkesë në SPAK dhe të shkonin njerëzishëm te Berisha. Sali Berisha herë pas herë po provokon SPAK-un dhe nuk e di çfarë po pret SPAK për të shtrënguar masën e sigurisë për Berishën kur dihet që dhe akuza të cilën ai ka, është për masë sigurimi në burg. Kemi një njeri që bën rolin e shejtanit budalla dhe vazhdon SPAK-u t’i bie tamburës së Berishës. Dhe të shohim pas pak muajsh kur të shkojë çështja në gjykatë dhe Berisha t’i bëj gjyqin SPAK-ut dhe jo SPAK-u Berishës.
-A është kodi i procedurës penale me disa të meta e mangësi në specifikimin e përdorimit të teknologjisë?
Legjislacioni shqiptar nuk është aspak i mangët, është i keq zbatuar dhe i keq interpretuar. Në pjesën më të madhe legjislacioni është një përkthim shumë i mirë nga italishtja pasi Italia këto probleme i ka kaluar prej vitesh. Përveçse e kemi përkthyer, kemi marrë dhe eksperiencën e tyre, në legjislacion nuk ka vakum ligjor por ka keq interpretim dhe keq zbatim e keq menaxhim të sistemit.
-Në dokumentarin që u paraqit në ‘RAI3’, pjesë e së cilës ishte dhe rasti i Berishës por pati dhe akuza të rënda për infiltrimin e ndikimit të botës së krimit në institucionet shtetërore. Si e pe, çfarë komenti ke duke patur dhe eksperiencën tënde si gazetar i kronikës?
Institucionet qenka krijuar për të përkrahur krimin dhe jo për të ndihmuar qytetarët. Në Shqipëri ende kush kapet më një dozë hashash dënohet me 5 vite burg pasi është masa minimale, ndërkohë zyrtarët që vjedhin fondet, falsifikojnë dokumentet e bëjnë shantazh dhe korrupsion aktiv e pasiv, bëjnë ndërhyrje të paligjshme; ato sëmuren nga zemra dhe bëjnë arrest shtëpie, dalin në gjendje të lirë dhe njoftojnë para se të arrestohen. Nuk kemi asnjë rast trafikanti drogë që të njoftojë para se të arrestohet sado me pozitë e para të ketë qenë. Nuk kemi asnjë rast të një krimineli e vrasësi që të lajmërojë para se të arrestohet, ndërsa pjesa më e madhe e zyrtarëve ikin dhe i shpëtojnë policisë para se të arrestohen. Nëse marrim shembullin e Evropës Qendrore, në cilindo vend një qytetar shkon dhe paraqitet me një dokument dhe paraqitet para punonjësit, dhe pse jo me dokument fizik pasi e ka foto në telefon, e ngarkon në e-mail-in e punonjësit foton e dokumentit dhe merret e mirëqenë. Dhe ka tjetër institucion nga pas që e verifikon, nëse ke falsifikuar është krim i rëndë falsifikimi. Ne falsifikimet, ndërhyrjet e dokumenteve, korrupsionin i kemi krime të lehta sepse i intereson politikës, qoftë e majtë apo e djathtë, që të mos dënohen krimet e tyre. Dhe ashpërsohet ligji për atë që kapet me doza droge kur dihet se ka konsumator. Nuk ashpërson ligjin për futjen e drogës në Shqipëri por për atë që e tregton. Dhe të falsifikosh dokumenta, të dërgosh dokumenta të falsifikuar në institucionet shqiptare është gjëja më normale. Ndërkohë po të ndodh kjo gjë në vendet e Europës Qendrore nuk ka për të zgjatur kjo punë më shumë se 2-3 vite, do i kthesh mbrapsht ça i ke marrë shtetit, do paguash gjobën, dënimin. Është krim i rëndë pasi ke thyer besimin e shoqërisë, e shtetit, e ligjeve. Ke bërë një krim shumë herë më të madh se shitja e drogës. Në Angli për armë mbajtje pa leje që ka fishekun në fole gati për gjuajtje, dënohesh minimalisht me 15 vite burg. Sepse ato e kanë zgjidhur punën e krimit ordiner, vrasjet me pagesë, të shtëpia, duke ashpërsuar ligjin. Ndërkohë në Shqipëri armë mbajtja pa leje dënohet me 2 muaj burg ndërsa kapja me doza droge dënohet me 5 vite burg, falsifikimi i dokumenteve është me gjobë, shoferi që del pa patentë dënohet me 15 ditë burg, ndërkohë që është krim potencial. Njeriu që falsifikon dokumenta është krim potencial pasi shkatërron gjithë sistemin. Dhe me të drejtë kolegët italian thonë se në Shqipëri institucionet punojnë për krimin.
-Si e ke parë sjelljen politike të Ilir Metës, a beson se kjo formë PR ka në prapavijë edhe në aspektin e drejtësisë për të përfituar apo lehtësuar edhe diçka tjetër në lidhje me telashet që ka me drejtësinë?
Ilir Meta e ka zgjedhur shumë vonë rrugën e aktrimit, është i pabesueshëm për të aktruar në këtë lloj moshe. Ta bënte më herët dhe besohej por tani është diçka që e nis shumë vonë dhe bëhesh lolo më pas. Me këtë aktrimin tani nuk besoj se do të dalë gjëkundi. Aktrimin po e bën për t’i shpëtuar drejtësinë dhe po bën rolin e një aktori të keq, komik. Ndërkohë, pa e kuptuar për veten e tij po bën një rolin tragjik-komik, nuk po bën rolin komik.
-Si e sheh raportin e Metës me ligjin, deri tani është i pastër në aspektin e ndonjë akuze penale mund të rëndojë mbi të, ndoshta të një dënimi të formës së prerë edhe pse ende nuk ka diçka konkrete?
Kam përshtypjen se ish-Presidenti është kallëzuar në Prokurori disa herë për disa çështje të ndryshme. Momentalisht është çështja ‘CEZ-DIA’, e cila po shkon drejt fundit të hetimeve dhe ai po ndihet keq dhe po përpiqet ta zgjidh me këtë lloj forme. Në lidhjet me çështjet që ka Ilir Meta, zgjidhja më e mirë është ashtu si u hetua dhe u gjykua ai 700 mijë dollari i famshëm që solli rrëmujat e ‘21 Janarit’. Ai u gjykua dhe u shpall i pafajshëm, mori pafajësi absolute kur ishte me zë dhe figurë, ndërkohë për atë çështje është dhënë vendimi. Nga ana tjetër, Meta po përpiqet me të njëjtën mënyrë që të kalojë dhe çështjet e tjera, si dhe të ‘CEZ-DIA-s’, të bëj dhe sulm personal ndaj kreut të SPAK, zotit Altin Dumani. Por nuk është çështje inati apo personale, por ndoshta pret të përjashtohet prokurori nga çështja, duke menduar me idenë se kam konflikt interesi me prokurorin dhe ta marr në hetim çështjen një tjetër prokuror. Duke u përpjekur të bëj këtë lloj komedie, po përfundon në tragjedi, pasi po bëhet qesharak dhe shumë i ulët në këtë lloj skeme.
-Në bindjen tuaj, aq sa e njihni çështjen “CEZ-DIA” dhe çështjet e tjera, ju keni një përshtypje në raport me fajësinë e tij?
Përderisa ajo çështje po hetohet, në dijeninë time Prokuroria po bën një punë të mirë. Përkundër nga disa çështje të tjera ku politika kishte futur hundët dhe drejtësia ishte përpjekur t’i anashkalonte, t’i manipulonte, t’i fshihte apo t’i transformonte disa prova, besoj se në çështjen ‘CEZ-DIA’, pasi dhe aktorët të cilët kanë bërë kallëzimet penale në këtë çështje janë duke i ndjekur të gjitha çështjet. Sepse në momentin kur kanë bërë kallëzimin, kanë çuar edhe provat. Tani Prokuroria është duke analizuar provat, përderisa Prokuroria po e çon drejt komunikimit të akuzës, d.m.th puna, hetimi është bërë tashmë.